Adem Lushaj

MSc. Adem Lushaj: Kryetari, Bashkim Ramosaj para sfidës së madhe!

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është nën presion të madh. Është mes presionit politik dhe presionit qytetarë. Mund ta them me përgjegjësi, “mos qofsha në pozicionin e tij”. Kjo u dëshmua edhe me rastin e vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe gjeneralit të KFOR-it, Michele Risi. Presioni dhe përgjegjësia që bie mbi kryetarin Ramosaj, nuk është thjeshtë ndërtimi apo mos ndërtimi i një segmenti rrugor. Nuk është thjeshtë zbatimi dhe mos zbatimi i një ligji apo një vendimi gjyqësor. Është shumë më shumë se këto. Është politikë favorizuese për manastirin dhe ndëshkuese për zhvillimin e Deçanit. Është arritja e qëllimit të Kishës ortodokse serbe për zonë të veçantë speciale, siç e thotë Sava Janjiq. Në fakt, ai synon zonë, “ex territor”, që do thotë mbyllje e rrugës që kalon përgjatë manastirit dhe marrje zyrtare të pronave të ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA. Ky klerik, edhe pse në vazhdimësi ka punuar kundër shtetit të Kosovës, që pos emërtimit që përdor ‘Kosovo i metohija”, gjithnjë lobon kundër integrimit të Kosovës në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, sikurse që kishte lobuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Kryetari Ramosaj, pos që ka të bëj “me një politikan të nivelit të lartë, e që fshihet nën petkun klerik”, ka të bëj me presionin e përfaqësuesve të shteteve më të zhvilluara, e që janë shtetet mike të cilat në vazhdimësi kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë në shtendërtimin e Kosovës. Gjithë ky presion që bëhet në kryetarin Ramosaj, në popullatën e kësaj komunën (për mendimin tonë), ka të bëj me koncesionet e bëra në emër të pavarësisë së Kosovës, që shpesh e quajnë “pavarësi të dhimbshme”.

Ardhja e Kryeministrit Hoti në Deçan, për tu takuar me kryetarin Ramosaj dhe më pastaj edhe me klerikun, Sava Janjiq, kishte zgjuar interesimin e madh të qytetarëve dhe mediave. Hoti, pos pritjes që i’u është bërë nga kryetari, ishte pritur nga përfaqësues të shumtë të mediumeve të ndryshme, të pozicionuara në hyrjen e objektit të komunës. Prisnin me padurim përfundimin e takimit, Hoti-Ramosaj. Pas takimit, e ku ishte edhe gjenerali Risi, Kryeministri Hoti dhe Kryetari Ramosaj, kishin dhënë prononcime të shkurtra pa dhënë mundësi për ndërhyrje të ndonjërit nga gazetarët me pyetje të veçanta. Deklarimi i Hotit se kemi kulturë institucionale dhe të përkushtuar në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Kosovës, ishin deklarime më shumë politike të imponuara nga rrethanat e krijuara, se sa që kishin të bëjnë me realitetin. Jemi të vetëdijshëm se nuk është e lehtë, as për Kryetarin Ramosaj, e as për Kryeministrin Hoti, që t’i pranojnë “vendimet politike që janë kundër interesave të deçanasve”. Për dallim nga Kryeministri Hoti, kolegët e tij, Thaçi, Mustafa, Haradinaj dhe Kurti, jo vetëm që nuk kishin “guxue” të merren me çështjen, por ndonjëri nga ata, mund të jetë edhe skenarist apo “argat” i kësaj gjendje të pafavorshme për deçanasit.

Pra, Kryetari Ramosaj, është në përballje të dyfishtë. Në njërën anë përballet me presionin politik që i bëhet në emër të ligjshmërisë dhe respektimit të vendimeve institucionale, e përballjen tjetër e ka me qytetarët të cilët kërkojnë vazhdimin e projektit të rrugës Deçan-Plavë, si dhe projekteve tjera në Grykën e bukur të Deçanit, projekte që konsiderohen jetike për zhvillimin ekonomik të kësaj komune. Presioni politik derivon shumë më herët nga disa veprime dhe vendime të cilat ishin marrë, duke mos llogaritur pasojat që mund t’i sjellin. Protestat e vitit 2004, Vendimi i Petersenit për Zonën e mbrojtur dhe heshtja e krerëve të institucioneve tona ndaj këtij vendimi, Ligji për Zonat e Veçanta të aprovuar nga Kuvendi si obligim i dal nga Plani i Ahtisarit, Ligji për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, Vendimi i Gjykatave të Kosovës mbi faljen e pronave të dy ndërmarrjeve publike (Apiko dhe Iliria), heshtja për Pushimoren “Pishat e Deçanit”, Pëlqimi për ndërtimin e hidrocentraleve që i është dhënë Kelkos-it, e të cilat shkatërruan bukuritë e Grykës së Deçanit,…bëjnë që kryetari Ramosaj, çdo ditë të ballafaqohet me ambasadorë të shteteve të ndryshme, me krerë të shtetit të Kosovës dhe të politikës vendore. Punimet e nisura në vitin 2014, nga ish Kryeministri, Hashim Thaçi dhe kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, për ndërtim të rrugës Deçan-Plavë, po dalin se ishin me prapavijë politike dhe mirë planifikuar. Kjo po shfrytëzohet mjeshtërisht nga igumeni që është vënë në “mbrojtje të ligjshmërisë dhe vendimeve gjyqësore të institucioneve të Kosovës”.

Përballjen tjetër, Ramosaj, e ka me prioritetet që ia ka dhënë vetes për investime në zhvillim të turizmit dhe me kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve në ngritjen e infrastrukturës në Grykën e Deçanit, si parakusht për zhvillimin e turizmit. Kundërshtitë qytetare ndaj vendimeve politike, të cilat i konsideronin të dëmshme për komunën, ishin të hershme. Ishin të njëzëshme. Subjektet politike dhe jopolitike, ishin së bashku. Ishin organizuar protesta të shumta. Ishin organizuar debate me ambasadorët e shteteve kryesore, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Shqipërisë. Kishte takime informuese dhe kundërshtuese me grupe parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Sikurse që kishte kundërshtime të shumta përmes mediumeve të brendshme dhe të jashtme. Prapë, mundësitë janë të hapura për çdo lloj kundërshtimi!  Pra, në njërën anë janë presionet politike ndërkombëtare dhe vendore, që thirren në ligje dhe përgjegjësi institucionale, e në anën tjetër është përgjegjësia ndaj qytetarëve të Deçanit. Kryetari Ramosaj, sikurse edhe anëtarët e Kuvendit Komunal, janë para dilemës së madhe. Duhet të bëjnë zgjidhje. Bile, zgjidhje afatgjate. Resurset e Deçanit duhet të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik. Por, edhe duhet ruajtur raportet me shtetet mike! Kuptohet, nuk është zgjidhje e lehtë!

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …