Frank Shkreli

Frank Shkreli: NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS

Studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë ditët e fundit në protestë, për të kundërshtuar kufizimet ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Me sloganin e fortë “Gjuha nuk negociohet”, ata kërkojnë respektimin e të drejtave të garantuara me ligj dhe kushtetutë. Protesta u zhvillua në Shkup, ku të rinjtë u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë ndaj një qëndrimi institucional që, sipas tyre, pamundëson dhënien e provimit profesional në gjuhën shqipe. Studentët e konsiderojnë këtë një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore dhe një hap prapa në zbatimin e barazisë në institucionet shtetërore.  Studentët shqiptarë të jurisprudencës në universitetet shqiptare po përballen me një realitet absurd: në vend që të përgatiten për të mbrojtur ligjin, ata detyrohen të përballen me shkeljen e tij. E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe nuk është as kërkesë politike dhe as çështje interpretimi – është e drejtë themelore. Dhe çdo pengesë ndaj saj është shkelje e drejtpërdrejtë.  Por problemi nuk qëndron vetëm te shkelja. Problemi më i madh është heshtja.

“Gjuha shqipe nuk është çështje kompromisi. Ajo është identiteti ynë dhe e drejtë themelore,” u shprehën protestuesit, sipas ajencisë INA, duke theksuar se kërkesa e tyre nuk lidhet me privilegje, por me zbatimin e ligjeve ekzistuese që garantojnë përdorimin e gjuhëve në vend.  Në thelb të reagimit është kërkesa që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Studentët kërkuan gjithashtu reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe reflektim zyrtar nga të gjithë mbi vendimin që ka nxitur pakënaqësi, jo vetëm në radhët e studentëve të prekur drejtë për së drejti nga ky vendim.

Kjo protestë rikthen në vëmendje debatet e kahershme për statusin dhe përdorimin praktik të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse ligji për përdorimin e gjuhëve parashikon të drejta të zgjëruara për komunitetet etnike, zbatimi i tij në praktikë vazhdon të jetë sfidë.  Protesta e studentëve shihet si një sinjal i qartë se çështjet e identitetit dhe barazisë mbeten të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut dhe se rinia atje është e gatshme të reagojë kur ato vihen në pikëpyetje.  Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, para protestuesve parashtroi kërkesat e studentëve, duke theksuar se një situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në vitin 2026. Sipas tij, është e papranueshme që studentët të detyrohen të dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën e tyre, raporton agencia e lajmeve, INA.  “Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi.  “Shqipja assesi nuk negociohet. Ky është minimumi i dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Nuk jemi kundër askujt – jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.  Në fjalën e tij, Ademi shtoi se studentët nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, por si pjesë e pandashme e identitetit. “Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës pa barazi gjuhësore. Jemi brezi që mbron dhe flet shqip”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve, raportoi INA.

Në një shtet si Maqedonia e Veriut që synon të ndërtojë standarde të mirëfillta demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit, të drejtat themelore nuk mund të vihen në diskutim, e aq më pak të relativizohen. Një ndër këto të drejta të panegociueshme është përdorimi i gjuhës amtare.  Studentët shqiptarë të jurisprudencës në universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut përballen me sfida që nuk duhet të ekzistojnë në një shoqëri

evropiane që pretendon barazi dhe respekt për diversitetin. E drejta për të studiuar dhe për t’u shprehur në gjuhën shqipe nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e garantuar nga parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe nga vetë korniza ligjore e vendit.  Është e papranueshme që në institucionet e arsimit të lartë, ku formohen juristët e së ardhmes, të ketë paqartësi apo pengesa në përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo, jo vetëm cenon dinjitetin e studentëve shqiptarë por dëmton edhe vetë cilësinë e edukimit juridik dhe besimin në sistemin e drejtësisë të atij vendi.  Respektimi i gjuhës nuk është çështje teknike apo administrative; është çështje identiteti, barazie dhe drejtësie. Një shtet i së drejtës matet pikërisht nga mënyra se si i mbron të drejtat e qytetarëve të tij, pa dallim.  Prandaj, kërkohet angazhim i menjëhershëm dhe i qartë nga institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për të garantuar zbatimin e plotë të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e arsimit juridik. Mospërmbushja e këtij detyrimi nuk është vetëm padrejtësi ndaj studentëve shqiptarë; është njollë mbi vetë kredibilitetin e sistemit arsimor dhe juridik në vend. Një shtet që dështon të garantojë të drejtat elementare në auditoret universitare, vështirë se mund të pretendojë drejtësi në gjykata. Çdo devijim nga ky standard përbën një hap prapa në rrugën drejt një shoqërie të barabartë dhe demokratike. Gjuha nuk negociohet. Ajo mbrohet!

Dështimi institucional ka emër.  Në një shtet që pretendon se ka ndërtuar stabilitetin e tij politik dhe shoqëror mbi balancën ndëretnike dhe mbi parimet e Marrëveshjes së Ohrit, çdo cenim i të drejtave gjuhësore nuk është më, thjesht, shkelje ligjore – është shkelje e vetë themelit mbi të cilin qëndron shteti. Sot, studentët shqiptarë të jurisprudencës në Universitetin e Tetovës, në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin Nënë Terez, përballen me pengesa që nuk duhet të ekzistojnë: kufizime, paqartësi dhe standarde të dyfishta në përdorimin e gjuhës shqipe në procesin mësimor dhe vlerësues.  Kjo nuk është më çështje interpretimi. Është shkelje e drejtpërdrejtë.  Dhe kur kjo ndodh në fakultetet juridike – aty ku duhet të mbrohet ligji – atëherë kemi të bëjmë me një paradoks të rrezikshëm: juristët e së ardhmes po edukohen në një sistem që vetë nuk respekton normat që pretendon të mësojë.  Institucionet përgjegjëse – nga universitare deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, por as përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare në Shkup, nuk mund të vazhdojnë të heshtin për këtë çeshtje. Heshtja në këtë rast është bashkëfajësi. Duhet theksuar e ritheksuar se zvarritja e zgjidhjeve të kësaj çesthjeje është refuzim për të vepruar dhe mosveprimi është shkelje. Sa herë që e drejta për gjuhën shqipe relativizohet, dërgohet një mesazh i qartë: se ligji zbatohet sipas dëshirës, jo sipas detyrimit. Ky është një standard që nuk mund të tolerohet në një shtet që pretendon integrim evropian dhe sundim të ligjit.  Nëse Marrëveshja e Ohrit ishte kompromis për paqe, ajo nuk ishte kompromis për të drejtat bazë të njeriut. Ajo i garanton ato! Dhe çdo shmangie nga këto garanci është hap prapa – politik, juridik dhe moral. Prandaj, disa pyetje janë të drejtpërdrejta dhe kërkojnë përgjigje: Kush po e pengon zbatimin e plotë të gjuhës shqipe në universitetet shqiptare? Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë? Dhe deri kur do të vazhdojë kjo heshtje e qëllimshme, qoftë edhe nga faktori politik shqiptar, të pakën deri tani? Në  interes të kujt është kjo heshtje zyrtare?

Institucionet dhe entet qeveritare duhet të përgjigjen – qartë dhe konkretisht.  Nuk ka më vend për fjalë boshe dhe as për deklarata protokollare. Kërkohen masa konkrete, të menjëhershme dhe të verifikueshme. Sepse e vërteta është e thjeshtë: një shtet që dështon të mbrojë gjuhën, dështon të mbrojë qytetarin. Gjuha nuk negociohet. Por as dinjiteti nuk pret. Dhe ky nuk është apel – por është kërkesë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …