Eduard Zaloshnja: 1 milionë shqiptarë, opinion pozitiv për Enver Hoxhën

Eduard Zaloshnja: 1 milionë shqiptarë, opinion pozitiv për Enver Hoxhën

Nga një sondazh i publikuar ditët e fundit nga zyra e OSBE-së, në Tiranë, rezultonte se 45% e shqiptarëve mbi moshën 16 vjeç mendojnë se Enver Hoxha ka luajtur rol pozitiv në historinë e Shqipërisë. Kjo përqindje tregon se rreth 1 milionë shqiptarë të kësaj moshe që banojnë ne Shqipëri kanë opinion pozitiv për ish-sundimtarin komunist, ndërsa  rreth 300 mijë kanë opinion asnjanës.

Ndër 1 milionë personat që mendojnë se Enver Hoxha ka luajtur rol pozitiv në historinë e Shqipërisë, rreth 250 mijë janë në moshën 16-35 vjeç, rreth 350 mijë janë në moshën 36-55 vjeç, dhe rreth 400 mijë janë mbi moshën 55 vjeç. Në pyetësorin e përdorur për këtë sondazh, nuk kishte një pyetje se për cilën parti kishin votuar të anketuarit në zgjedhjet e fundit parlamentare, por ndoshta nuk është rastësi që pikërisht 1 milionë shqiptarë votuan në ato zgjedhje për koalicionin që kryesohej nga pasardhësja e Partisë së Punës (kuptohet që përputhja këtu nuk mund të jetë e plotë për të gjithë votuesit e koalicionit fitues).

Siç duket, opinioni ndaj Enver Hoxhës, edhe 31 vjet pas vdekjes se tij, vazhdon të mbetet letra e lakmusit që përcakton pak a shumë nëse një votues është i prirur të votojë “majtas” apo “djathtas”. Për çështje të tjera të së shkuarës, ndarja nuk duket se bëhet me një thikë politike.

Kështu, sipas sondazhit, rreth 2 milionë shqiptarë të rritur, nga 2.225.000 që banojnë në Shqipëri, mendojnë se jeta ishte më e sigurt në regjimin e Enver Hoxhës; rreth 1.9 milionë shqiptarë të rritur mendojnë se kishte më shumë mundësi punësimi në atë kohë; rreth 1.85 milionë shqiptarë të rritur mendojnë se arsimi ishte më i mirë në atë kohë; dhe rreth 1.75 milionë shqiptarë të rritur mendojnë se kishte më pak korrupsion në kohën e komunizmit, krahasuar me sot.

Nga ana tjetër, sipas sondazhit, vetëm 100 mijë shqiptarë të rritur mendojnë se kishte më shumë liri shprehje në atë kohë se sa sot, dhe vetëm 550 mijë mendojnë se jeta ishte NË PËRGJITHËSI më e mirë atëherë. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Shala: OFENZIVA E MADHE KUNDËR VLERAVE TË UÇK-së

Ibrahim Shala: 𝐕𝐄𝐑𝐈𝐔, 𝐃𝐈𝐀𝐋𝐎𝐆𝐔, 𝐕𝐀𝐑𝐑𝐄𝐙𝐀𝐓 𝐌𝐀𝐒𝐈𝐕𝐄 𝐃𝐇𝐄 𝐅𝐒𝐇𝐄𝐇𝐉𝐀 𝐄 𝐊𝐑𝐈𝐌𝐄𝐕𝐄 𝐓Ë 𝐋𝐔𝐅𝐓Ë𝐒

𝐍𝐮𝐤 𝐢𝐬𝐡𝐭𝐞 𝐫𝐚𝐬𝐭ë𝐬𝐢 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐚 𝐞 𝐯𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭 𝐬𝐢 𝐞𝐧𝐭𝐢𝐭𝐞𝐭 𝐠𝐣𝐞𝐨𝐠𝐫𝐚𝐟𝐢𝐤 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐝𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐢𝐯 Pas çlirimit të Kosovës, …