Brickos

Protestat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981

Marsi e prilli i vitit 1981, protestë, demonstratë, përpjekje për kryengritje, apo kryengritje? III

  1. “Shkurorëzimi” nga Jugosllavia dhe jugosllavizimi…

Duhet pranuar faktin se jeta e përbashkët e shqiptarëve me serbë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vitin 1981, kishte dhënë shumë rezultate në afrimin e popujve, por jo në afrimin mbi principe të barazisë, por mbi shembullin e skllavit të nënshtruar ndaj padronit. Në Jugosllavinë e atëhershme, shqiptarë të ndershëm, “poshteni shiptari” konsideroheshin vetëm ata që e donin pa lajka Jugosllavinë, si atdheun e tyre, ata që rezervoheshin të flisnin shqip, sapo futej në mesin e tyre një serb, dhe ata shqiptarë trutharë që nuk kishin as edhe ndjenjën më elementare të dashurisë për kombin e atdheun, por krenoheshin me patriotizmin jugosllave. Dhe, mjerisht, të tillë pati edhe mesin e turmave të arsimuara shqiptare, ashtu sikurse pati me bollëk edhe nga ata që u shkolluan në Beograd dhe nuk u shkëputen lehtë nga Jugosllavia. Mbi këtë klasë shqiptarësh ngrihej klasa politike projugosllave, e cila kishte pranuar rezignatën tragjike të asimilimit të ngadalshëm, meqë arrinte të mbijetonte ekonomikisht dhe arrinte të vilte favore të shumta dobiprurëse, duke u bërë pjesë e politikës jugosllave antishqiptare. Krijimi me sukses i një hibridi të tillë të çoroditur, çonte pa kthyeshëm në idenë e jugosllavizimit të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të federatës, ide e cila ishte përhapur sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, kur edhe ishte shpikur kombi unik jugosllav.

Është e natyrshme që periudha e tillë e rrojtjes bashkë, periudha e panatyrshme e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, periudha e fillimit të një ngjizjeje, mes dy popujve që kishin të përbashkët vetëm armiqësinë 13 shekullore, jepte disa rezultate të caktuara, ashtu sikurse kishte dhënë edhe në kohën e Romës, kur qenë romanizuar shumë popuj të Ballkanit, por edhe në kohën e Perandorisë Otomane kur u turqizuan po ashtu një pjesë e madhe e popujve të Ballkanit.

 

  1. Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike, që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia.

Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste, shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm, por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria anti jugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të integrohet mes shqiptarëve.

Nuk kishte fshat në Kosovë, apo lagje në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së.

Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989, UDB-ja dhe besnikët shqipfolës kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas, Gjermani e gjetkë. Gjatë protestave të marsit e prillit janë martirizuar: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi, Afrim Abazi,

Më vonë në intervale të ndryshme kohore nda dora misore e UDB-së, janë martirizuar: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ismet Krasniqi, Xhemaili Berisha, etj.

Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare.

Këto shërbime të panatyrshme që kryen bashkëpunëtorët e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse kishte shërbyer besnikërisht, më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar dhe të zhgënjyer në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes trimërore të triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …