Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Kosova dhe çështja shqiptare sot

Tanimë dihet fakti se  jo një herë por shumë herë ndodhi dhe po ndodh që Serbia të përfitojë dhe të përkëdhelet, aq sa për njeriun e ndershëm lajmet dhe përmbajtjet e marrëveshjeve, në mes të përfaqësueseve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, janë të neveritshme, të pakapërcyeshme, të palogjikshme dhe të përmbledhura në një lëmsh urrejtjeje të madhe.

Serbia, ushtria, policia, paramilitarët e saj, mercenarët, çetnikët serbë e cilët vranë prenë, dogjën, masakruan, dhunuan e s`lanë gjë antinjerëzore pa bërë përmbi e kundër shqiptarëve, derisa edhe fëmijë në barkun e nënave vrisnin, burrave trupat ua copëtonin, gratë e vajzat i dhunonin, i digjnin me cigare e i vrisnin, vrisnin pleq, madje njerëzve ua nxirrnin edhe sytë dhe përsëri Serbinë e përkëdhel Evropa, e përkrah e ndihmon dhe patjetër do ta fusë në gjirin e saj.  Po a ka laps e letër që njeriu ynë të shkruajë për të gjitha këto ngjarje e përjetime të llahtarshme?!!!

 Pas të gjithë kësaj, njeriu ynë normal a do të mund të ulej me serbët çetnikë të bënte marrëveshje dhe ç`marrëveshje se, në dëm të atdheut e popullit shqiptar?!

E kaluara as nuk mund të fshihet as nuk mund ta kthejmë mbrapa dhe ajo është lakuriq ashtu siç dihet tanimë. Kushdo nga ana shqiptare, në përbërje politike e institucionale, që kanë shkuar në Bruksel apo në vende të tjera dhe sadopak i kanë cenuar qoftë territoret shqiptare, pra Kosovën dhe çështjen shqiptare, duhet të kuptojnë se historia nuk do t`i falë dhe do t`i ngarkojë me faje të mëdha. Të ulen delegacionet shqiptare me delegacionet serbe, pra të atyre serbëve, që shkojnë qoftë edhe shpirtërisht në hullinë e çetnikëve serbë të Millosheviçit, të cilët Kosovën dhe disa vise të tjera shqiptare i konsiderojnë Serbi, duke nënshkruar dokumentacione në favor të Serbisë, është jo vetëm e dënueshme, por që lë pasoja të pariparueshme për gjeneratat e ardhme. Për më tepër pikërisht pala shqiptare në Bruksel apo kudo, ku iu është kërkuar atyre nga ana e ndërkombëtarëve,  ka nënshkruar dokumentacione në dëm e territoreve tona, duke i kënaqur lakmitë pikërisht serbëve e malazezëve, e maqedonasve.

Serbia në vend se të ndëshkohej në radhë të parë nga bashkimi i shteteve evropiane, injorohet  e ndëshkohet Kosova e mjerë, nëpërkëmbët dhe i bëhet një shtypje, të pranojë atë që thotë BE, atë që thotë Rusia, atë që thotë Serbia. Një pjesë e madhe e Bashkimit Evropian, që e ka gojën plot demokraci dëshiron ta shuajë zërin e lirisë, zërin kryengritës të shqiptarëve,  idealeve më të shenjta për liri pavarësi  të njëmendtë dhe bashkimin e popullit shqiptar dhe trojeve të tij.

E ç`drejtësi e demokraci mund të pres njeriu nga BE, në të cilën janë bashkuar shtete si Franca e Sllovakia, Bullgaria e Gjermania, Polonia e Anglia etj, që nuk kanë as gjuhët e as kulturën e as territoret e  përbashkëta, as historinë dhe as gjendjen e ekonomike të njëjtë, ndërsa shqiptarët duke pasur një gjuhë të njëjtë, një histori të përbashkët, formim, psikologji e territore të përbashkëta, një zanafillë të njëjtë,  gjak stërgjyshërish të njëjtë dhe një vazhdimësi e lidhshmëri të natyrshme etnike kudo në trojet  shqiptare, madje edhe në diasporë, pengohen, nuk lejohen të bashkohen, për më tepër i shtypin  të gjorët shqiptarë dhe përpiqen përfundimisht t`i bëjnë  të nënshtruar nga ,,këshillëdhënësit“ evropianë e ndërkombëtarë të tjerë dhe nga pushtuesit serbë, malazezë, maqedonas e grekë.

Së pari  gjyshërit dhe stërgjyshërit e këtyre politikanëve e diplomatëve dhe parlamentarëve evropianë, Shqipërinë e kanë ndarë e bërë pjesë – pjesë, duke i kënaqur lakmitë e fqinjëve të  shqiptarëve, duke u dhënë një pjesë të madhe të viseve tona shteteve fqinjë. Prandaj Evropa ka ngelur e do të ngelet në të njëjtat pozita, si dikur edhe tani, përderisa shqiptarëve jua mohojnë të drejtat e natyrshme për bërjen e Shqipërisë në kufijtë e saj të vërtetë.

Pjesa më madhe e shteteve evropiane as ka dashur as nuk do ta dëgjojë zërin e ndërgjegjes shqiptare, zërin e bijave dhe bijve më të mirë të popullit shqiptar. Por kjo s`do të thotë aspak se ne duhet të dëshpërohemi dhe kjo s`duhet as të na pengojë për të këmbëngulur në të drejtat tona për një liri të njëmendët dhe bashkimin e Shqipërisë.

Është jo vetëm normale por edhe suksesshme këmbëngulja për të jetësuar idealet shqiptare, sepse edhe pse kjo për Evropën dhe për një pjesë të madhe të faktorit ndërkombëtar është e padëshirueshme, dinjitetin dhe veprimtarinë atdhetare të njeriut e të popujve dhe këmbënguljen për jetësimin e së drejtës, janë të detyruar ta mbështesin dhe ta pranojnë, sepse dinjiteti dhe këmbëngulja e sakrifica paraqesin forcë, imponim dhe realitet faktik e jo kompromis dhe kështu për rrjedhojë triumfi është i pashmangshëm.

Është shumë e vërtetë se faktori ndërkombëtar na ka ndihmuar, por është më se e vërtetë se politikanët, diplomatët ekonomistët dhe njerëz të tjerë të profileve të shumta, nga radhët e ndërkombëtarëve, e kanë parë, në radhë të parë, interesin e tyre, prandaj ata rrinë të gatshëm për të realizuar këto interesa, qofshin politike, diplomatike, shoqërore dhe ekonomike, siç edhe i kanë realizuar, prandaj ndihma e tyre është përplot interesa. Tani kur dihen këto, perse shqiptarët të mos i shtrojnë për zgjidhje të drejtat e tyre si popull e si komb?

Gjermania kur u bashkua, shqiptarët atdhedashës me të drejtë u gëzuan edhe për faktin se  jetësua e drejta e popullit gjerman për bashkim edhe për fatin se shqiptarët shikonin dritën në errësirën e botës që na rrethon, pra shikonin mundësinë e ribashkimit të viseve shqiptare. Kuptohet se në rrethanat e atilla edhe përkrahja e disa shteteve evropiane nuk ju ka munguar, por veçanërisht përkrahja Amerikës ka qenë shumë e madhe.  Duke pasur parasysh këta faktorë s`ka se si të mos ndodhte bashkimi i Gjermanisë, e cila ka rrezatuar gjithnjë e më shumë përparim e zhvillim të suksesshëm.

 Shqiptarët, ndërsa nuk i kanë, as  nuk i kanë pasur kurrë rrethanat e përshtatshme si gjermanët, kanë shumëçka për të mësuar nga përvoja e tyre

Tani kur shohim një katandisje të mjerë, kur dëgjojmë e lexojmë shumë për Kosovën, e viset të tjera shqiptare, për rrjedhën dhe zhvillimin e ngjarjeve, nuk mund të mos e theksojmë faktin se pjesa më e madhe nga radhët e    ndërkombëtarëve janë duke e hedhur vallen sipas melodisë së tyre, duke marrë  vendime krejtësisht të njëanshme, duke mos na përfillur fare ne si shqiptarë, kudo ku jetojmë në trojet stërgjyshore. Përveç imponimeve që na i bëjnë për çdo ditë, ata kanë parë në mesin e shqiptarëve shumë veta, që duan dhe bëjnë përpjekje, që me çdo kusht të bëhen të parët e vendit,  kryeministra, presidentë, kryetarë komunash e të bashkive, kryetarë partish politike dhe ministra e parlamentarë, zyrtarë e udhëheqës të ndryshëm punësh e sektorësh të ndryshëm në institucione të shteteve ku janë duke jetuar. Ironia qëndron në faktin se një pjesë e madhe prej tyre janë aq të paditur e lakmitarë, sa nuk shohin më larg se vetja e tyre. Janë aq të përkulshëm e të nënshtruar para të huajve dhe padronëve të tyre, sa nuk kanë as dinjitetet e as kurriz njerëzor, prandaj janë në gjendje të bëjnë çdo gjë vetëm e vetëm t`ju shkojë puna e tyre vaj e mrekulli.  Prandaj bëjnë kompromise, prandaj nëpërkëmben, bëjnë amin dhe fusin kokën si struci para ndërkombëtarëve dhe krekosen para popullit të tyre. Kjo është e trishtueshme dhe aq dhembshme sa na ka kushtuar shtrenjtë e po na kushton në shumë pikëpamje e në shumë plane e në shumë drejtime, në ardhmërinë e popullit shqiptar e trojeve të tij të natyrshme. Pra me një fjalë segmente të caktuara ndërkombëtare e veçanërisht disa segmente evropiane e kanë gjetur shtegun hapur, ‘’kanë gjetur shesh e bëjnë përshesh’’, – thotë një fjalë popullore. Pra siç mund të shihet faji as nuk ka qenë jetim dhe as nuk është i tillë, prandaj ndërthurja e përgjegjësive është sa e shumë politikanëve e zyrtarëve ndërkombëtarë po aq edhe e shumë politikanëve dhe zyrtarëve vendës, pra shqiptarë.

T`i marrim në shqyrtim  faktet kokëforta dhe të pashmangshme

Pas një kohe, kur doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës  filluan ta quanin terroriste disa zëra ndërkombëtarë madje  edhe disa zëra politikanësh shqiptarë, por nuk kaluan shumë kohë dhe pikërisht të parët nga radhët e ndërkombëtarëve janë amerikanët, që  i filluan bisedimet me pjesëtarët e saj   dhe tanimë atë nuk e  quanin terroriste por çlirimtare. Dhe kjo ndodhi kështu, sepse ata panë, së pari, vendosmërinë dhe këmbënguljen shqiptare në radhët U Ç K-së  për t`u çliruar nga Serbia.

Kur forcat e NOTO-s po planifikonin të futeshin nga ajri në Kosovë, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që po luftonte ballë për ballë me forcat barbare serbe, ndërsa ushtarët e Natos, nuk futeshin dot në Kosovë si forca këmbësorie, meqë nuk kishin motiv,  nuk donin aspak qoftë edhe një ushtarë ta fusnin nga toka, sepse është e kuptueshme, nuk e fal kush gjakun kollaj për të tjerët, për të huajt, ndërsa shqiptarët luftonin dhe vriteshin, pra ishin forca tokësore që përballeshin drejtpërsëdrejti me ushtrinë barbare serbe. Meqë NATO sulmoi nga ajri ushtrinë barbare serbe, U Ç K kishte luftuar e po luftonte me një heroizëm të madh kundër pushtuesve serbë. Pra mund ta themi pa ngurrim se NATO- ja u mbështet plotësisht edhe tek U Ç K-ja prandaj në njëfarë mënyre ishin aleate këto ushtri. Ja edhe argumenti i fuqishëm pse nuk do të duhej të shuhej U Ç K –ja, që në realitet, do të duhej të kthej në një ushtri të rregullt. Është e kuptueshme se një pjesë e U Ç K – së e ushtarëve të rinj të moshës nga 18 vjeçar e deri në 25 vjeç do të mund të kryenin shkolla e universitete, duke ua hequr të gjitha shpenzimet e shkollimit dhe ushqimit e veshmbathjes, e duke i nxitur dhe përkrahur, në kuptimin se vetëm duke mësuar dhe studiuar t`i kryenin studimet dhe pa mëdyshje ata do të bëheshin edhe juristë e  diplomatë të mirë edhe ekonomistë e zyrtarë të mirë edhe shkencëtarë të e mësues të mirë edhe ministra e parlamentarë të mirë. Me këta dhe me qëllime plotësisht atdhetare të politikanëve shqiptarë, do të bëhej Kosova, do të bëhej shqiptaria kudo dhe do të bëhej edhe Shqipëria e bashkuar.  Tani një pjesë e këtyre trimave e luftëtarëve janë gjendje të mjeruar ekonomike. Presin të marrin një pagë minimale, që nuk ju mjafton as për bukë, disa të tjerë janë në administratën institucionale e shtetërore, por shumë pak dhe jo ashtu siç do të duhej të ishin në pozitat që ju takon. Vendin  e tyre e kanë zënë ata që nuk meritojnë fare, shumë bij  e bija shqipfolësish titistë  e bashkëpunëtorë të serbëve e jugosllavëve. Ja sa e dhembshme është kjo pjesë e pasluftës në Kosovë. Kjo është jo vetëm një gjendje trishtimi, por edhe argument që mendjet e shëndosha njerëzore e atdhetare nuk mund kapërdijnë dot.

Ka shumë e shumë lëshime dhe të dhëna të tjera, të cilat dihen dhe mund të jenë bazë për të argumentuar, se si kanë shkuar punët, por mbase është mirë të përqendrohemi tek disa p.sh. flamuri i Kosovës, kushtetuta e Kosovës për të ardhur deri tek Gjykata Speciale e  Bashkësia e komunave serbe në Kosovë e deri tek  argumenti tjetër për rrudhjen e tokave shqiptare në favor të Malit të Zi.

Të gjitha këto janë të mjaftueshme për të nxjerrë një përfundim se segmente të caktuara ndërkombëtare qofshin në Kosovë qofshin jashtë saj,  por edhe një pjesë e konsiderueshme e politikës shqiptare përbëjnë tërësinë e përgjegjshmërisë për gjendjen e mjerë në Kosovë dhe në trojet të tjera shqiptare.

Megjithëkëtë, mund të thuhet pa hamendur, se sikur politika dhe diplomacia ndërkombëtare të ndeshej me politikën këmbëngulëse dhe atdhetare, me vullnetin e gatishmërinë shqiptare për të fituar të drejtat, që janë të pamohueshme, për një liri të njëmendtë, për një zhvillim e përparim ekonomik e shoqëror, për jetësimin e të drejtës për bashkimin e Shqipërisë, si tërësi e natyrshme e etnike, kurrë nuk do të ndodhte kjo lojë ndërkombëtare me Kosovën e trojet të tjera shqiptare nën Maqedoninë, nën Serbinë e Malin e Zi, por do të zgjidhej çështja shqiptare dhe do t`i fitonim të drejtat tona të nëpërkëmbura në shekuj.

Kur një gazetare nga Tirana i bëri një pyetje profesorit, gjuhëtarit e historianit të letërsisë, arbëreshit të nderuar Matteo Mandala,  se si kishin arritur arbëreshët të ruanin gjuhën, traditat dhe qenësinë arbëreshe, ai u përgjigj thjesht dhe qartë, se arbëreshët kishin vullnetin e madh, kokëfortësinë dhe këmbënguljen për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe etninë arbërore, kishin dashurinë për mëmëdheun e të parëve, që të gjitha këto i bënë ata  për më shumë se pesëqind vite e deri më sot të jenë arbëresh.

Ka shumë për të mësuar e marrë si shembull edhe nga arbëreshët, por edhe nga gjermanët e popujt liridashës e mbi të gjitha është e domosdoshme për të mos u ndalur asnjëherë në rrugën e jetësimit të bashkimit të popullit shqiptar dhe atdheut tonë të përbashkët Shqipërisë së natyrshme e etnike.

Kur thuhet, se ka shumëçka për të mësuar nga gjermanët, duhet të themi faktin se gjermanët janë këmbëngulës, të e suksesshëm edhe për faktin e thjeshtë, se në përgjithësi ata janë jo vetëm punëtorë e veprimtarë të përpiktë, por edhe zbatues të planeve të  tyre deri në fund, deri në realizimin e plotë të aspiratave kombëtare, megjithëkëtë ata shprehin edhe një patundshmëri serioziteti në kuptimin e forcimit ekonomik, duke u bërë shembulli më i mirë në botë i një ekonomie dhe përparimi, në sajë të punës dhe veprimtarisë së gjithanshme.

Dikush do të mund të thoshte, se nuk bëhen krahasime të tilla, ku gjermanët e ku ne?! Por, mos ta harrojmë faktin, se gjermanët jo vetëm e deshën dhe e duan atdheun e tyre më shumë se çdo gjë, por i ngulën fort këmbët në vendin e tyre dhe me punë të jashtëzakonshme, edhe pse Gjermania ishte gërmadhë pas Luftës së Dytë Botërore, u bë aq e fuqishme ekonomikisht, sa ajo ka lulëzuar gjithnjë më shumë dhe është bërë ndër vendet më të përparuara në Evropë. Pa prodhimet e saj nuk mund të mendohet zhvillimi e përparimi ekonomik evropian, e po kështu pa politikën e saj nuk mund të kuptohet as BE.

I solla këto fakte për të ardhur në përfundimin e shëndoshë, se pa bashkimin e popullit shqiptar, pa bashkimin e Shqipërisë së Natyrshme është e pamundur të mbijetojë Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe trojet të tjera etnike shqiptare, njëkohësisht edhe tani siç jemi të ndarë, por edhe nesër të bashkuar, duhet në radhë ta duam çdo pjesë të atdheut dhe të këmbëngulim, që të punojmë e veprojmë për ta përparuar në çdo pikëpamje, ta forcojmë ekonomikisht, që shqiptarët mos t`i mbajnë sytë nga përendemi, por nga atdheu i tyre dhe kështu deshën apo s`deshën fqinjët, evropianët dhe ndërkombëtarët do të na pranojnë dhe do të na respektojnë.

 Ka shumë mundësi jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet të tjera shqiptare për të bërë jo të pamundurën, por atë që është e domosdoshme, si në pikëpamje industriale, teknike e teknologjike, infrastrukturore, për hapësira ekologjike të shëndetshme, për bujqësinë, blegtorinë, për arsimin e kulturën e përparuar dhe për zhvillim të shpejtë ekonomik, është e domosdoshme të kemi shkolla të mirëfillta, në të cilat të mësuarit dhe të studiuarit e mirëfilltë duhet të jetë fillimi i mbarë dhe mbarimi i suksesshëm, pra nga shkollat tona duhet dalin njerëz me dije meritore, për të cilën kemi shumë nevojë, aq sa kemi nevojë edhe për dritën e diellit. Duke pasur dije të mirëfillta e dashuri për Atdheun, do të arrijmë bashkimin e tij dhe do të dimë ta ngjallim ekonomikisht. Për të mos u shkrirë e tretur si limoni diaspora në përbërjen e popujve, me të cilët jeton në shtete të ndryshme të botës dhe për të qenë trojet shqiptare zë i përbashkët i gjallërisë dhe trashëgimisë arbërore – shqiptare, sidomos në këtë kohë të globalizmit, në të cilën peshku i madh e han të voglin, është e domosdoshme: Shqipëria të bashkohet në kufijtë e saj të natyrshëm dhe të përparojë e të zhvillohet shumë ekonomikisht. Të përpiqemi e të mos ndalemi aspak, që zëri saj të jehojë në shekuj dhe patjetër do të gjallërojë e do të jehojë.

  1. 2. 2016

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …