Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: “Gjahu në UÇK”, shprehje e lirë, apo shpifje e trillime!?

Liria e shprehjes është njëra ndër të drejtat më elementare të njeriut, ndërkaq tendenca për shpifje, ose shpifja si e tillë është vepër  e dënuar me ligj!

Dokumentari ‘Gjahu në UÇK’ prodhim i gazetës Express që për autor ka gazetarin, Leonard Kerquki dhe bashkëpunëtorët e tij, bëri bujë të madhe në opinionin publik. Meqë tema ishte e ndjeshme, sigurisht që një gjë e tillë edhe pritej. Dokumentari në fjalë pati apologjetët dhe kundërshtarët e tij. Natyrshëm, gjë që edhe mund të pritej, ngase mendja njerëzore nuk është e thënë të jetë një dhe e prerë, për një temë kaq të ndjeshme, aq më tepër kur target e saj është lufta e UÇK-së.

Dokumentari në fjalë flet për veprimtari kriminale: për vrasje dhe dëbime të serbëve të  kryera pas luftës në Kosovë. Nuk dua të paragjykoj se kush konkretisht fshihet prapa këtij dokumentari dhe cilat ishin privilegjet që u janë premtuar autorëve te tij, por se ishte tendencioz dhe se kishte për qëllim ta njolloste luftën e shenjt të UÇK-së, nuk ka asnjë dilemë.

Dokumentari në fjalë me ose pa fakte, përgjegjës për vrasjen dhe dëbimin e serbëve pas luftës në Kosovë e bën UÇK-në. Mbase Leonardi dhe hartuesit e këtij ‘projekti’ nuk janë në dijeni se për pastërtinë e luftës çlirimtare është debatuar edhe në qarqe ndërkombëtare, madje edhe ato serbe.

Dua t’ia kujtojë këtij gazetari se pastërtinë e luftës së UÇK-së e mbron edhe humanistja dhe luftëtarja e denjë e të Drejtave të Njeriut, serbja Natasha Kandiq, e cila pa më të voglin dyshim mohon zërat se UÇK ka kryer krime duke pohuar se: “UÇK nuk ishte organizatë terroriste”.

“Gjahu në UÇK” flet për dëbimin dhe vrasjen e serbëve pas luftës në Kosovë dhe është i bindur se këto krime i kryen ushtarët e UÇK-së! Logjika e shëndoshë nuk mund ta pranojë një gjë të tillë. Pse? Si është e mundur që për dy vite luftime të pandërprera, UÇK kurseu dëbimin dhe vrasjen e civilëve serbë dhe një gjë të tillë do ta bënte pas luftës, aq më tepër kur dihet se UÇK doli fitimtare nga lufta e pabarabartë me tendenca gjenocidiale të regjimit kriminal të Millosheviqit.

Leonardi duhet të ketë qenë i ri në moshë, por opinioni e di se në qytetin e Pejës janë vrarë e maltretuar të rinj shqiptarë të pafajshëm (disa nga ta kanë mbetur me të meta psikike si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre) për një krim që kurrë nuk e kishin kryer. Ata akuzoheshin se paskëshin vrarë disa të rinj serb në një lokal në qytetin e Pejës gjatë luftës, ani pse të vetëdijshëm (sikurse tash së voni edhe vet e pranuan) se një gjë të tillë e kishte kryer pushteti kriminal serb dhe strukturat e tij të instaluara në Kosovë.

Mbase të tjerëve po, por mua si një vëzhgues fanatik që jam nuk ia fal vetës të më ikin as detajet. Si është e mundur që edhe familjarët e viktimave serbe të jenë më të kursyer në deklarimet e tyre kur bëhet fjalë për vrasjen e më të dashurve të tyre sesa autorët e dokumentarit.

Përderisa një grua serbe e cila e përjetoi mbi supet e saj tragjedinë e humbjes së familjarëve të vet në fshatin Grackë të Lipjanit, tregohet më e kursyer kur flet për tragjedinë që përjetoi duke mos akuzuar pa fakte, dokumentari tendencioz i Leonard Kerqukit mëton t’i largojë të gjitha “perdet” për sa i përket vrasjes së civilëve serbë në këtë fshat. Paradoks i sojit të vet.

E vërteta është se për një dokumentar skandaloz si këtë të Leonard Kerqukit mund të shkruhet një libër i tërë, por unë dua ta përmbyll këtë paraqitje me vetëm një lutje; mbase për disa do të tingëllojë ‘patriotizëm i vonuar’, mirëpo kujtoj që duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për luftën e UÇK-së, ngase UÇK për shqiptarët është vlera më e madhe kombëtare e shekullit XX.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …