Kurtish Bajram Hasani (13.11.1957 – 28.5.1999)

Kurtish Bajram Hasani (13.11.1957 – 28.5.1999)

Rënia e Agim Selmanajt, Abdylsalem Ahmetajt, Emrush Buzhalës, Besim Kadollit, Emin Musliut, Sherif Buqajt, Murat Kadrijajt, Shaqir Tërshanit, Alush Mustafës, Faton Vehbiut, Fehmi Demiqit, Fetah Selcës, Safet Elshanit, Fetah Gegës, Xhavit Bajraktarit, Arif Spahiut, Hysen Hotit, Nehat Jupës, Ismet Kodrës, Besim Rexhepit, Hajriz Muhadinit, Islam Nezirajt, Muhamet Kabashit, Rexhep Demirit, Qamil Osmanit, Bajram Sallahut, Afërditë Ukshinit, Hadije Spahiut, Pal Palucës, Bedrush Gashit, Imri Halitit, Ramadan Rexhepit, Elhami Hasanit, Adnan Krasniqit, Nijazi Bajraktarit, Ahmet Xhigollit, Bujar Rrokës, Tomë Gjokajt, Visar Junikut, Kushtrim Hoxhës, Asllan Krasniqit, Vëllezërve Musijaj, Rifat Beqirajt, Idriz Gajrakut, Afrim Sylës, Nazim Bakiut, Hajdin Rrahmanajt, Sahit Tixhajt, Valon Myrtajt, Sinan Hodajt, Demir Demirajt, Bujar Thaçit, Jeton Kabashit, Besnik Përzhakut, Bekim Sylkës, Mexhit Mustafës, Sadedin Hajdës, Selim Berishës, Xhevdet Krasniqit, Milaim Morinës, Arben e Luan Qerimajt, Flurim Rushitajt, Alajdin e Xhevat Elshanit, Alirizan Selmanit, Agron Bytyçit, Astrit Sulit, Salih e Gani Saramatit, Manush Berishës, Omer Gegajt, Ruzhdi Jupës, Shpend e Bedri Berishës, Sinan e Avni Hodajt, Habib e Ismail Gashit, Mensur Zyberajt, Ali Mustafës, Istref Eminit, dëshmorëve të viseve të ndryshme të Kosovës e të Shqipërisë, e Nazmi Hasanit dhe e Kurtish Bajram Hasanit nga Qëndresa e Anadrinit, shënojnë ngjyrën e kuqe të gjakut të dëshmorëve të majit të vitit 1999 në fushëbetejat kah kufiri shqiptaro-shqiptar dhe në frontet përreth Drinit të Bardhë, ndërsa në Zonën Operative të Pashtrikut Beteja e Mileskës mbetet njëra prej betejave më të përgjakshme e ditëve të fundit të majit. Dhe në këtë betejë afër fshatit Qëndresë (ish-Randubravë) në mesditën e 28 majit u përjetësuan: Habib Jakup Gashi i Nagacit, Ismail Malush Gashi i Krushës së Madhe, Bedri Berisha i Valljakut të Klinës, Mensur Zyberaj i Drenajt të Rahavecit dhe Kurtish Bajram Hasani i Qëndresës, ndërsa plagosen rëndë: Rexhep Krasniqi i Prizrenit, Isa Gashi i Krushës së Madhe e Selim Krasniqi i Hoçës së Vogël gjatë një rezistence burrërore në “Malet e Mileskës” ndërmjet Nagacit, Krushës së Madhe, Qëndresës, Hoçës së Vogël dhe Retisë të Anadrinit.
Dëshmori i kombit Kurtish Hasani është i lindur më 13 nëntor të vitit 1957 në fshatin Qëndresë (ish-Randubravë) të Anadrinit. I biri i Bajramit e i Xhylferijës, hasreti i dy motrave: Xhemiles dhe Ylkisë, shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse kushtet për ta vijuar shkollimin në Prizren nuk i kishte pasi që plaku Bajram Hasani qe plandosur ekonomikisht, sa prej skamjes aq edhe prej sëmundjes. Megjithatë, Kurtishi me punët në bujqësi modeste kujdeset për familjen, por edhe radhitet ndër të parët në grupin e veprimtarëve të cilëve u printe kushëriri, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, Nait Hasani. Edhe pas burgosjeve të shpeshta e të gjata të Naitit, djemtë e vëllezërisë Hasani nga Qëndresa e Anadrinit asnjëherë nuk e ndalën veprimtarinë dhe vepronin në shtrirjen e aktiviteteve anembanë fshatrave të Anadrinit nëpërmjet Hazër Shalës, Afrim Mustafës, Afrim Hajradinit, Luan Feratit, Haxhi Feratit nga Qëndresa dhe Smajl Latifajt nga Drinasi.
Në janar të vitit 1990 kur i tërë Anadrini ishte ngritur për ta ndezur “Flakën e Janarit”në Rahavec, e kur në krye të marshuesve printe krenar profesor Ukshin Hoti, Kurtish, Hasani me të gjithë Hasanajt dhe Feratajt e Qëndresës qëndroi si granit në “Lakun e Dëshmorëve”, aty ku ranë: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi. Kjo veprimtari u ra në sy menjëherë ndjekësve udbashë, prandaj Kurtishi arrestohet dhe rrahet deri në alivanosje. Mirëpo, as gjendja ekonomike e as ndjekjet nuk e ndalën veprimtarinë e Kurtishit deri në nëntorin e vitit 1997, kur dëgjon se bashkëveprimtarët e Nait Hasanit i kishin strukturuar radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo larg Prekazit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, e në vendlindjen e Luanit të Alpeve Shqiptare – Luan Haradinajt ishte kënduar “Kushtrimi i Lirisë” dhe jehonte “Priti djemtë e Dukagjinit!”
Më 26 prill të vitit 1998, jo larg vendlindjes së Kurtishit, te “Përroni i Keq” në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, në segmentin Piranë-Krushë e Vogël, kërcasin pushkët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu, jo larg Bregut të Drinit të Bardhë, grupi i djemve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Shtabit Operativ Rajonal për Anadrinin, në Drenajt e Zatriqit me një aksion të rrufeshëm, së bashku goditën patrullën policore e paramilitare serbe që vepronte në aksin e magjistrales së përmendur dhe stacionohej si punkt kontrollues te “Ura e Landavicës” dhe te” Ura e Piranës” e deri te “Ura e Rogovës” dhe “Ura e Fshajt” rrëzë Gardhishtit. Ky aksion dhe kjo fitore u dha krah djemve të Anadrinit e veçanërisht të Qëndresës, pasi që këtë fshat e kontrollonte “Treshi i Zi” grup famëkeq të cilin e përbënin Jugi, Shole dhe Sula e që ishin tmerr e panik për fshatrat Piranë, Krushë e Vogël, Zojz e Medvec. Menjëherë pas këtij aksioni, fshati Qëndresë i bashkon të rinjtë dhe krijon efektivin e parë, i cili së shpejti armatoset dhe del në pozicione së bashku me djemtë e Retisë, të Zaçishtit, të Apterrushit e të Piranës. Edhe Kurtish Hasani, si më i moshuar që ishte, ia lë lamtumirën nënës Xhylferi e fëmijët Shyhretin, Gencin dhe Florentin ia lë bashkëshortes Fluturije. U bashkohet luftëtarëve Abdyl Pajaziti, Agim e Gani Bajrami, Agron Bytyçi, Fadil Ferati, Fetah, Nuhi, Osman e Lulëzim Rexhepi, Nazmi Hasani, Masar Ferati, Eqrem e Ymer Hoxha dhe sot të gjithë dëshmorë të kombit.
Kurtishi merr pjesë në të gjitha luftimet prej majit të vitit 1998 e deri në përfundimin e aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas Betejës së Rahavecit, Kurtish Hasani i bashkohet Batalionit të Rahavecit me të cilin komandonte Xhelal Hajda-Toni të cilit iu bashkuan “Djemtë e Qëndresës”. Me këtë batalion, e në saje të konfiguracionit të terrenit nëpër lugshtajat e buta të Anadrinit, Kurtishi u rezistoi forcave serbe në Betejën e Izbishtit më 26 e 27 tetor të vitit 1998, ndërsa pas rënies së Xhelal Hajdës-Tonit, Kurtishi vepron në kompaninë e Qëndresës me të cilën komandonte Fatmir Dushaku, por pas granatimeve të 26 shkurtit 1999, mbetet pa Abdyl Pajazitin, dëshmorin e parë të fshatit Qëndresë që ra jo larg shkollës fillore “Idriz Seferi”. Pas luftimeve te “Gërçillat”, kur Kurtishi mbetet edhe pa Nuhiun, Lulëzimin, Osmanin dhe Fetahun, vazhdon luftën por me zemër të lënduar për tërë atë që bëri policia, parmilitarët dhe ushtria serboçetnike në fshatrat: Landavicë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë, Fortesë, Brestos, Nagac, Reti, Apterrush, Rudinë, Fortesë dhe Qëndresë e veçanërisht e tronditi masakrimi i familjes Pajaziti nga Qëndresa.
Gjatë tërë prillit Kurtishi së bashku me shokët rezistonte në “Malet e Izbishtit” dhe në lugjet e “Përronit të Keq”, të “Llazeve”, të “Gërçillës” e të “Bajdolleve”, territore këto ku komandantët Bozhidar Zhiliq dhe Manojlo Marçetiq pretendonin për ta bërë “Krehjen me këmbësori” dhe t’i “pastrojnë” këto lugje të mbushura me luftëtarët e lirisë të cilët ishin përqëndruar në këto lugshtaja pas Betejave në “Qafën e Pagarushës” e pas luftimeve kah Budakova e Mollapolcit.
Pas rënies së Pal Palucës, më 5 maj të vitit 1999 afër fshatit Piranë, Brigada 125 e Zonës Operative të Pashtrikut me të cilën komandonte Nehat Basha, me urdhër të komandant Tahir Sinanit përqëndrohet në mbajtjen e vijës së zajrrit në harkun: “Hamocet” e Rahavecit, ”Pisjaku” i Celinës, “Qilat” e Nagacit, “Mileska” e Qëndresës dhe ”Lis-Dervishi” i Retisë dhe kështu, prej 25 majit të vitit të përmendur Zona Operative e Pashtrikut e veçanërisht brigadat 123 e Therandës, l24 “Gani Paçarizi” e Rahavecit, 125 e Prizrenit e 126 e Hasit kanë zjarr në të gjitha drejtimet ndërsa në kuadër të “Shigjetës” zhvilloheshin luftimet rrëzë Pashtrikut, ku me zjarr avanconin kah brigjet e Drinit të Bardhë, luftëtarët e Brigadës 128 të kësaj zone.
Më 26, 27 e 28 maj 1999, pas rënies të Bekim Sylkës, Sadedin Hajdës, Mexhit Mustafës, Selim Berishës, Alajdin e Xhevat Elshanit, Milaim Morinës, Xhevdet Krasniqit, Valon Myrtajt, Bujar Thaçit e Jeton Kabashit, Nazmi Hasanit e Agron Bytyçit e pas plagosjes së rëndë të Manush Berishës, Anadrini rrethohet përsëri pasi që forcat e mëdha serbe ndërmarrin krehjen këmbësore prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Pisjakut”, “Bërnjakës”, “Rrapishteve”, “Isbishtit” e në drejtim të “Lugjeve të Qëndresës” ndërmjet fshatrave: Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterrush, Reti e Reti e Ulët dhe kështu, më 28 maj, kah ora 11.30, forcat serbe që pretendonin për ta marrë “Izbishtin” e të zhvillohen kah “Lis-Dervishi”, Retia, Apterrushi e Vneshti i Therandës, hasin në rezistencën e luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftimet zgjasin deri në shkatërrimin total të forcave të motorizuara të Zhiliqit e të Milentijeviqit. Në fushën e nderit, në altarin e lirisë, në kodrat dhe lugjet e Mileskës përjetësohen: Habib Jakup Gashi i fshatit Nagac të Anadrinit, Ismail Malush Gashi i Krushës së Madhe, Bedri Bajram Berisha i fshatit Valljakë të Klinës e Mensur Zyberaj, i njohur si “Komandant Pesqinshi” i fshatit Drenaj të Anadrinit të Rahavecit, ndërsa plagosen rëndë: Kurtish Bajram Hasani, Rexhep Krasniqi, Isa Gashi dhe Selim Gashi dhe vetëm falë rezistencës titanike të grupit të Rexhep Krasniqit shpërthehet rrethimi i hekurt, kurse në istikame mbetet Kurtish Bajram Hasani i plagosur rëndë e me gjakderdhje të mëdha trupi i të cilit nuk mund të tërhiqej dhe përjetësohet në altarin e lirisë.
Pas përjetësisë së Kurtishit plagëve nuk u përballon as Manush Berisha i Krushës së Vogël, i plagosur në luftimet e 27 majit, ndërsa të plagosurit e tjerë u mbijetuan frakturave dhe plagëve të shumta. Pjesa e mbetur e forcave serbe dëbohet në drejtimet Prizren, Gjakovë, Rahavec dhe Hoçë e Madhe, ndërsa luftëtarët e lirisë pozicionohen bri aksit të magjistrales Prizren-Gjakovë, madje pranë vendit ku një vit më parë kishte krisur pushka e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit.
Trupat e pajetë të dëshmorëve Habib Jakup Gashi, Bedri Bajram Berisha e Kurtish Bajram Hasani vendosen në shtëpitë e amshueshme bri vendit të rënies, në “Shpatin e Mileskës”, ndërsa pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, barten, Habib Gashi në Nagac, Bedri Berisha në Valljak të Klinës ndërsa Kurtish Hasani së bashku me kushëririn Nazmiun, në Qëndresë, kurse më vonë zbulohen trupat e pajetë të dëshmorëve Mensur Zyberaj e Ismail Gashi, të cilët policia serboçetnike i kishte gremisur në Varrezat e Prizrenit.
Sot, në fshatin e heroizmit, në Qëndresë, në një shtëpi përdhese rrojnë, jo larg lapidarit madhështor ku janë skalitur emrat dhe portretet e dëshmorëve të rënë afër Qëndresës e në Qëndresë, duke u ushqyer me krenarinë për të anë, bijtë e dëshmorit të kombit Kurtish Bajram Hasani. Tashmë janë bërë burra dhe dëgjojnë me mall rrëfimet e bashkëluftëtarëve të t’et, ndërsa Florenti, nxënës i klasës së fundit të fillores, përgatitet për të startuar në ndonjërën prej shkollave të mesme, por me shpresë se do t’i ndihmohet së paku me një bursë e Genci mban shpresa se dikush do t’i bëjë ndonjë argat për ta ngritur një shtëpi e të dalë nga përdhesja e trashëguar. Në shkollën fillore të fshatit Qëndresë ku e kaluan fëmijërinë dëshmorët e Qëndresës, vocërrakët recitojnë vargje për madhështinë e Çlirimtarëve që sot prehen në Përjetësi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …