Brickos

Vjosa Osmani

Kryetarja Vjosa Osmani mbajti fjalimin vjetor përçarës e cinik para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pa prani të opozitës

Kryetarja, Vjosa Osmani, mbajti fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve nuk u bërë fare përshtypje. Fjalimi është bojkotuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe. Me të hyrë ajo në sallën e Kuvendit, deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të Vjosa Osmanit si dhe ministrat që ishin të pranishëm ishin ngrehur  në këmbë, sipas traditës.

Por, ajo që u vërejt në sallën e Kuvendit gjatë fjalimit të saj, duhet se nuk u bëri përshtypje shumë deputetëve, pasi ata kishin hapur telefonat dhe bisedonin apo shkruanin mesazhe e njoftime.

Zëvendë-skryeministrat, Besnik Bislimi, Donika Gërvalla e Emilija Rexhepi dhe disa nga ministrat e Qeverisë Kurti II, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Nenad Rashiq, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Hekuran Murati, Faton Peci e Elbert Krasniqi madje edhe shumë deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit janë parë duke qëndruar në telefona, derisa zonja Osmani po mbante fjalimin e saj cinik, duke kritikuar  qeveritë e kaluara dhe duke u zotur se nuk do të ketë më “tregtarë kufijsh” duke aluduar ne ish kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në burgun e Sheveningenit të Hagë, i akuzuar nga Gjykata Speciale për gjoja krime lufte.

Arroganca e prepotenca  naive e kryetares së pazarit politik të Albin Kurtit, Vjosa Osmani, bën që kjo kryetare të jetë përçarëse, vetjake, cinike e pa vlerë  dhe pa nivel kulture e edukate për të qenë në postin e saj edhe ashtu fiktiv e politik.

Fakti se fjalimin e sa e ka bojkotuar tërë opozita, ashtu sikur edhe një viti më parë, por edhe mungesa e shprehur e interesimit të deputetëve e ministrave për ta dëgjuar  fjalimin e saj retorik flet vetvetiu se cila është kjo kryetare dhe kënd e përfaqëson.

Andaj edhe i kemi punët kështu, sepse Kosova ka jo me qindra por me mijëra personalitete atdhetare, madje edhe shumë të tillë të pranishëm në sallën e Kuvendit,  që do të duhet të ishin në postin  e saj,  me shumë merita, përgjegjësi, dituri, tolerancë, diplomaci, vetëpërmbajtje, veti këto të cilat nuk i disponon, zonja Osmani, kryetarja e pazarit politik me Vetëvendosjen  në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas fjalimit vjetor, me përmbajtje tërë urrejtje  kundër opozitës,  të kryetares Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës, e cila gjatë fjalimit të saj tha se “nuk do të zmbrapsem edhe atëherë kur më sulmoni me pamjen time”. Ajo iu ka drejtuar me fjalët: Si kryetare  ti do të mbahesh në mend veç si inatçore, kompleksive, përçarëse dhe urrejtëse deri në palcë! Meqë vetë po flet për kilogramët, ja ku po  ta them troç: Do të mbahesh në mend si një grua që hyre në Presidencë me 100 kg e do të dalë nga aty me 50 kilogramë.

Edhe sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka kritikuar  kryetaren, Vjosa Osmani për fjalët që i ka thënë në Kuvend kundër  Hashim Thaçit, ish kryetarit të Kosovës, të cilit nuk ia ka përmendur  emrin, ashtu sikur nuk ia përmend as Albin Kurti. Klinaku ka thënë se përpjekja shtetërore e ish-kryetarit të Kosovës  Hashim Thaçi që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i gëzojnë të drejtat e njëjta me serbët e veriut, e që synim kishte shpëtimin e atij territori të banuar me shumicë shqiptare e që vit pas viti po tkurret dhe do të mbetet pakicë, paçka nëse kjo përpjekje do të dërgonte edhe në korrigjim kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, të quhet tregti, përveç që është absurde, është budallallëk  por dhe e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët”. Noterja e Albin Kurtit, përçarësja Vjosa Osmani, sa merret me njerëzit që nuk mund t’i përgjigjen nga paraburgimi në Hagë, le të merret me gjendjen që e kanë krijuar në veriun e Kosovës, e cila është kthyer si në kohën e protektoratit”, ka shkruar Faton  Klinaku, lidhue me fjalimin e kryetares Vjosa Osmani në Kuvendi.

Kosova, me gjakun e derdhur rrëke për çlirim nga pushtimi serb nuk e ka merituar ta ketë kryetare një bijë të një babai, epror dhe zyrtar i ish-armatës jugosllave por edhe i ish regjimit të Millosheviqit, meqë Raif Osmani, babai i saj ka punuar  deri në vitin 1993 në zyrat e Mbrojtjes territoriale të Serbisë, në Mitrovicë.

Duhet veçuar faktin se ajo nuk ka asnjë faj për verimet e babait, por të paktën para se të betohej si kryetare e Kosovës, vend i larë me gjak dëshmorësh e martirësh, do të kishte qenë e rrugës të kishte kërkuar falje atyre  atdhetarëve shqiptarë që kanë pësuar madje edhe me jetë, nga regjimi të cilit i ka shërbyer, babai i saj.

Çuditërisht, me sa dimë ne asnjë nga bijtë e bijat e baballarëve apo nënave që kanë punuar në ish regjimet okupatore, sidomos në UDB dhe në Armatën e ashtuquajtur Popullore të Jugosllavisë, kurrë dhe me asnjë rast nuk kanë kërkuar  falje, si akt moral, para bashkëkombësve. Kur kemi ketë fakt para sysh, atëherë lind pyetja, pse t’ i themi Serbisë të kërkojë falje për krimet që ka kryer në Kosovë?

 

Edhe një fakt tjetër i rëndë i thyerjes së kushtetutës nga kryetarja, Vjosa Osmani.

Kjo zonjë kokëfortë dhe arrogante, në zyrën e Presidencës, e cila nuk është pronë e saj as e babait të saj, krahas flamurit të Kosovës mbanë edhe flamurin politik të Ibrahim Rugovës, edhe pse dihet mirëfilli se  sipas rregullores së Zyrës, nuk duhet të tolerohet një akt i tillë,  antikushtetues,

Kjo nuk i bën fare përshtypje as kryeministrit, Albin Kurti, i cili në një rast të tillë, po të mos ishte e zgjedhura e tij kryetare, jo vetëm do ta kritikonte por do të padiste për shkelje të Kushtetutës.

Kjo nuk u bën përshtypje as deputetëve të Vetëvendosjes nga radhët e të burgosurve politikë, as disa prej tyre, që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së.

Kryetarja, Vjosa Osmani, me vetëdije vepron krye në veti, në Presidencë, të cilën e konsideron pronë të saj. Kështu vepron pasi e di mirë së në Kosovë ligjet i kanë shkelur dhe i shkelin pikërisht ata që janë zyrtarisht të thirrur ti mbrojnë ato me çdo kush dhe me çdo çmim.

Ahmet Qeriqi

  1. 12. 2022

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …