Në moshën 79 vjeçare ndërroi jetë drejtori i Radios-Kosova e Lirë, profesor, Ahmet Qeriqi

Lufta në Siri dështim i forcave demokratike, fitore e diktatorëve: Putin, Ruhan dhe Assad

Po bëhen gati pesë vjet qyshkur sirianët e entuziazmuar, duke parë rënien e diktatorëve në shtetet e ndryshme arabe e islame, duke besuar se edhe në Siri kishte arritur “Pranvera e çlirimit” nga despoti dhe krimineli alavit, Bashar Assad ishin ngritur kundër sundimit të tij të egër despotik e tiranik, i cili kishte trashëguar pushtetin nga i ati e gjyshi, po ashtu diktatorë e mujsharë “xhahilë” e primitivë.

Forcat e opozitës siriane fillimisht kishin kërkuar dorëheqjen e diktatorit Assad, i cili përfaqëson besimin e 10 për qind sirianëve alavitë, të përkrahur fuqishëm në Irani, por kishte sunduar dhe sundon shumicën afër 90 për qind siriane, sunitë. Këto forca opozitare, që në fillim kishin marrë përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Francës  dhe nga disa vende demokratike, madje edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila ishte ngutur që kryengritësve t’ iu ofronte edhe ndihmë konkrete në stërvitjen e disa prej tyre, sikur thuhej nga praktikat guerile të UÇK-së. Situata e tillë u përshkallëzua kur disa imamë në Kosovë, përkrahës të forcave opozitare siriane bënë edhe thirrje për solidarizim me forcat kryengritëse në Siri dhe për pasojë mjaft të rinj shqiptarë nga Kosova por edhe nga trojet shqiptare përgjithësisht, treguan jo vetëm simpati, por filluan edhe rrugën drejt Sirisë, të sigurt se më në fund, kundër diktatorit Assad do të intervenonte Amerika dhe NATO-ja, sikur edhe kishin intervenuar në Libi, Tunis e vende të tjera.

Duket se të gjithë këta kishin bërë “hesap pa hanxhinë” edhe pse Amerika e Franca e dinin se Siria ka aleancë ushtarake me Rusinë, e cila pas intervenimit dhe shkëputjen e Krimesë nga Ukraina, mori guxim për ta shpërfillur jo vetëm Amerikën por edhe NATO-n dhe tërë perëndimin.   Në kohën kur Assadi kishte përdorë edhe armë helmuese kimike kundër popullatës dhe forcave opozitare kryengritëse, Franca kishte paralajmëruar  se do të sulmonte, por kjo nuk ndodhi. Mjaftoi vetëm një “njet” i fortë i Putinit dhe planet e perëndimit për ndihmë popullit të shtypur të Sirisë, jo vetëm që dështuan por kjo e thelloi kaosin  dhe u bënë mish për top qindra mijëra sirianë, të cilët u dërguan dhe po dërgohen  në një humnerë të thellë, nga ku nuk dilet dot për të gjalli.

Sirinë dhe sirianët i tradhtoi në radhë të parë Amerika, pastaj Franca, Arabia Saudite, Egjipti dhe shumë nga shtetet arabe e islame, të cilat janë të përçara jo vetëm në pikëpamje fetare, por edhe politike e ekonomike. Me qëllim për ta rrëzuar Assadin,  ashtu sikur ishte rrëzuar Muamer Gadafi i Libisë, apo Hysni Mubaraku i Egjiptit, në Siri zbarkuan edhe forcat e organizatave të njohura, si Al-Nusra, Al Kaida e të tjera, të cilat qëllim primar kishin rrëzimin e diktatorit të urryer nga të gjithë sirianët.

Më vonë, këto forca, duke qenë se shtetet kombëtare arabe e islame kishin rënë sikur dardha të kalbura nga revolucionarët entuziastë, por krejtësisht të papërgatitur ideologjikisht e ushtarakisht  për të udhëhequr e për të bërë me sukses revolucione, u bashkuan rreth idesë së rikrijimit  të Shtetit të hershëm të Levantit, Siri-Irak, duke shpallur madje edhe Kalifatin islam. Përzierja në lojë e Al Kaidës dhe organizatave luftarake të njohura për qëndrimin anti-perëndimor, bëri që lufta në Siri dhe në Irak në përshkallëzohet në një luftë tejet të përgjakshme, e cila dashur pa dashur po merr përmasa të kryqëzatave të reja, nëse ato kanë ndaluar,  apo kanë pushuar ndonjëherë.

Tani Siria është vendi ku është vrarë mizorisht ndërgjegjja e asaj “filozofie vetëqeverisëse” që ne e quajmë, demokratike e përparimtare. Sirianët, shpëtimin e tyre e kërkuan në Turqi e prej këtij shteti nuk begenisën të emigrojnë në vendet islame e arabe, të cilave u përkasin me racë, fe e tradita, për shkak se  të gjitha ato janë të rrezikuara, por ia mësynë Evropës, e cila qysh moti ka proklamuar demokracinë, lirinë, barazinë, vëllazërinë,  të drejtat njerëzore dhe nivelin më të lartë të demokracisë. Kjo është arsyeja që sirianët islamë, dhe jo vetëm ata, por edhe qindra mijëra irakianë e afganë e të tjerë, të dynden drejt Evropës së krishterë, e cila po i pret e mirëpret, sipas kutit e mundësisë, tanimë me një mosbesim tejet të shprehur.

