leoni

Gjinekologu, Jakup Ismajli: Në kohën e luftës vetëm në Grykën e Krojmirit janë kryer më shumë se 150 lindje të suksesshme

Gjinekologu, Jakup Ismajli: Në kohën e luftës vetëm në Grykën e Krojmirit janë kryer më shumë se 150 lindje të suksesshme

Në një bisedë në Studion e TV-Diellit dhe në valët e Radios-Kosova e Lirë, mjeku i luftës së UÇK-së, Jakup Ismajli, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë të QKUK-së në Prishtinë, ka folur për pjesëmarrjen dhe kontributin që kanë dhënë mjekët  në luftën e UÇK-së, me theks të veçantë në pjesën jugore të Drenicës konkretisht në fshatin Krojmir dhe në fshatrat përreth si, Pjetërshticë, Zborc Carralevë, Shalë (ish-Sedllar) Blinajë, Risinoc, Baicë, Kleçkë etj.

Fillimisht doktor, Jakup Ismajli,  ka folur për vendlindjen, shkollimin, punën, specializimin e mëvonshëm, duke u ndalur sidomos në punën dhe angazhimin e tij dhe të kolegëve në luftën e UÇK-së prej fillimit të qershorit të vitit 1998  deri në mbarimin e saj, në qershor të vitit 1999.

Jakup Ismajli, në kohën e luftës, së bashku me kolegët e tij: Naser Bytyçi, Fitim Selimi, Avdullah Fazliu, pastaj Reshat Gashi, Musa Baftiu, Tahir Krasniqi, dhe motrat medicinale:  Arbanë Qeriqi, Mirdita Qeriqi, Ganimete Qeriqi, Lumnije Gashi, Mervete Hasani, Habibe Zeqiri, Makbule Brahimi, Teuta dhe Merita Iballi e të tjerë, kryesisht kanë qëndruar në Grykën e Krojmirit, por sipas nevojave edhe në grykat e fshatrave të tjera. Kohë pas kohe kanë ardhur me qëllim të vizitave madje kanë sjellë medikamente e pajisje edhe, Teuta Hadri, dr. Shpëtim Robaj, tani dëshmor, pastaj, Nehat Baftiu, Isa Haxhiu, Agim Hazrolli, Hysni Arifi, Vezir Bajrami, madje   me ekipe të ndryshme mjekësh nga organizata “Mjekët pa kufij: si dhe mjekë të tjerë nga Prishtina, Shtimja, Lypjani, Ferizaj…

Mjeku i luftës,  Jakup Ismajli, nga Carraleva ka folur për mënyrën e trajtimit të pacientëve gjatë luftës, trajtimin e shërimin e plagëve të luftëtarëve të UÇK-së dhe të pjesëtarëve  të popullatës civile, trajtimin mjekësor në kushte të veçanta, në qiell të hapur, pa pajisje e mjete të mjaftueshme, shpeshherë edhe pa medikamente, intervenimi mjekësor në tenda plastmasi, por në rrethana të tjera edhe në objektet, të cilat ishin vënë në shërbim të mjekëve të luftës.

Ai kujton përpjekjet që ka bërë ekipi i mjekëve të luftës  për t ia shpëtuar jetën, Ruzhdi Salihut, më 25 korrik të vitit 1998, dëshmorit të parë të kësaj ane, pastaj luftëtarit më emblematik të luftës, tani heroit të Kosovës, Jetë Hasani, i cili më 26 tetor të po atij vitit kishte plagë të rënda në gjoks, ndërsa plumbi ia kishte shpuar mushkëritë, i kujtohet sesi granata ia kishte ndarë trupin në dysh, martires nga Krojmiri, Afërditë Qeriqi, pastaj tendat e mbushura me të plagosur në Grykën e Krojmirit, ku një muaj para mbarimit të luftës ishin 80 të plagosur rëndë që i ishin sjellë edhe nga zonat e tjera dhe përpjekjet mbinjerëzore, që kishin bërë luftëtarët e lirisë për t’ i bartur në Zonën e Neredimës, në Spitalin ushtarak të Mallapolcit, dhe disa prej tyre i kishin  dërguar nëpër male, deri në Shqipëri.

Një kontribut të jashtëzakonshëm ekipi mjekësor në krye me Jakup Ismajlin dhe të tjerët kishte dhënë edhe në ndihmën që u kishin ofruar grave shtatzëna  gjatë lindjeve,  në kushte dhe rrethana lufte, shpeshherë në natyrë, në tenda najloni.

Ai përmend edhe një kuriozitet që pak kush e di, se vetëm në Grykën e Krojmirit gjatë luftës ndodhshin rreth 30.000 të zhvendosur dhe gjatë asaj kohe ai ka kryer 150 intervenime të suksesshme në lindje, vetëm me dy dështime të foshnjave por  pa asnjë vdekje të lehonave.

Gjatë luftës, me ekipin e tij, Jakup Ismajli ka realizuar 15.000 kontrollime mjekësore, për të cilat edhe janë mbajtur shënime, jo vetëm në Krojmir por edhe në fshatrat përreth të përfshirë në luftë.

Ai ka folur edhe për faktin se si me luftëtarin e lirisë, reporterin e luftës, Martin Çuni, në janar të vitit 1999, në një intervistë për Radion-Kosova e Lirë,  ishte paraqitur si doktor Zhaku, i cili kishte ardhur nga Franca dhe iu kishte bashkuar luftës në Kosovë.  Edhe pse kjo ishte pjesë e propagandës së luftës, mjeku Jakup Ismajli thotë se pas atij rasti shumë mjekë nga Kosova iu kanë përgjigjur mobilizimit dhe kanë depërtuar në zonat e luftës çlirimtare.

Duke qenë se Gryka e Krojmirit ishte vendqëndrimi më i madh i popullatës së zhvendosur, ku ishte një mobilizim i jashtëzakonshëm i ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së ai ka sjellë në kujtesë edhe kohën kur Komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, pjesëmarrësi i tri luftërave tona çlirimtare, heroi i kombit, Tahir Sinani,  kishte vizituar tendën e ushtarëve të plagosur. Ai u kishte bërë me dije të plagosurve se së shpejti do të evakuoheshin, ndërsa ishte zotuar se këmba e armikut serb kurrë nuk do të shkelte në ato Gryka, sepse ushtarët ishin betuar se vetëm mbi trupat e tyre të rënë, forcat policore dhe ushtarake serbe mund të depërtonin në grykat e atyre maleve sikur ishin Krojmiri, Shala, Baica, Nekovci, Kizhareka, fshatrat e Blinajës dhe të pjesë jugperëndimore, të Rrafshnaltës,  të cilat i mbulonte Brigada 121 Ismet Jashari-Kumanova dhe të cilat nuk ishin shkelur kurrë nga këmba e armikut.

Në vazhdim të bisedës në TV-Dielli, mjeku i luftës Jakup Ismajli ka folur  edhe për kurorëzimin me fitore të luftës së UÇK-së, të ndihmuar edhe  bombardimet e NATO-s në caqet serbe, fitoren, kthimin në Shtime, në qershor të vitit 1999, në kushte kur popullata ishte kthyer  nga Maqedonie e Shqipëria, nëpër shtëpitë e tyre, fillimin pa asnjë vonesë të punës në Shtëpitë e Shëndetit, ballafaqimet  me probleme të reja, përzierja e kompetencave të  zyrtarëve të UNMIK-ut, të cilët nuk lejonin që mjekët e luftës të drejtonin institucionet shëndetësore, largimin e tij nga posti i drejtorit, pastaj edhe largimin e mjekut tjetër të luftës, Vezir Bajrami, mjekut, tani i ndjerë,  që kishte kryer obduksionin e viktimave të “Masakrës së Reçakut”, i cili me ekipin e tij kishte   evidentuar të gjitha krimet dhe shëmtitë e mizoritë që u kishin bërë banorëve të fshatit  forcat ushtarake e policore serbe.

Mjeku i luftës, Jakup Ismajli, përkujton  me pietet luftën dhe konsideron se ato 400 ditë ishin ditët me të vlefshme, më kuptimplota dhe më të paharrueshme  të jetës së tij, të kolegëve të tij dhe të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në Luftën heroike të  UÇK-së dhe që kanë dhënë krejt çka kanë mundur, krejt  çka kanë disponuar me  fuqinë e dijen e tyre, për çlirimin e vendit nga barbaria pushtuese serbe.

Tani doktor, Jakup Ismajli është drejtor i Klinikës Gjinekologjike të QKUK-së,  në Prishtinë. Ai ka folur edhe për punën e vetmohueshme të tërë ekipit të mjekëve në këtë klinikë, për punën dhe angazhimet, kapacitetet që disponon si qendra më e madhe gjinekologjike në vend, e cila kryen rreth 45 për qind të lindjeve në nivel të vendit. Ai flet edhe për projektet që janë paraparë të realizohen në të ardhmen i sigurt se Klinika Gjinekologjike do të përparojë në të gjitha drejtimet, meqë punohet me seriozitet dhe përgjegjësi duke qenë  se është qendra mjekësore ndër më të rëndësishmet e vendit…

( Bisedën në studion e TV-Diellit me mjekun e luftës, Jakup Ismajli e realizoi drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …