Shoqeria Levizja

Lëvizja: Kujtojmë dhe nderojmë Heronjtë e Kombit shqiptar, Afrimin dhe Fahriun

Kujtojmë dhe nderojmë Heronjtë e Kombit shqiptar, Afrimin dhe Fahriun
Bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë e bashkëkombës të dashur,
2 Nëntori është ditë e shënuar në kalendarin e përpjekjeve, qëndresës dhe luftës për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. 2 Nëntori i vitit 1989 përsëriti përpjekjen, qëndresën dhe luftën me armë në dorë të 13 janarit të vitit 1984 në Prishtinë, përsëriti heroizmin e Rexhep Malës e të Nuhi Berishës dhe të Heronjve tjerë shqiptarë. 2 Nëntori i vitit 1989 nuk ishte vetëm vazhdim dhe përsëritje e përpjekjeve, qëndresës dhe luftës shekullore për liri, pavarësi dhe bashkim të tokave shqiptare në një shtet të vetëm… 2 Nëntori i vitit 1989 shënon edhe fillimin e fundit të pushtuesve serbë në këtë pjesë të tokës shqiptare, në Kosovë. Përpjekjet për ta shuar zjarrin liridashës që ndezi LPK-ja me drejtuesit e saj, Afrimin e Fahriun, me qëndresën dhe armët e tyre në Prishtinë dhe Kosovë, DËSHTUAN. LPK- UÇK-ja ndoqi shembullin e heroizmit të Afrimit dhe Fahriut për çlirimin e Kosovës. UÇK-ja dhe kombi shqiptar ndoqën rrugën që solli lirinë, rrugën e Afrimit, Fahriut dhe të Dëshmorëve të Kombit, të rënë ndër shekuj për këtë tokë dhe lirinë e saj!
Prandaj, nesër, e hënë, në orën 10, bëhen nderime dhe vendosen lule në Monumentin (obeliskun), që i kushtohet Heroit të Kombit, Afrim Zhitisë, në vendlindjen e tij. Në orën 12 vendosen lule dhe bëhen nderime te varrezat e dy Heronjve, Afrimit e Fahriut, në Prishtinë. Ndërsa, në orën 13, bëhen nderime te Flamuri, afër vendit ku kishin qëndruar dhe kishin rënë me armë në dorë dy lulet e Shqipërisë, Afrimi e Fahriu. Nderimi dhe kujtimi i këtyre dy Heronjve dhe të gjithë Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit shqiptar është dëshmi dhe moment i dashurisë, nderimit, kujtimit, përkushtimit dhe angazhimit mbarëkombëtar për të ecur në rrugën e shtruar me mendje, përpjekje, qëndresë, luftë, flijime dhe gjak nga bijtë e kombit tonë ndër shekuj.
I paharruar kujtimi dhe nderimi për këto dy lule të lirisë që gëzojnë shqiptarët! Lavdi!

Kontrolloni gjithashtu

Në Konsullatën e Kosovës, në Nju Jork, Shfaqet dokumentari “Mirënjohje” për historianin anglez, Noel Malcolm

Në Konsullatën e Kosovës, në Nju Jork, u shfaq filmi dokumentar “Mirënjohje” kushtuar kontributit të …