Fluksi i madh i refugjatëve nga Lindja, veçmas nga Siria ka përçarë vendet e Bashkimit të BE-së, të cilat nuk janë treguar të gatshëm të pranojnë refugjatë të përkohshëm derisa të mbarojë lufta në Siri.  Disa shtete si Holanda, Çekia, Sllovenia kanë pranuar vetëm refugjatë arabë të krishterë, por jo myslimanë, të cilët përbëjnë shumën dërrmuese fetare të emigrantëve. Shqipëria, Kosova e Maqedonia nuk kanë treguar asnjë shenjë solidarizimi me refugjatët, edhe pse këto tri shtete kanë kushte dhe mundësi për t iu dalë në ndihmë sirianëve të rrezikuar për shfarosje nga regjimi kriminal i Assadit i përkrahur fuqishëm nga Rusia Putiniste.  Vetëm Turqia është shteti që ka mirëpritur dhe ka numrin më të madh të refugjatëve nga Siria. Edhe Greqia, ka treguar një solidarizim njerëzor duke iu dalë në ndihmë dhjetëra mijëra emigrantëve, të cilët stacionin e parë për ikje drejt vendeve të Evropës e kanë Greqinë, nga ku nëpër Maqedoni e Serbi po dynden drejt Evropës.

Drama siriane e dyndjeve tejkalon dramat e dyndjeve biblike, të cilat i marrim për krahasim. Deri tani nga Siria janë detyruar të largohen më shumë se gjysma e popullatës së këtij Shteti me 22 milionë banorë. Disa milionë të tjerë ndodhen nën rrethim të forcave kriminale, assadiste e putiniste, shumë prej tyre të rrezikuar edhe me vdekje nga uria, sepse policia e ushtria e Assadit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare, me qëllim që ata të dorëzohen dhe të ikin nga vendi,  apo të detyrohen të tregojnë besnikëri ndaj regjimit kriminal.

Shembulli i Sirisë nxjerrë në sipërfaqe urrejtjen e përçarjen e madhe historike të myslimanëve mes  shiitëve pakicë dhe sunitëve shumicë. Shiitët, të cilët qendrën e tyre botërore kanë Iranin, kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me çdo shtet të botës, e cila i mbështet në luftë kundër myslimanëve sunitë, shumicë. Ata kanë përkrahur intervenimin e Rusisë në Siri, për ta mbrojtur regjimin gjakatar të Assadit, alavit-shiit. Irani mban qëndrim armiqësor kundër tërë botës islame, shiite, sidomos kundër Turqisë, Arabisë Saudite, dy vendeve më të forta islame në botë.

ISIS, me praktikat e deritanishme të luftës ka treguar se vjen përtej arsyes së mendjes njerëzore

Lufta e ISIS-it në këtë mes nuk ka një vijë të qartë përcaktuese, meqë ata mbështeten në të drejtën e “Sheriatit”, sipas interpretimit të tyre dhe pretendojnë që me luftë pa kompromis kundër të gjitha vendeve reformatore arabe e islame,  e veçmas kundër tërë botës së krishterë, të kthejnë kohën tashmë të perënduar të Kalifateve islame, të cilat gjatë shumë shekujve kanë sunduar jo vetëm në Azi  e Afrikë, por edhe në një pjesë të Evropës. Rikthimi në Kalifat, ( njëlloj perandorie) vetvetiu nënkupton ekspansion dhe luftë për zgjerim të ndikimit.

          Pavarësisht cila është e vërteta e ISIS-it, e reflektuar në opinion vetëm përmes paraqitjeve në Internet, është vështirë të besohet se kemi të bëjmë me 30.000 luftëtarë të manipuluar, kundërshtarë të tërë botës, të cilët për dy vjet rresht kanë përballuar dhe po përballojnë sulmet e shteteve më të forta të rruzullit sikur është Amerika, Rusia, Franca, Anglia, Gjermania dhe shumë shtete të tjera. Praktika e luftës e ISIS-it është specialitet i veçantë, sidomos me radhët e vetëvrasësve fanatikë, të cilët nuk ka forcë normale, njerëzore, që i bën zap. Është po ashtu vështirë të besohet se luftëtarët e ISIS-it do ta pranojnë humbjen. Është vështirë e besueshme se Koalicionin botëror kundër ISIS-it do të arrijë të vrasë 30.000 ushtarët, sa thuhet se i takojnë këtyre formacioneve terroriste. Ata, bindjet dhe fanatizmin e tyre do ta ngrenë në shkallën më të lartë të urrejtjes dhe do të shpërndahen kudo në vendet e botës, ashtu sikur edhe janë shpërndarë dhe po shpërndahen me radhët e refugjatëve. Pavarësisht se në të ardhmen, mbase edhe  nuk i komandon një qendër, ata do të veprojnë në grupe të vogla, dhe asnjë vend në botë nuk do të jetë më i sigurt, meqë fanatizmi i tyre mohon vdekjen, me besimin e thellë në pavdekësi. Indoktrinimi i tillë fetar, është pika përtej vdekjes, pika përtej çdo arsyeje njerëzore, është forca e tyre e errët, njëdimensionale,  që frymëzon të tillët në një botë ku ditë e më tepër po mbretëron kaosi.

Duket se lufta apo koalicioni botëror kundër ISIS-it kurrë nuk do ta arrijë suksesin e plotë, ashtu sikur është arritur në Aleancën e shteteve më të fuqishme të botës kundër Fashizmit, në vitin 1945. ISIS, të pakën me praktikat e deritanishme ka treguar se vjen përtej arsyes së mendjes njerëzore. Askush deri sot nuk e ka shpjeguar shkencërisht këtë gatishmëri të njerëzve për të vdekur, duke vrarë së pari veten, pastaj sa më shumë të tjerë. Ky është rreziku permanent i një ideologjie fanatike, që nuk ka për bazë mësimet e Kur-anit, por ka për bazë interpretimet e deformuara, por edhe praktikat e kalifateve shekullore.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …