Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Është koha që një femër të udhëheqë Organizatën e Kombeve të Bashkuara

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Moon, i cili përfundon mandatin e tij të dytë pesë-vjeçar më 31 dhjetor të këtij viti, gjatë një interviste javën që kaloi në Kaliforni u shpreh se  do të dëshironte, që  për herë të parë në historinë mbi 70-vjeçare të OKB-së, vendet anëtare të organizatës botërore të zgjidhnin një grua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet fushata elektorale për president për zgjedhjet e nëntorit, në të cilat njëri prej dy kandidatëve kryesorë, për herë të parë në historinë e këtij vendi është një grua, Hillary Clinton, e cila duket se dita ditës po i përmirëson mundësitë për një fitore ndaj kundërshtarit të saj republikan, Donald Trump edhe OKB-ja po zhvillon një fushatë prapa skene dhe publike, siç lë të kuptohet edhe deklarata e Ban Ki Moon, në përpjekje për të zgjedhur një femër në krye të organizatës botërore.

Vendimi për këtë nuk i përket ta marrë Ban Ki Moon-i por 15-vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-ës të cilat në fund të këtij viti do të zgjedhin kandidatin e tyre për t’ia rekomanduar 193-vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme për aprovim.  Gjatë një takimi me deputetin republikan dhe kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për punët e jashtme, Z. Ed Royce, Z. Ban Ki Moon citohet nga agjencia e lajmeve AP të ketë thënë se femrat përbëjnë gjysmën e popullsisë botërore dhe si të tilla, ato duhet të gëzojnë të mundësi të barabarta me meshkujt. Ai ka shtuar se, “Kemi shumë femra e gra udhëheqëse të dalluara në qeveritë e vendeve anëtare, ose në organizata të ndryshme, madje edhe në komunitetin e biznesit, komunitete politike dhe në pjesëmarrëse në çdo aspekt të jetës njerëzore.”  Si rrjedhim shtoi ai, nuk ka asnjë arsye që Kombet e Bashkuara të mos marrin në konsiderim kandidate femra për tu emëruar në detyrën më të lartë të organizatës botërore.

Këtë vit, për herë të parë në historinë e Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme ka mbajtur dhe do mbajë deri në fund të vitit debate publike me kandidatët e interesuar në postin më të lartë diplomatik botëror. Në këtë proces transparent, si asnjë herë më parë, kandidatët paraqesin idetë dhe objektivat e tyre para përfaqësuesve të 193-vendeve anëtare të OKB-ës dhe u përgjigjen pyetjeve nga individë dhe organizata të shoqërisë civile nga mbarë bota.  Siç dihet, në të kaluarën, zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara bëhej me dyer të mbyllura dhe në fund vendosej me kompromis nga fuqitë e mëdha në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj emri i kandidatit i paraqitej Asamblesë së Përgjithshme për votim. Historikisht, emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ishte një kompromis gjeopolitik midis palëve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Por këtë vit shpresohet që procesi i zgjedhjes së kandidatit për të zëvendësuar Ban Ki Moon-in në krye të organizatës botërore, të jetë më transparent dhe më gjithë-përfshirës. Sipas një sondazhi, edhe nëpunësit dhe burokracia e OKB-së dëshirojnë një proces transparent në zgjedhjen e liderit të tyre, gjë që përveç tjerash, shton edhe presionin ndaj vendeve anëtare të organizatës botërore për një konsiderim serioz të kandidateve femëra.

Me gjithë vullnetin e mirë në OKB për një transparencë më të madhe këtë vit, në krahasim me të kaluarën, në procesin e zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, gazeta britanike “The Guardian” shkruan, se më në fund dhe pas të gjitha debateve, pyetjeve e përgjigjeve, Këshilli i Sigurimit i OKB-ës prapë se prapë është ai që do të vendosë për kandidatin, apo kandidaten të cilin do ia paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për votim. Gazeta citon Sam Daws, një ekspert për Kombet e Bashkuara pranë universitetit Oxford të jetë shprehur se, “Janë anëtarët kryesorë dhe permanentë të Këshillit të Sigurimit, ata të cilët do të luajnë gjithnjë rolin vendimtar në emërimin e kandidatit me të cilin ata presin që të punojnë së bashku pa ndonjë problem të madh.” Por, ai shton se si pjesë e këtij procesi më transparent se në të kaluarën, pritet që në mos asgjë tjetër, kandidati kryesor të pakën të jetë më i aftë në fushën e negociatave politike, në drejtimin e një organizate aq të madhe dhe të tregojë aftësinë për të komunikuar në mënyrë efektive nëpërmjet medies globale, në krahasim me kandidatët e tjerë.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u shpreh për agjencinë e lajmeve AP se ndonëse nuk është në dorë të tij për të zgjedhur sekretarin e ardhshëm të OKB-së, pasi kjo është e drejtë e Këshillit të të Sigurimit për t’ia rekomanduar kandidatin Asamblesë së Përgjithshme për aprovim, ai mendon se kandidati ose kandidatja për këtë detyrë të lartë, duhet të ketë, “një vizion të qartë për të ardhmen e botës”, si dhe të posedojë “integritet dhe angazhim” për përparim drejtë paqes, promovimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut” anë e mbanë botës dhe që njëkohësisht kandidati të jetë i aftë ose e aftë të artikulojë rëndësinë dhe të mbrojë dinjitetin njerëzor pa dallim.   Ban Ki Moon u shpreh gjithashtu se pasardhësi/ja e tij të ketë aftësi që të merret nëpërmjet dialogut gjithëpërfshirës dhe një politike elastike — me probleme botërore të cilat në sipërfaqe mund të duken të pazgjidhshme.

Zgjedhja e një femre në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të dërgonte një simbol të fuqishëm anë e mbanë botës, një bote ku sot shkelja e të drejtave të grave dhe vajzave si dhe përdorimi i dhunës kundër tyre – në familje dhe jashtë familjes — konsiderohen si dhuna më brutale e të drejtave të njeriut, pasi siç ka thënë Hillary Clinton, të drejtat e njeriut janë gjithashtu edhe të drejta e grave. (Human rights are women’s rights).   Ndoshta edhe në Kombet e Bashkuara ka ardhur koha për ndryshim në favor të barazisë midis burrave dhe grave edhe në nivelet më të larta të diplomacisë botërore. Anë e mbanë botës, patjetër duhet të ketë femëra të dalluara dhe të afta për të shërbyer në postin diplomatik numër një në botë, si Sekretare  Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por mbetet për tu pa nëse në nëntor, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë histori duke zgjedhur një grua presidente në personin e Hillary Clinton dhe nëse edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara do të zgjedhë një femër për të udhëhequr organizatën botërore, gjithashtu për herë të parë në historinë e saj mbi 70-vjeçare.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …