Kosovë–Shqipëri forcojnë bashkëpunimin policor, nënshkruhet marrëveshja për patrullime të përbashkëta në sezonin turistik

Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e patrullimeve të përbashkëta të policisë rrugore gjatë sezonit turistik 2026, me qëllim rritjen e sigurisë dhe menaxhimin më efikas të qarkullimit në periudhat me fluks të lartë udhëtarësh. Delegacioni i Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm kolonel Gazmend Hoxha, u prit në Tiranë nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm Skënder Hita. Marrëveshja synon përmirësimin e parametrave të sigurisë rrugore dhe koordinimin e veprimeve policore në zonat me qarkullim të shtuar gjatë verës, veçanërisht në akset që lidhin dy vendet. Gjatë vizitës zyrtare, delegacioni kosovar zhvilloi takime edhe në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shqipërisë, ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave profesionale. Në një ligjëratë para studentëve të akademisë, drejtori Hoxha prezantoi punën dhe prioritetet strategjike të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe menaxhimin e situatave të sigurisë dhe rastin e sulmit në Banjskë si shembull i reagimit institucional. Të dy institucionet e sigurisë u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët policor, duke e cilësuar marrëveshjen si hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë rajonale.

Kontrolloni gjithashtu

Rritet ndjeshëm numri i institucioneve dhe agjencive të pavarura që po përballen me mungesë të anëtarëve

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj ka shfaqur shqetësimin e tij për …