Habib Jakup Gashi (26.10.1978 – 28.5.1999)

Habib Jakup Gashi (26.10.1978 – 28.5.1999)

Fshati Nagac i Anadrinit të Rahavecit, me kohë ishte një çerdhe për organizimin e shumë formave të rezistencës së armatosur. Ky fshat e ka pranë Krushën e Madhe të Ukshin Hotit, Qëndresën e Nahit Hasanit, Hoçen e Vogël të vëllezërve Krasniqi (Shkëlzenit dhe Luanit) e Celinën e Agron Fetahut. Në këtë fshat është i lindur edhe patrioti i madh, dëshmori i parë, rënë më 27 janar të vitit 1990 te ‘’Laku i Dëshmorëve’’ në Brestos, fotografia e të cilit pati shëtitur botën, këtu është vendlinda e Nesimi Elshanit. Nagaci i Anadrinit, përveç Nesimut, Kosovës ia fali edhe Habin Jakup Gashin djalosh i ri, dragua, luftëtar i të gjitha betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit, me shtrirje kah Dushkaja e Fadil Nimanit, kah Hasi i Haxhi Hotit dhe kah Prizreni i Remzi Ademajt. Habib Gashi merr Përjetësinë në Betejën e Mileskës më 28 maj të vitit 1999 e cila u zhvillua ndërmjet fshatrave: Nagac, Reti e Qëndresë ku ranë dëshmorë edhe: Bedri Berisha i Valljakës, Kurtish Hasanaj i Qëndresës, Mensur Zyberaj i Drenocit, Nazmi Hasani i Qëndresës, Manush Berisha i Krushës së Vogël, Ismajl Gashi i Krushës së Madhe e Agron Bytyçi i Prizrenit, ndërsa u plagosën Rexhep Krasniqi i Prizrenit, Selim Gashi i Hoçës së Vogël e Isa Gashi i Krushës së Madhe dhe kjo betejë mbetet ndër më të përgjakshmet në historinë e luftimeve frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpër Rrafshin e Anadrinit.
Habib Jakup Gashi lindi më 26 tetor të vitit 1978 në fshatin Nagac. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa përpiqet që mësimet t’i vazhdojë në shkollën e mesme ‘’Xhelal Hajda – Toni’’ e cila asokohe ishte paralele e ndarë e gjimnazit të Rahavecit. Si në Nagac, ashtu edhe në Krushën e Madhe, Habibi bëri një fëmijëri prej çapkëni, mirëpo në rini ‘’disi zë të burrërohej para kohe’’, thonë moshatarët e tij. I ati i Habibit, Jakupi dhe i ungji Nuredini, si bashkëveprimtarë të profesor Ukshin Hotit dhe të ‘’Djelmoshave të Pajtimit’’, ia sajuan Habibit të ri lidhjet me Ismet Gashin, me Ragip Hotin dhe me Muhamet Malsorin, kurse në gjimnaz Habibi lidhet me Sinanin, Hidanë, Isakun, Sedatin dhe me Ismet Hotin, sot të gjithë dëshmorët e kombit, studentë që ranë më 3 dhjetor të vitit 1998 nëpër shkrepat e Pashtrikut ‘’në kërkim të dijes dhe të lirisë’’ në Grupin e prof. Muhamet Malsorit e në mërgim lidhet me Hysni Xhafer Durakun, të gjithë dëshmorë të kombit.
Familja modeste bujqësore e Jakup Gashit nuk premtonte kushte që Habibi t’i vazhdojë studimet, prandaj që në moshën njëzetvjeçare merr rrugën e kurbetit, si i vëllai Fatmiri e si shumë shqiptarë të tjerë. Për vend të qëndrimit dëshmori i kombit Habib Gashi zgjodhi Austrinë, mirëpo së andejmi dëbohet. Përpiqet edhe dy herë që të zë vend në kurbet, por megjithatë vendos të kthehet në vendlindje dhe t’i gjendet pranë të et, t’i ndihmojë në prodhimtarinë modeste bujqësore.
Demonstratat e 27 janarit të vitit 1990 të cilave u printe prof. Ukshin Hoti, Habib Gashin së bashku me tërë familjen e gjenjë në krye të kolonës, ishte pranë Nesimi Elshanit, pranë Agron Fetahut, pranë Halim Hotit e afër Hilmi Krasniqit, dëshmorë të parë të luftës për liri e demokraci në fshatrat e Anadrinit. Kështu Habib Gashit, herët i ra që të ballafaqohet me dhunën, vrasjet dhe gjakderdhjet prandaj edhe me kohë zë të angazhohet në plejadën e djelmoshave që morën përgjegjësinë për të bërë kthesa heroike dhe i vazhdon aktivitetet në frymën e amanetit të Nesimi Elshanit: ‘’Vazhdoni këtu ku mbetëm ne!’’
Me vendosjen e Shtabit Operativ Lokal për Rrafshin e Anadrinit në Drenoc të Zatriqit më 26 prill të vitit 1998, Habib Gashi u bashkohet djelmoshave të Adem Jasahrit dhe së bashku me të anë Jakupin, merr detyra për shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpër fshatrat e Lugut të Brestosit, sipas amanetit të Nesimiut dhe vepron në përgatitjen e terrenit në bashkëveprim me Këshillin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për fshatrat e Rrafshit të Anadrinit, që tashmë u lidhën me Drenicën dhe me Rrafshin e Dukagjinit; punonte korridori logjistik i Hasit, ndërsa Nagaci, Celina , Krusha e Madhe e Hoçae Vogël me Brestosin u bënë arterje kryesore nëpër të cilën kalonin luftëtarët e lirisë që thenin Pashtrikun dhe synonin Drenicën e Bjeshkët e Budakovës.
Në fshatin Nagac, fisi Gash gëzonte respekt të veçantë, e posaçërisht Nuredini me Jakupin, prandaj edhe aktivitetet e bijve të tyre hasën në përkrahjen e madhe e në një mbështjetje solide ligjistike të ushqyer prej mërgimtarëve të Nafacit. Kështu, edhe në këtë fshat shumë shpejt u themelua një tog me prirje të zhvillimit kah kompania prandaj edhe bashkëluftëtarët e Habib Gashit morën pjesë duke luftuar heroikisht nëpër betejat e zhvilluara në Gardhish më 14 maj, në Bardhatin më 12 maj, në Fortesë më 18 korrik, në Rahavec deri më 26 korrik, në Apterushë, në Lis-Dervish e në Lugjet e Retisë deri më 10 gusht të vitit 1998.
Habi Gashi disa herë e pati thyer Pashtrikun për t’u armatosur, për t’u riarmatosur e për t’i pajisur shokët. Kështu togu u Nagacit dhe tërë kompania e fshatrave të Lugut të Brestosit që prej fillimit funksiononte si një organizëm i pavarur dhe shumë i kompletuar dhe mori fizionominë e formacionit ushtarak. Me arritjen e Xhelal Hajdës-Tonit e të Selajdin Mullabazit-Micit në fshatrat e Lugut të Bestosit, shtëpia e Jakup Gashit, e Nuredinit e Fazliut dhe e Ilviut, shndërrohen në shtabe e kazerma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sërish Anadrinin e djegur dhe të shkatërruar gjatë ofensivës së korrikut, e mbulojnë luftëtarët e lirisë. Këtu zënë për t’u riorganizuar brigadat 123, 124, 125 dhe 126, madje Brigada 126 e Hasit e kishte shtabin dhe tërë kazermën në fshatin Nagac.
Më 26 e 27 tetor të vitit 1998, Habib Gashi merr pjesë në luftimet përreth Izbishtit, në Lis-Dervish nëpër Lugjet e Retisë dhe lufton nën komandën e Xhelal Hajdës-Tonit kur forcat serbe thehen totalisht dhe kthehen me turp e marre në Hoçë të Madhe e në Rahavec. Pas kësaj fitoreje, komandant Xhelal Hajda e shpërblen me pushim dyjavor Habibib, në mënyrë që të martohet pasi që sihte i fejuar me një vajzë nga Krusha e Madhe. Pas dasmës, Habini i kthehet Xhelal Hajdës dhe së bashku e vazhdojnë luftën deri më 6 nëntor të vitit 1998 kur bien heroikisht Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajziri dhe Nezir Ymeri, te Kryqi i Apterushës.
Pas rënies së Tonit dhe të Micit, Habib Gashi starton për t’u shkolluar në Akademinë Ushtarake ‘’Hamëz Jashari’’ që vepronte dhe zhvillohej në Shkollën Fillore ‘’Bajram Curri’’ të fshatit Kasterc të Therandës. Me të përfunduar, sërish kthehet në prozhmet e Anadrinit por tash si epror dhe vepron në Njësitin Special për intervenimet e Shpejta në kuadër të Brigadës 124 ‘’Gani Paçarizi’’ të Zonës Operative të Pashtrikut, me qendër në fshatin Reti të Anadrinit, jo larg çerdheve më radikale paramilitare çetnike të Hoçës së madhe e të Rahavecit.
Në fundmaj të vitit 1998, Brigada 124 ‘’Gani Paçarizi’’ i afrohet Rahavecit në kuadër të operacioneve ‘’Shigjeta’’, mirëpo pas luftimeve në Pyjet e Hamocit, në Rrapishtet e Bërnajakës dhe afër Teheve të Mullabazëve, nën komandën e Tahir Sinanit, brigada avancon në drejtim të aksit rrugor të magjistrales Prizren-Gjakovë me destinacion të prerjes në trekëndëshin: Qëndresë-Krushë e Vogël-Piranë dhe kështu në mesditën e 28 majit fillon Beteja e Mileskës në të cilën sërish thehen forcat serbe që vinin prej aksit rrugor të magjistrales së përmendur për të kaluar nëpër Paraleskë, Leskë, Mileskë, Mal të Dushkit dhe Rrasat e Hoçës së Vogël e për të depërtuar në Hoçë të madhe. Fushëbeteja shtrihej për shpati në drejtimin Izbisht-Qëndresë, jo larg vendit ku në mars paramilitarët kishin ekzekutuar shumë banorë të Krushës së Madhe dhe kështu ishte përgjakur vendi më i bukur, lugjet më piktoreske e prozhmet më të lulëzuara të Anadrinit ‘’Kroni i Blyblylave’’, ‘’Lugu i Qërqërëve’’ dhe ‘’Lugu i Bylbylave’’.
Në këtë betejë të përgjakshme, përveç Brigadës 124 ‘’Gani Paçarizi’’ që mbulonte pjesën e komunës së Rahavecit, morën pjesë edhe luftëtarët e brigadave të tjera të Zonës Operative të Pashtrikut prandaj edhe rezistenca e Njësitit Special për intervenimet e Shpejta ishte e pashoqe, ranë Bedri Berisha, Kurtish Hasani, Nazmi Hasani, Mensur Zyberaj, Manush Berisha, Agron Bytyçi, Ismajl e Habib Gashi, por nuk ra Mileska, nuk ra Anadrini, nuk ra Kosova prandaj kjo betejë do të sënohet në faqet më të ndritshme të historisë së këtyre trojeve që po lahen me gjak tash e një shekull.
Menjëherë pas përfundimit të breshërive reciproke dhe kanonadave, serbët tërheqin vetëm kufomat e qyqeve të tyre kukama e të cilëve, bëhet se edhe sot po dëgjohet nëpër lugjet e bylbylave, ndërsa trupat e pajetë të dëshmorëve të betejës së Mileskës varrosen në vendin e rënies dhe kështu bri një rrezeore të Shpatit të Mileskës, buzë dhiares që zbret për në fshatin Qëndresë mbinë edhe themelet për shtepitë e amshueshme të Bedri Berishës, të Kurtish Hasanit e të Habib Gashit, ndërsa lugjet e Mileskës u improvizuan spitalet për shërimin e plagëve të Rexhep Krasniqit, të Isa Gashit e të Selim Gashit.
Me përfundimin e luftës, i ati, Jakup Gashi, me të vëllanë Nuredinin e me zonjën Hatixhe, sot nënë krenare e dëshmorit Habib Jakup Gashi, me ndihmën e kushëririt luftëtar Ilhami Gashit, të plagosur, e sjellin trupin e dëshmorit dhe e varrosin në vendlindje, në Nagac, pranë dëshmorit Nesimi Elshani dhe sot të dytë i bëjnë hije e nder fshatit dhe kombit.
Rivarrimi i dëshmorit të kombit Habib Jakup Gashi u bë me një ceremonial madhështor sepse edhe rënia e tij ishte e madhërishme. Madhështinë e sendërtoi edhe nëna-plakë, Hatixheja, bijtë e Hotit e cila me bijat: Habiben, Hasimen, Halimen, Zejninë e Hajrinë e me pliot nipër e mbesa, për çdo 28 maj, merr me vete Fatmirin dhe viziton Shpatin e Mileskës. Nipërve dhe mbesave edhe kjo nënë u rrëfen për trimërinë e Habib Gashit, iu kallëzon për heroizmin e luftëtarëve të lirisë dhe për betejën e Mileskës. Edhe voglushët i mbushin faqet e ditarëve me kujtimet nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me heroizmat e dëshmorëve të kombit të cilëve u janë kushtuar shumë vargje e këngë.
Edhe lapidari i ngritur në Shpatin e Mileskës shkëlzen me rreze lirie, ndërsa në fshatin Nagac shkëlqen Kompleksi Memorial i fshatit, lapidar madhështor kushtuar djelmoshave që ranë së bashku me Habib Jakup Gashin dhe të gjitha rrezet ushqejnë shpresë për Lirinë e Kosovës, për Bashkimin e Trojeve Etnike sepse ‘’Shqip ku flitet asht Shqypnija’’, ndërsa në qytetin e rezistencës, në Rahavecin e Tonit e të Micit, një rrugë mban me krenari emrin e dëshmorit Habib Gashi, të kënduar edhe në rapsoditë e Anadrinit.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …