Në pritje të propozimit të kryenegociatorit, Marti Ahtisari

 


Nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, apo ndonjë befasi e paparashikueshme, kryenegociatori ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari pritet që më 26 janar, pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të publikojë projekt-propozimin e tij lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.
Edhe pse gjatë muajve të fundit pati shumë fjalë e analiza politike, madje edhe spekulime të ndryshme dhe të shumta, lidhur me të ashtuquajturën “pako” të Ahtisarit, tash për tash, vetëm një opsion është më se i sigurt. Kosova nuk do të fitojë pavarësi të plotë, mirëpo shumica shqiptare në Kosovë do ta pranojë pa ndonjë kundërshtim propozimin e Ahtisarit dhe do të mundohet që këtë status ta paraqesë si fitore, për të cilën do të premtojnë se do të “begatohet” në të ardhmen.
Komisari i bashkimit Evropian për Zgjerim, Oli Rehn, ka deklaruar se Ahtisari në “pakon” e tij do ta paraqesë “shkallën e pavarësisë së Kosovës”. Kjo fjali e z. Rehn, lë për të kuptuar se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do të kurorëzohet me pavarësi e plotë, por Kosova do të ketë një shkallë të caktuar të pavarësisë, që do të thotë, “pavarësi minus”. Nuk mund të kuptohet, as mund të lakohet ndryshe kjo fjali e komisarit, Oli Rehn, për më tepër, pasi që shumica e diplomatëve botërorë, të cilët janë të përfshirë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, kanë kërkuar që zgjidhja të definohet me kompromis. Dhe, kompromisi me këtë rast nënkupton pavarësi të kufizuar, që do të trajtohet si maksimum për shqiptarët e Kosovës, ndërsa maksimumi serb do të kënaqet me faktin se Kosova nuk do të ketë ulëse as flamur në OKB, nuk do të ketë ministri të Jashtme, as ushtri të veten. Për më tepër Serbia edhe për një kohë të gjatë do ta ketë të pranuar e të legjitimuar sovranitetin ndërkombëtar mbi tërë territorin e Kosovës, edhe pse për fillim nuk besohet se do t’ i lejohet ta kontrollojë me forca ushtarake kufirin e Kosovës me Shqipërinë.
Kjo zgjidhje e kompromisit, duket se do të imponohet nga faktorët vendimmarrës ndërkombëtarë, dhe si e tillë, kjo zgjidhje do të kënaqte në tërësi orekset hegjemoniste e kolonialiste serbe, në dëm të popullit shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti në dëm të Kosovës.
Mirëpo, duke qenë se ne si komb as kemi qenë ndonjëherë as jemi aktualisht faktor me rëndësi, apo me ndikim të fortë në politikën evropiane, duke qenë se kemi mbetur të ndarë e të copëtuar ashtu sikur 95 vjet më parë, ne nuk do të arrijmë të bëjmë asgjë më shumë, por do të vetëkënaqemi dhe do të mundohemi që këtë nivel të “pavarësisë” ta konsiderojmë si hap vendimtar historik, që çuaka kah pavarësia e plotë. Në këtë pikë, do të mbështeten politikanët tanë, për të arsyetuar “punën”, angazhimin dhe mundin e madh që paskan bërë për pavarësinë e Kosovës.
Dhe, për t’u pranuar kjo zgjidhje natyrisht se do të “përkujdesen” 20.000 trupat paqeruajtëse të NATO-s, rreth 10.000 policë vendorë e ndërkombëtarë, shqiptarë, serbë, malazezë, turq, romë e të tjerë, mijëra politikanë dhe ithtarë të tyre në tërë Kosovën, si dhe forca të tjera rezervë, të cilat mund të dërgohen në vendin tonë pa “zot”, në çdo kohë kur të konsiderohet se janë të nevojshme përforcimet e tilla.
Shqiptarët e pakënaqur, ata të cilët nuk do të pajtohen me këtë status të mjerë të Kosovës, doemos se do të protestojnë, do të rrahin gjoks, do të paralajmërojnë revolucione, do të premtojnë kthesa radikale, do të kërkojnë bashkim kombëtar, do të na bombardojnë me komente, komunikata, kumtesa, afishe, pankarta, derisa të ngopen duke shfryrë mllefin me ngjyrë të zezë në letrën e bardhë. Do të lajmërohen sërish maskat, do të përfitojnë mbi kurriz të këtij populli halleshumë matrapazët e politikës dhe liderët e trafiqeve. Do të vijë e do të shkojë marsi, ndërsa ne do të ngatërrohemi edhe më keq duke akuzuar e duke fajësuar njëri tjetrin, do ta vizitojmë sërish varrin e Legjendarit në Prekaz, ani pse kokë ulur, do të përkujtojmë sërish ditët e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të betohemi sërish në amanetin e dëshmorëve, derisa një ditë do të pajtohemi me fatin dhe rezignatën tonë tragjike shumëshekullore.
Çudirat nuk do të ndodhin.
Sepse ato nuk kanë ndodhur kurrë.
Por serish do të na perseriten mësimet e pamësuara të historisë.
-Çka do t’ bajnë tash shqiptarët e shkretë?
do të pyeste Gjergj Fishta dhe do të përgjigjej:
-Hanë fiq e kastraveca!
-Pinë mastikë e çesin petlla n’ ujë,
E fryhen si gjeldeca,
E shkojn’ tue kqyrë ushtarët e huej…
Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj: Mospërfshirja e Kosovës në votimin e Këshillit të Ministrave, një dështim i madh

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrim Albin Kurti lidhur me mospërfshirjen e …