Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Disa çështje që duhet të hiqen nga rendi i ditës nga Qeveria e re gjithpërfshirëse

Konsideroj se kapacitetet tona intelektuale e profesionale kanë rezultuar me argumente e fakte se bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit në mes Kosovës e Serbisë kanë qenë të dëmshme për vendin tonë. Nuk ka asnjë dyshim, Qeveria e ardhshme e Kosovës me urgjencë duhet të merret me dy çështje politike që janë bërë pengesë për shumë veprime të domosdoshme në të cilat duhet përqendruar. Madje, jo vetëm të merret me to, por edhe t’ju japë zgjidhjen e duhur! Zhvillimi i vendit, qeverisja e mirë e vendit nuk guxon të mbeten peng i dy marrëveshjeve të dëmshme politike, të cilave Kuvendi i Kosovës duhet t’ua japë zgjidhjen e duhur mbi bazën e një konsensusi nacional. Të gjithë duhet ta dimë se shtetin me shumë sakrifica e kemi bërë, por, shtetformimin nuk e kemi përfunduar. Prandaj përgjegjësia politike e partive politike dhe e liderëve të tyre duhet të jenë konform këtij realiteti.

  1. Bisedimet politike të zhvilluara në mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, si në formë dhe në përmbajtje (duke përfshirë edhe largimin e gjithë aktorëve në ato bisedime) janë bërë domosdoshmëri. Bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit, për çështjet e brendshme të Kosovës, për çështjen e komunitetit serb duhen ndalur, pos atyre çështjeve që i trajton gjithanshmërisht Dokumenti i Presidentit Ahtisari, pra për ato gjera që jemi marrë vesh në Bisedimet e Vjenës. Për Marrëveshjen e 19 prillit 2013 Gjykata Kushtetuese ka konstatuar jo më pak se 23 nene të Kushtetutës janë të papajtueshme me Marrëveshjen e përmendur të Brukselit. Ndërkaq Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të funksionalizohet vetëm mbi bazën e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare. Varianti i Asociacionit i arritur në Marrëveshjet e Brukselit është antikushtetues dhe si i tillë ai nuk është i pajtueshëm as më Kartën Evropiane për decentralizimin e pushtetit vendor dhe Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës.
  2. Dihet se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, nga ekspertë të lëmive të ndryshme është dëshmuar se ishte e gabuar. Sipas ekspertëve, Kosova me atë marrëveshje ka humbur mbi 8200 hektarë tokë. Dëshmitë që kanë ofruar ekspertët janë të mjaftueshme që Kuvendi i Kosovës, Ratifikimit të asaj marrëveshje duhet t’i thotë JO dhe tek pastaj të nisin hapat e rinj për të ecur tutje me marrëveshje të re apo arbitrazh. Qeveria e ardhshme nuk duhet të zvarritë këtë çështje politike, e cila pa ndonjë arsye na ka lënë varur dhe është bërë kusht për liberalizimin e vizave.
  3. Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe investimeve të jashtme apo të brendshme, nuk mund të bëhet fjalë pa e konstatuar gjendjen se ku jemi. Kështu që së pari duhet të konstatojmë: sa e si Procesi i Privatizimit në Kosovë (i filluar në kohën e UNMIK-ut) e ndihmoi zhvillimin ekonomik të vendit? Sa ishte i kriminalizuar ky proces? Kush përfitoi e kush humbi? Duhet të shikohen të gjitha kontratat e privatizimit e me theks të veçantë ato që ishim profitabile si: Ferronikeli, Amortizatori, Ballkani i Suharekës, Sharcemi, Distribucioni e shumë e shumë ndërmarrje të tjera shoqërore e publike. Gjithashtu duhet të dihet pse nuk pati investime gjatë këtyre viteve në Kosovë, kush i pengoi ato dhe pse? Pse nuk u investua në ndonjë termocentral të ri kur dihet se thëngjilli fle nën tokën tonë, e të ngjashme. Një çështje tjetër që kërkon zgjidhje adekuate është pasuria nëntokësore.
  4. Gjithashtu është e domosdoshme të konstatohet gjendja në Telekomin e Kosovës. Kush e solli në këtë gjendje dhe pse? Nuk ka asnjë dyshim, telekomi është në krizë! Ndaj, a jemi duke i marrë masat konform gjendjes? Madje kush duhet t’i merr këto masa? Konform gjendjes që është krijuar aty, duhet t’i marrim masat adekuate për t’ia rikthyer publikut pasurinë e tij! Këtu nuk duhet pritur më për t’i marrë masat e duhura për ta shpëtuar atë ndërmarrje publike nga kolapsi ku e ka sjellë krimi i organizuar!
  5. Gjendja aspak më e mirë nuk është as në Arsim e Shëndetësi. Raporti i PISA-sëështë tregues më i mirë i gjendjes së mjerë në këtë segment tepër të rëndësishëm për tëardhmen e vendit. Edhe në këto sisteme publike duhet marrë masat e duhura për ta bërë kthesën e duhur.
  6. Për Sistemin e Drejtësisë e sidomos për Prokurorinë e Shtetit nuk do të shtoj asgjë të re, pasi kjo është krejt jashtë sistemit dhe përgjegjësisë së saj kushtetuese e ligjore. Depolitizimi i saj dhe funksionimi i saj sipas ligjit e Kushtetutës është i domosdoshëm. Ndonëse në gjendje më të mirë nuk është as Gjyqësori.

Jam i bindur se në të gjitha fushat e përmendura gjendja është e tillë, për shkak së  organeve vendimmarrëse të partive të mëdha politike që ishin në qeverisje dhe liderëve  të tyre, të cilave/cilëve ju ka munguar dhe po ju mungon vullneti politik për të qeverisur në të mirë të qytetarëve dhe fatkeqësisht kjo gjendje po vazhdon edhe sot e gjithë ditën. Pa dyshim kjo gjendje është stimuluar shumë edhe nga jashtë. Mungesa e këtij vullneti po vazhdon edhe pas 11 qershorit 2017! Këtu prodhohen lajme ditore që nuk i hyjnë askujt në punë dhe për asgjë!

Siç po shihet, krejt çështja është si t’i shfrytëzojmë kapacitete politike, profesionale e shkencore për të bërë incizimet e sakta të problemeve në sektorët e përmendur, e sidomos aty ku na mungojnë konstatimet e sakta! Ajo që dihet është se mjekësia kurrë nuk e shëron të sëmurin pa e caktuar saktë diagnozën e tij! Ne duhet t’i dimë saktë ku i kemi problemet, për të krijuar mekanizmat e duhur dhe gjetur njerëzit e duhur për zgjidhjen adekuate të problemeve.

Kriza paszgjedhore e shfaqur në jetën tonë politike, e cila është mjaft kontroverze, sikur e qet në plan të parë krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse për t’i dhënë kobit e vendit një orientim të ri. Natyrisht, nuk ka orientim të ri pa e arritur një konsensus për njeriun dhe çështjet që duhet të zgjidhen në mandatin gjithëpërfshirës të qeverisjes. Ndaj kjo qeveri gjithëpërfshirëse do të duhej të shërbente edhe për shtensionimin e kundërthënieve politike, të cilat kanë arritur në një shkallë të lartë mosdurueshmërie politike. Politika shqiptare, së këndejmi edhe ajo qytetare e ka të domosdoshme identifikimin e çështjeve që janë të përbashkëta, pa ia mohuar askujt të drejtën për t’i ruajtur të veçantat e tyre politike.

Politika jonë, kështu si ishte e si është katandisur, zor se i ka kapacitetet e nevojshme politike, intelektuale, kombëtare e profesionale për të ardhur në përfundimet e duhura se nga duhet ecur në politikë, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në drejtësi e në shtetndërtim!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …