Isa Muharrem Morina (13.3.1958 - 14.12.1998)

Isa Muharrem Morina (13.3.1958 – 14.12.1998)

Të mbijetuarve të Betejës në “Lugun e Zi” të Pashtrikut, më 14 dhjetor 1998, ajo ditë e atij dhjetori do t’u kujtohet si ditë kur Mujë Krasniqi – Kapuçi, i prin kolonës për ta thyer kufirin shqiptaro – shqiptar me luftë, me këngë e me betimin për Kosovën:

“Toka jonë e djegur po lahet me gjak
Ty ta falim jetën e na duket pak!”

Pasardhësve dhe atyre që morën pjesë në “Kolonën e Përjetësisë”, që shtrihej prej Krushës së Madhe të Anadrinit deri në Palacin e Drenicës së Adem Jasharit, ajo ditë do t’u kujtohet si ngjarje kur Mujë Krasniqi me të vëllanë Aliun, nuk arriti Bregun e Drinit sepse në atë ditë çdo gjë ishte kundër dëshirës së prijëtarëve të kolonës së ngarkuar me zjarrin e lirisë; borë e madhe mbi Has e mbi Pashtrik, madje bora e përzierë me shi e kokërriza, mjegulla e madhe përreth dy qafave, të Mullarit e të Kunorës, dhjetori i egër e hijenat serbe; “klosharë” të mbledhur prej Karpateve e deri në brigjet e Ibrit e të Kollashinit, ose si ditë kur në “Lugun e Zi” dukej “gjak në borë e gjak në dhe, gjak në qiell e gjak në re”.
Edhe foshnjave të porsalindura e që morën pjesë në “Përcjelljen e Promethejve të Pashtrikut”, Dhjetori i 1998 – tës u ka mbetur i paluar në gjirin e kujtimeve të dëgjuara për çarjen e “Shtërgut të Përjetësisë” nëpër fshatrat: Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël, Reti, Samadraxhë, Pagarushë, Marali, Magjarë, Dragabil, Burim, Drenaj, Llazicë, Balincë për ta thyer aksin Prishtinë – Pejë te “Ura e Pishave”. Në atë kolonë shtegtonte bashkëshortja e luftëtarit Isa Muharrem Morina, e fshatit Franjakë, motër e tre dragojve të Anadrinit; Mensurit e Tafilit sot dëshmorë të kombit e Osman Zyberajt, invalid i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ecte zonja Ryvije Morina me treneq përdore; Gëzimin, Gazmendin e Nerxhivanin e me Blerandën kërthi dhe të gjithë sot rrëfejnë për rrugëtimet e të et Isa e të dajallarëve, Mensur, Tafil e Osman të vrarë e të plagosur, e dajën Bedri të burgosur, rrëfejnë për xhaxhallarët Elmiun e axhës Binak, të mbetur në “Lugun e Bardhatinit”, për axhën Sabri të mbetur në “Lugun e Gërçinës” e për të anë Isa, që gjendej “në krye të kolonës për çlirimin e Kosovës”.
Dëshmori i kombit Isa Muharrem Morina, është i lindur më 13 mars 1958 në fshatin Franjakë të Anadrinit, fshat me shtatëdhjetë familje që sot zhvillohen nën hijen e krenarisë kombëtare për tre dëshmorë; Elmiun, Sabriun e Isanë, lapidarët e të cilëve shkëlqejnë në “Lugun e Bardhatinit”, prej nga më 12 maj 1998 fillojnë “Betejat e Anadrinit”. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Drenaj, ndërsa të mesmen në Pejë. Ëndërronte për t’u bërë ekonomist, por më vonë vendosi të mos i vazhdojë studimet por t’i gjendet pranë të et Muharremit dhe ta japë kontributin e tij në zhvillimin e ekonnomisë familjare, veçanërisht me punë në vreshtari. Punonte si transporter, profesion ky i cili ia mundësoi që ta kalojë shumë herë tërë Kosovën, kryq e tërthor, prandaj që në hapat e parë të veprimtarisë ilegale të Anadrinit, Isa Morina gjendet në bashkëveprim me grupin e Drenajt e më vonë edhe në çelulat në Drinas, në Krushë të Madhe, Hoçë të Vogël e Fortesë, veçanërisht me Muhamet Malësorin, profesor Metin dhe mikun Mensur Zyberaj, sot të dytë dëshmorë të Kombit.
Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isa Morina gjendet pranë Bedrush e Feim Gashit, Sakip Bellaqës e Përparim Thaçit, Milaim Krasniqit e Elmi Morinës, së bashku me Mensur Zyberajn e Sabri Morinën, prandaj ballafaqimi me forcat serbe më 26 prill 1998 në aksin rrugor Prizren – Gjakovë, te “Përroni i Keq”, Isanë me kamionetën e tij e gjeti shumë të përgatitur.
Menjëherë pas themelimit të “Fshatit – Kazermë” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenaj të Nënzatriqit, Isa Morina gjendet në formacion përkrah Zyberajve dhe Gashëve të Drenajt, vendoset në Istikame kah “Kroni i Demirit” dhe “Lugu i Demirit” ose udhës në drejtimet: Franjakë – Bardhatin e Drinas, nëpër Krisne dhe më 12 maj 1998 është në luftimet e përgjakshme në “Lugjet e Bardhatinit” duke zhvilluar përpjekjet maksimale për tërheqjen e dëshmorëve Milaim Krasniqi e Elmi Morina dhe për shpëtimin e Osman Zyberajt të plagosur rëndë.
Rënia e bashkëluftëtarit Milaim Krasniqi dhe e kushëririt Elmi Binak Morina, e forcuan edhe më shumë Isanë për ta organizuar dhe sistematizuar logjistikën e fshatit Franjakë dhe më 14 maj u përballojnë granatimeve mbi Drinas dhe luftimeve në “Qafën e Gardhishtit” dhe forcave serbe definitivisht u përdhosen shpresat se mund t’i qasen Drenajt nga pjesa jugore: Gegjë, Malësi e Vogël, Drinas e Bardhatin, prandaj edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës zë të shtrihet me një dinamikë më të përshpejtuar e Isa Morina është edhe më i gatshëm, edhe më i fortë, e edhe më i vendosur për t’u përballur me forcat policore, ushtarake e paramilitare që pretendonin se nëpërmjet shqipfolësve do ta përçanin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit, të lidhur me “Zonën e Lirë” të Malishevës e me Rrafshin e Dukagjnit.
Pas dobësimit dhe pas zbehjes në logjistikën e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Isa Morina me një grup bashkëluftëtarësh të cilëve u printe Mensur Zyberaj, niset për në Shqipëri. Për destinacion e kishte Vlahnën dhe Cahanin; do të riarmatosej dhe do të kthehej sërish nëpër frontet luftarake të Anadrinit. Pas takimeve me Xheladin Gashin – Plakun dhe Haki Hajdarin – Drenicën, Isa Morina me bashkëluftëtarët anadrinas, Ilir Popaj të Fortesës, Xhevdet Mekanin të Drenajt, Mensur Zyberajn e Nuri Behxhetin, i bashkohet grupit të madh të Mujë Krasniqit dhe niset për t’u kthyer në Kosovë.
Luftëtarët e Lirisë, atë ditë ishin shend e verë dhe nisja edhe pse në ditët e dhjetorit me borë e acar i ngjante një dasme të madhe. Sa më të gëzuar që dukeshin trimat e lirisë, aq më i mërrolur dukej Pashtriku Plak, i mbuluar me borë e përshkuar me hordhitë çetnike që prisnin si lugetër duke kurthuar prita të formave të ndryshme.
Isa Muharrem Morina sypatrembur çante borën për ta çelur shtegun duke u prirë shokëve e duke dëgjuar këngë të Mujës e të Beqës e duke luftuar me fërfëllazën e pamëshirshme që përplaste ortiqet e borës mbi kolonën marshuese. Rruga me shtigjet e shumta, të njohura për luftëtarët e lirisë, tashmë ishte mbuluar dhe nuk hetohej më as “Qafa e Kunorës” e as “Qafa e Mullarit”, nuk hetoheshin më as “Lugu i Zi” e as shtigjet kah “Drini i Bardhë” e nga Maja e Pashtrikut nuk shiheshin as Anadrini e as Dukagjini dhe kështu filloi “Beteja në Lugun e Zi”.
Forcat serbe gjendeshin të pozicionuara nëpër tërthore ku i kishin kurthuar pritat, e luftëtarëve të lirisë u mbeti që t’i shpërthejnë me luftë dhe vetëm me luftë. Isa Morina qëndroi me forcën e luanit duke luftuar sa me borën aq edhe me thepat në të cilat papritmas përplasej e me gryka humnerash me të cilat Pashtriku ishte plot e që nuk dukeshin nga fërfëllaza dhe acari. Dhe pas kësaj beteje të tmerrshme e të përgjakshme së bashku me tridhjetenëntë dëshmorë të tjerë, merr përjetësinë edhe Isa Muharrem Morina, jo larg vendit ku i patën mbetur Jahë Hoti e Shkëlzen Krasniqi, jo larg vendit ku i kishte mbetur kushëriri Sabri Morina. Për rënien e Isasë nuk dihej deri në fshatin Krushë e Madhe, kur prej morgut të Spitalit të Prizrenit arrinin trupat e pajetë të dëshmorëve të “Eshalonit të Mujë Krasniqit”, rënë më 14 dhjetor 1998 te “L’keni i Ahishtës”.
Dhe atë ditë dhjetori, në Palac të Adem Jasharit familjarët e Bekim Bytyçit të Dejës së Anadrinit e lënë në Përjetësi trupin e Bekimit, e zonja Ryvie me treneqë përdore, e të katërtin në prehër, është dashur të ndahet për ta lënë Isanë me Mujën, Aliun, Beqën, Hazirin, Agimin, Rifatin, Agronin, Arbenin, Avniun, Bashkimin, Enverin, Isanë, Qamilin, Fadilin, Fatonin, Gani Zogajn e Gani Elshanin, Sylejmanin, Ramadanin, Hafirin, Hakiun, Hysenin,
Hysniun, Ilirin, Kadri Gashin e Kadri Ademajn, Maliqin, Mentorin, Mevlanin, Mehmetin, Qenën, Naserin, Selimin, Xheladinin, Xhevatin e Luljetën, e të zbresë ngadalazi në Drenaj për ta kërkuar të vëllanë Mensurin, bashkëvendasit Xhevdetin e Ilirin e për të biseduar për amanetin e Isa Morinës, për luftën e Isasë dhe për katrahurat e thyerjes së Pashtrikut në ditën e 14 dhjetorit të atij viti. Dhe të gjitha nënat, të gjitha motrat, të gjitha bashkëshortet me bonjakë përdore e në bark, të gjitha të fejuarat me paja të ndrydhura nëpër arka e të gjitha dashnoret me ëndrra të ndrydhura si kunora e Luljetë Shalës, braktisën Palacin për t’u kthyer në vatrat burrërore nëpër Gllarevë, Mleqan, Morinë, Shtubullovë, Godanc, Staraçak, Zllakuqan, Krojmir, Petrovë, Baicë, Rigjevë, Krojkovë, Gllabar, Shtime, Vërbofc, Burim, Vojnofc, Makërmal, Balincë, Bushat, Zhur, Gradicë, Karaçicë, Romajë, Carralevë, Llapushnik e Drenas, e për t’u treguar të gjithëve se çka ngjau më 14 dhjetor të atij viti në Pashtrik, afër “Lugut të Zi”, buzë “L’kenit të Ahishtës” e “Hurdhave të Bajram Malokut” e me ëndrra për një të ardhme kur këtu do të jenë “Qafa e Lirisë”, “Lugut i Mujë Kapuçit”, “L’keni i Gjakut”, “Qafa e Luan Haradinajt”, “Guri i Haxhi Hotit” e “Logu i Krushjanëve”, sepse aty ranë Ata për të cilët sot Pashtriku është plot me lapidarë që këndojnë “Epopenë e Pashtrikut” e “Rapsodinë e Koshares”.
Edhe në “Lugun e Bardhatinit” shkëlqen një lapidar që ruan legjendën për Morinët e Franjakës; për Elmiun, për Sabriun e për Isanë, për fshatin e tre dëshmorëve, për Anadrinin e shkrumbuar mbi dyzetë herë, për Kosovën që po lahet me gjak e po ndahet me mila e jardë tash e një shekull e për trojet etnike që kanë një gjuhë e duan një falmur, atë flamur të kuq, atë flamur të zi që bashkon “Islamin dhe krishtërimin”, thoshte Noli i Madh. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …