ISA FERIZAJ

ISA FERIZAJ: Pandemia me “virusin” kapitalizëm

Pandemia kriminale e kapitalizmit barbar ka gjunjëzuar njerëzimin anë e mbanë Globit tokësor. Kjo “Pandemi”, këtu në vendin tonë, Shqipërinë e bukur, me plot hire natyrore, me plot pasuri mbi e nëntokësore ka bërë batërdinë, falë një grushti maskarenjësh politiko-kriminelësh, uzurpatorësh pushteti e pasurish nga to të të gjithë popullit, që për tri dekada radhazi, në bashkëpunim e lidhje të ngushta me krimin e organizuar, po e zhvatin, po e fundosin në mjerim e në trishtim këtë vend dhe popullin e këtij vendi, shqiptarët, të cilët symbyllurazi iu besuan në vitin e zi 1990, por edhe në vijimësi, deri edhe tani dhe, me plot bindje mund të them se tani nuk mund të gjendet në asnjë pyll të kësaj bote në qyqe që të mundej ta qante hallin e tyre sa Himalaja, rënë mbi kurrizin e tyre thatanik.

Pandemia globale e virusit KOVID-19, ishte arritja më e madhe dhe më kriminale e pandemisë disashekullore globale të kapitalizmit. ‘Virusi’ kapitalizëm e ka zhytur njerëzimin në dy Luftra të llahtarshme shfarosëse Botërore dhe, ia bëri si dhuratë edhe këtë “Luftë” të Tretë Botërore virusale, po aq shfarosëse e barbare, po të këmi parasyshë shtrirjen e ‘metastazave’ vrastare të saj në jetët njerëzore në mbarë njerëzimin e këtij Planeti në ditët tona. Metaztazat e kësaj pandemie janë shëndetësore, ekonomike, psikologjike, morale, shoqërore, politike, ushtarake, arsimore, kulturore, shkencore e tregtare, që të gjitha së bashku e çojnë botën njerëzore në përplasje të pashmangshme nga rivalitetet midis ‘dinozaurëve’ për rindarje të re të tregjeve botëror e, për një sundim të ri botëror. Nga kjo “Luftë Botërore” politika globale bën sikur është zënë në ‘befasi’ nga virusi shfarosës i KOVID-19-ës, por kjo alibi nuk qëndron para logjikës së shëndoshë njerëzore. Tashmë, atë që ka kuptuar që në hapat e parë njerëzimi, për këtë ‘luftë’ me armik ‘të padukshëm’ po e pohojnë edhe vetë krerët e politikës madhore globale. Njerëzimi i urtë e i thjeshtë ka thënë shumë heret : “Minareja nuk hyn në thes”!

Ky sistem pandemik shfarosës, në thelbin e ‘shpirtit’ të vet ka shfarosjen e njeriut, ose me luftra të përgjakshme klasike, ose me ato përmes ‘viruseve’ si armë viruso-bakterologjike të shfarosjeve në masë, armë këto të prodhuara në laboratoret e vdekjes e të shfarosjes së qënjes njerëzore, nga kapitalizmi çnjerëzor, në të gjitha rastet kur ky njerëzim me shtesën e tij natyrore, shikohet si pengesë e rritjes së fitimeve e superfitimeve të shushunjave të pangopsme e gjakpirëse. Boshti i kësaj lufte kapitaliste është ‘filozofia’ rraciste e antihumane e Maltusit, për zhdukjen e njerëzimit, ose përmes luftrave, ose përmes formavemë ‘moderne’ si kjo e virusëve dhe e bakterieve vrasëse masive.

Në rrethanat e reja botërore, njerëzimi i thjeshtë është ai që i ka pësuar dhe po i vuan më së shumti pasojat e haraçet e kësaj lufte.

Njerëzimi i thjeshtë humbi më së shumti jetët njerëzore të të afërmëve e të më të dashurve, vendet e punës, të ardhurat ekonomike për të jetuar, humbi ndjenjat njerëzore të solidaritetit dhe të organizimit shoqëror përballë kërcënimit për jetën e, për punën, pra për bukën e për strehen.

Çfarë arsyejeje tjeter, veç kësaj të paarsyes së këtij rendi shoqëror, mund t’ia lëshonte mbi kurriz një peshë kaq të rëndë e të papërballueshme, njerëzimit të këtij filimshekulli fort të brishtë e, me një ‘demokraci’ fallso?! Kjo tregon se ndonëse kohërat shekullore e historike, njerëzore e morale, lëvizin, forma dhe përmbajtja e këtij sistemi pandemiko-vrastar, mbetet po e njëjta, pavarësisht retushimeve të njollave të errëta në ‘fytyrën’ e pafytyrësisë së tij.

Të gjitha luftrat botërore dhe zonale apo lokale, të gjitha konfliktet ndërshtetërore, ekonomike, ushtarake, kudo nëpër botë, janë ideuar, janë nxitur, janë ushqyer, janë investuar, janë frymëzuar nga shpirti i ‘virusit’ më të tmerrshëm të të gjitha kohërave, kapitalizmi. Asnjë përpjekje mashtruese nëpër kohëra për ta paraqitur atë si ‘kapitalizëm me fytyrë njerëzore’, s’ka mundur t’ia ndryshojë atij shpirtin çnjerëzor.

Të gjitha këto ndërmarrje antijetë, kanë pasur në thelb edhe përllogaritjet e fitimeve përrallore që kanë shkuar përherë në xhepat e borgjezëve të babëzitur e të pashpirt. Nuk mbahet mend, por as nuk njihet një rast, kur luftën, në një zonë, në një rajon, apo në shkallë botërore, që ta ketë nxitur e zhvilluar rendi i ri shoqëror i Socializmit. Kujtoni dhe gjykoni se sa miliardat e dollarëve, apo të eurove derdhen sot nga ‘virusi’ vrasës kapitalizëm, për të sabotuar rrugën e prirjes së natyrshme të njerëzimit drejt atij rendi vlerash morale, njerëzore, por edhe supërior mbi këtë të kalburin kapitalizëm.

Vetem një fakt e verteton natyrën çnjerëzore të kapitalizmit, ku vetem një grusht oligarkiko-kriminal, përfaqësues korporatash e posedues mjetesh marramendëse financiare, sot zotërojnë mbi 90% të pasurive globale. Sa mbeten nga këto pasuri për 90% të njerëzimit? Dihet fare mire e, duket po aq qartë. Miliona njerëz sot nëpër botë vdesin për shkak të urisë, pra se nuk kanë një kafshatë bukë për t’u ushqyer, gjënë më elementare natyrore të të drejtës për të jetuar. Sot miliona njerëz të tjerë vdesin nëpër botë për shkak të kequshqyerjes; po aq të tjerë milionash njerëz në këtë botën e ‘parajsës’ së kapitalizmit’ vdesin nga pamundësia për t’u vizituar e mjekuar prej sëmundjeve vrastare, të natyrshme, në institucionet mjekësore, sëmundje ato të krijuara edhe artificialisht nga ai grushti i 10%-it kriminalo-skllavërues. Sa popuj nëpër rajonet e pasura me naftë e me pasuri të tjera natyrore, sot janë bërë pre e luftrave çnjerëzore shfarosëse, të nxitura nga ai grushti i 10%-it shpirtkatil?! Sa popuj sot, falë këtyre politikave çnjerëzore të ‘virusit’ pandemik kapitalizëm, po boshatisin shtete të tëra nga popullsia vendasë, për mes luftrave dhe emigracioneve, duke i kthyer ata në endacakët më të pafat të njerëzimit në këtë fillimshekull, e vendet e tyre parajsa fitimesh për kuçedrën kapitalizëm?

Ku shkojnë miliardat e tonelatave të pasurive, por edhe ata miliardat e vlerave të tyre supërpërrallore, që grabiten me forcën e arsyes së paarsyeshme e të sëmurë të pushtuesve të njohur sot nëpër rajonet e globit tonë? Përse ato pasuri e, vlerat rrjedhëse prej tyre, nuk i gëzojnë popujt e vendeve që ua ka dhuruar natyra, por as nuk i shpërndahen në mënyrë të barabartë njerëzimit? Edhe kjo dihet!

Le të them nja dy a tri mendime, lidhur me ‘pandeminë’ tridekadëshe të ‘virusit’ vrasës kapitalizëm edhenë vendin tim:

Dihet se shqiptarët, që nga çlirimi i Atdheut më 29 Nëntor 1944 e, deri në fundvitin 1990, punuan, si rrallë komb tjetër, frymëzuar nga përmasate lirisë dhe të hapësirave të saj në jetën e çdo njeriu atdhetar, punëdashës e mendjehapur. U krijuan vlera të pallogaritshme material, financiare, institucionale, intelektuale, psikologjike, shoqërore, emancipuese, morale, shëndetësore, arsimore, kulturore, sa falë atyre vlerave, Shqipëria dhe shqiptarët, në Sistemin Socialist, brenda pak dekadave, kapërcyen, në arritjet e gjithanshme, të gjithë shekujt e mëparshëm të marrë së bashku dhe, në shume fusha jete, zunë arritjet e popujve e të shteteve që kishin punuar me shekuj për të arritur në ato standarde.

Mjafton të përmendim, sigurinë dhe lirinë e njeriut; arsimimin e kulturimin e tij, por edhe të mbarë shoqërisë; mbrojtjen e jetës së njeriut, duke e vlerësuar njeriun si ‘kapitalin më të çmuar’ dhe vënien e të gjitha vlerave në sherbim të tij, shoqërisë, shtetit të tyre e, të Atdheut.

Cilit prej udhëheqësve të Socializmit në Shqipëri, iu gjet pasuri material e pajustifikueshme e mbi normat e lejuara nga ligjet e kohës, iu gjetën apo zbuluan pasuri monetare, qoftë në vend, por edhe në institucionet financiare të botës, tash tri dekada të këtij sistemi kundërshtar për vdekje të Socializmit?! Si qendron kjo dukuri në kohën e sotme tridekadëshe lidhur me ‘udhëheqësit’ e kësaj kohe, në raport me ata të Socializmit? Në cilat periudha, përjashto atë të viteve 1947-1948, të njohura si vitet e racionit, pra vite krize të thellë ekonomike, por racionin për të jetuar e kishte si njeriu i thjeshtë, si njeriu i pushtetit, janë provuar në socializëm si ato, jo si sot, që njerëzit e mbytur nga mjerimi, kanë mbushur rrugët e qyteteve dhe rrinë tërkohën ‘me duar të mpita të shtrira’ tërë jetën e tyre, deri sa i rrëmben vdekja. Kjo gjendje u krijua me dashje nga mesi i viteve tetëdhjetë, pas vdekjes së Enver Hoxhës, nga tradhtarët në kupolën e PPSh, me qellim të përgatitjes së restaurimit të kapitalizmit në vendin tonë, qellim të cilin edhe e arritën. Ushqyerje e kësaj plage të kobshme janë sot trastat e qeset fukarallekshe të sheqerosura me dukurinëe ‘bamirësisë’ e të’ndihmës’, që shpërndan ky shtet vampir nëpër familjet e fundosura në mjerimin që u ka shkaktuar vetë ky sistem e ky shtet.

Hapja e vendeve të punës për rininë që rrin rrugëve e kafeneve tërë ditën duke vrarë jetën me boshllek vlerash e, me nje kafe fukarai përpara në pjesën më të madhe të ditëve, por edhe duke menduar për të ikur nga ky vend, ia ka vrarë asaj moshe ëndrrat e shpresat e të jetuarit me dinjitet në vendin e vet, në vendin e quajtur Shqipëri e që është atdheu i tyre. Përse në të gjitha kronikat e gazetarëve sot vihet në dukje se familja është shkatërruar në mënyrë të pamëshirshme dhe, si kurrë më parë, sot krimi brenda familjes është tronditës dhe kërcënues për shoqërinë. A thua se edhe për këtë kriminalitet, të këtyre tri dekadave, fajtor është përseri ‘komunizmi’?

Ndodhur kjo politika e këtyre viteve përballë vetem deshtimeve të tyre në çdo fushë të veprimtarisë vetjake politike e qeverisëse  prej tyre, ndodhur përballë diskreditimit të tyre si pushtetarë, ata justifikohen e mbrohen me pseudoargumenta të pambrojtshëm, përmes ‘gazetarucëve’ mercenarë, pseudoanalistëve të studiove të infektuara televizive, ‘analizues universal’ të të gjitha dukurive e të të gjitha problematikave, por edhe prej psikologëve të sëmurë psiqik me paraqitje psikopatike, duke ua hequr fajet e krimet këtyre shkaktarëve real e, duke i hedhur ato mbi Socializmin, i cili ka tri dekada largësi kohore dhe po aq largësi ndryshimësie përmbajtësore me këta vampirë e palopolitikat e tyre.

Marrëveshjet e fshehta dhe të hapura midis ngjyrave politike të dala boje, në tërë këto vite pseudodemokratike i kanë sjellur këtij vendi e këtij populli aq shumë mënxyra, fatkeqësi, trauma me efekte të gjithanshme, theqafje, rrëzime e përdhosje vlerash, mohime historike e periudhash historike vlerëmëdha e të njohura edhe nga bota kundërshtare e kohës së Shqipërisë Socialiste, sa nuk mjaftojnë vëllime të tëra shkrimesh për t’i paraqitur e trajtuar ato dhe efektet e tyre në jetën e gjithanshme të shqiptarëve.

I dimë fort mirë se cilët kanë dominuar skenat politike me politikat e tyre antikombëtare këto tri dekadat e fundit, në vendin tonë. Një “Nuremberg” i posaçëm, duhej të kishte ngritur me kohë kjo “bota demokratike” e sotme, për t’i gjykuar vampirët politik e kriminelë të kësaj kohe në Shqipëri e, për t’iu dhënë denimet e merituara. Pse nuk ka asnjë nga kokat e njohura politiko-kriminale prapa hekurave, apo në bangën e drejtësisë? Kjo, sepse ata sot e, në tërë këto vite, kanë qënë vetë shteti, vetë pushteti, vetë drejtësia, vetë krimi, vetë ligji e, vetë ‘Maliqi’.Edhe bota ‘aleate’ mirë i ka parë e i ka njohur, por edhe ajo e ka pjesën e saj të përgjegjësisë kriminale ndaj popullit e vendit tonë, në tërë këto vite të mbrapshta.

Këta vampirë poitik të dendur nga pushteti që u ka dhënë populli sa herë e kanë kerkuar, as që e kanë çuar ndonjëherë nëpër mend fatin e popullit e të atdheut, por vetem atë të vetin e të pasardhësve të gjakut të tyre e të tarafeve kriminale rreth tyre. E habitshme është se ende ky popull po u shkon pas, bash siç shkojnë delet pas ujkut, ose po hidhen me vetëdije në gremina theqafëse, ashtu siç hidhen delet në gremina, sapo hidhet e para e tyre.

A i degjoni se si vajtojnë nga pozitat e ‘opozitarizmit’ fallso PD-istët dhe LSI-stët, për mjerimin që ka mbërthyer jetën e shqiptarëve në Shqipërinë e sotme. Vertet kjo Shqipëria e këtyre viteve është bërë për ta qarë e vajtuar, por jo nga ata që ia kanë shkaktuar këto plagë, trauma mënxyra. Kush e solli këtë mjerim, keto fatkeqësi, këtë katastrofe ekonomike, politike e morale në vend? A thua se edhe këtë ua ka sjellur ‘komunizmi’ që nuk dinë ta dallojnë me ‘Socializmin’, si të shk(a)olluar që janë?

Përse sot shqiptarët jetojnë në zona të veçanta me vite të tëra, pa dritën elektrike, pa ujin e pijshëm, pa rrugën automobilistike, pa shkolla reale e funksionale, pa sherbim shëndetësor, pa dhënie drejtësie në kushtet e shkatërrimit të qellimshëm të saj nga vet shteti?

Ku ishin opozitarët e sotëm LSI-sta, për plot 13 vjet, që nga viti 2005 e deri në vitin 2017, nw pushtet? A nuk ishin ata pjesë e të gjitha qeverisjeve ‘djathtiste’ e ‘majtiste’? Kujt, këta antikombëtar të pushtetshëm të të tria forcave dominuese të pushteteve të këtyre tri dekadave, i tregojnë përralla ‘me mbret’ e, bëjnë sikur iu digjet zemra e shpirti për këtë popull e, për këtë vend, që vetë e vranë, që vetë e përçanë, që vetë e helmuan politikisht, që vetë e hodhën rrugëve si të papunë; që vetë e kthyen në pre të krimit e të veprimeve kriminale?!

A thua, përse, sa herë afrohen fushatat elektorale, krokodilët e politikës sunduese, dalin nga pellgu i ndotjes politike, në brigje dhe qajnë e lëshojnë lotë mashtrimi, sikur po qajnë për të, por faktet kanë treguar se sa herë ky popull u ka besuar atyre ‘lotëve’ fallso, është mbytyr në ato lotë, është zhytur në llumnajën e pëllgut të ndotjes politike në vend. Për çfarë e marrin popullin këta çakenj të zgjebosur politikofag, që boll ndotën, boll grabitën, boll shqyen, boll dogjën dhe e shkrumbuan shpirtin e shqiptarëve, por dhe këtë vend, vatër të tyre!

Edhe durimi e ka një masë, e ka një cak! Këtë duhet ta dinë mirë ata që babëzia dhe pushteti i pakufizuar e pndeshkueshmëria ua ka vrarë arsyen e error sytë e mendjes. Duhet ta dinë fort mirë se po zien vullkani popull e, gati po shpërthen ai. Dijeni, o zuzarë se nga ai shpërthim, fati i juaj e statusit tuaj prej dinozaurësh politik do të jetë më se i trishtueshëm e fatal për ju e, fatbardhë për popullin e çliruar prej jush. Populli ynë i urtë ka një shprehje të bukur, të cilën kjo klasë e ndyrë politike duhet ta njohë, të lexoje e, të kuptojë fort mirë: “ Çdo gjë këputet nga hollimi, ndërsa zollumi këputet nga trashja e tij”!

 

Tiranë, me 14.05.2020.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …