Adem Lushaj

Mr. Adem Lushaj: Janjiq “sulmon” policinë e Kosovës, por ata duhet ta arrestojnë atë për vepra kriminale

Kleriku ultra nacionalist serb, Sava Janjiq, sërish tregon fytyrën e tij urrejtëse ndaj popullit shqiptar. Ai, kësaj radhe, “ka sulmuar” policinë e Kosovës për mos efikasitet në kryerje të obligimeve të tyre profesionale, e që sipas tij, për veprimet kriminale që bëhen nga njerëzit e tij, e që pas tyre mund të qëndron edhe vet, duhet arrestuar dhe dënuar shqiptarët.

Në publikimin e tij nxitës të datës 16 Shkurt 2017, ka marr pretekst “shkrimin” e grafitëve në Gjilan, sipas të cilit policia e Kosovës, por edhe Gjykata e Pejës, në të kaluarën, nuk janë treguar profesionale në rastet e ndodhura në: Deçan, Gjakovë, Podujevë, … e tash nuk beson, as për rastin e “ndodhur” në Gjilan.

Ne, “pajtohemi”, me Janjiqin për “mos kryerje” profesionale të detyrave nga policia e Kosovës, sepse ky klerik mashtrues dhe të tjerët si ky, është dashtë disa herë të arrestohen dhe dënohen, për nxitje të urrejtjes ndër nacionale, shkatërrim të pronës publike dhe private, krim mjedisor, pengim të zhvillimit, akuza të rrejshme dhe mos përfillje të institucioneve shtetërore. Policia e Kosovës, djemtë dhe vajzat, motrat dhe vëllezërit, e atyre që ranë për tu liruar nga soji i Janjiqit, në vazhdimësi kanë bërë përpjekje ti anashkalojnë të zezat dhe krimet që iu janë bërë, me të vetmen arsye të tolerancës dhe ecjes kah e ardhmja, por assesi ta harrojnë gjakun e derdhur për vendin e tyre.

Mos zbardhja e rasteve të ndodhura në Deçan: djegia e objekteve të APIKO-s, rrënimi i shtëpive private, (i një romi dhe malazezi”, grafitët e shkruara në dyer të manastirit, jo më larg se 20 metra nga pika e kontrollit të KFOR-it, shkrimi i tjerave në vendet që veç klerikët mund të shkojnë,…. kanë të bëjnë me faktin se autor të këtyre veprimeve, janë vet klerikët e manastirit apo njerëzit tjerë që strehohen aty, e assesi popullata shqiptare e cila akuzohet dhe urrehet nga Janjiq. Këto veprime të bëra nga Sava Janjiq dhe njerëzit e tij, e dinë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës të Stacionit të Deçanit, por ata kanë heshtur në këto raste, jo nga frika dhe pa aftësia profesionale, por duke bërë “tolerime”, se me kohën do vetëdijesohen dhe veprimet nxitëse nuk do ndodhin edhe në të ardhmen, nga këta “njerëz të zotit”. Këtë gjë e dinë mirë edhe ndërkombëtarët, e të cilët kanë heshtur për arsyet e tyre politike. Këtë gjë e dinë edhe qytetarët e Deçanit, por “koha e hanë edhe kashtën”. Athua, çfarë synimesh politike dëshiron të arrin ky politikan i fshehur nën petkun klerik…?

Mr. Adem Lushaj: Dy ngjarje historike, dy pavarësi të shpallura të Kosovës!?

Nëntë vite më parë, (17 Shkurt 2008), Kuvendi i Kosovës me deklaratën e lexuar nga ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte shpallë Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Pra, (17 Shkurt 2017), po mbushën nëntë vite nga kjo ngjarje e madhe historike, e përkrahur edhe nga Bashkësia ndërkombëtare.

Para njëzet e shtatë vitesh, pikërisht me 2 Korrik 1990, me deklaratën e lexuar nga Muharrem Shabani, deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, edhe pse nën masa të dhunës shtetërore serbo-sllave, dhe pa ndonjë përkrahje legale nga bashkësia ndërkombëtare, kishin marr vendim që Kosovën ta shpallin “Shtet të Pavarur”, e që njihet si, “Deklarata e Pavarësisë”. Edhe këtë ngjarje, shqiptarët kudo që janë, (ndoshta ka të atillë që nuk e njohin), e vlerësojnë si ngjarje historike në përjetësinë e këtij populli.

Edhe pse në mendjet dhe zemrat tona, janë dy data të ndryshme për të njëjtën ngjarje, këto kanë edhe specifiket e tyre, e që mund të thuhet se janë të ndryshme. Përderisa, para nëntë vitesh, kjo ngjarje ishte në koordinim të hapur me faktorin ndërkombëtar dhe pa presion të dhunës shtetërore serbo-sllave, ajo e para njëzet e shtatë vitesh, ishte ngjarje e shënuar para dyerve të mbyllura të këtij Kuvendi, dhe nën kërcënimin ushtarako-policor, të asaj kohe.

Funksionimi i institucioneve të asaj kohe, të prira nga ish presidenti ynë, dr. Ibrahim Rugova, ishte vënë në vështirësi nga presioni dhe dhuna që ushtrohej nga terrori shtetëror i asaj kohe, prapë se prapë, këto institucione, merrnin vendime pa pyetur Qeveri apo institucionet e shteteve armike. Tash, në këtë kohën e pavarësisë që kemi, do kisha dëshirë të di, se cilat vendime merren pa ndërhyrje ndërkombëtare dhe pa pyetur qeverinë e Serbisë.

Derisa, atë periudhë të vështirë të historisë sonë, por edhe krenare, nuk dinim nëse do zbardhte mëngjesi apo zinte mbrëmja pa maltretime, burgosje dhe vrasje, kishim shpresën se e ardhmja ishte për Ne, për lirinë dhe demokracinë e plotë të këtij vendi, ngase ishte në ballë të zhvillimeve njeriu me vizion të qartë, lideri i shqiptarëve të asaj kohe, e që kishte përkrahjen edhe të popullit mbarë.

Tash, pas nëntë vitesh të pavarësisë, te qytetarët e Kosovës, mbretëron zhgënjimi, të menduarit për ikje nga ky vend, krimi dhe korrupsioni, e duke bërë që shpresa që kishim dikur, të jetë e heshtur.

 Pra, janë Dy ngjarje të mëdha historike për Kosovën, por edhe për gjithë popullin shqiptar…..!?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …