Petrit Kuçana: Këndellja folklorike e shqiptarëve

Petrit Kuçana: Këndellja folklorike e shqiptarëve

U këndellën edhe njëherë shqiptarët në këtë fillim viti, krejt si i dehuri që u gjend para tre fakteve (gati) të pabesueshme dhe këtë këndellje s’mund ta bënte askush më mirë se Beogradi. Nëse muri në Mitrovicë u “end” ditën e natën muri dhe u prit ndonjë deklaratë nga Brukseli apo ndërkombëtarët, arrestimi i Haredinajt i shkundi shqiptarët, edhe ata që besonin se Serbia tashmë ishte evropianizuar dhe ishte partnere e paqes dhe se dialogu Prishtine-Beograd kishte  bërë mrekullinë e madhe. Mbase ka qenë tronditës ai treni i famshëm  “Kosova është Serbi” made in Rusia, i kuruar deri në detaj, që shkoqiti ca të vërteta t mëdha të fshehura nën petkun e përgjumjes shqiptare.

Në të vërtete deklaratat për luftë të Beogradit, ndotën edhe kostumet e mirëmbajtura prej kaq vitesh të kozmopolitëve të Prishtinës e Tiranës, që u gjenden krejt gafil në këtë situatë dhe mbase u duhet pak kohë për të fshirë avujt e marrëdhënieve “asnjëherë më të mira shqiptaro- serbe” në syzet e tyre.  Zhvillimet e fundit duket sikur përkojnë qartas me një shabllon të tipit “s’keni parë gjë akoma” që nis me “paralajmërimin e fundit” të Beogradit, që na qenkërka provokuar rëndë.

Treni nuk u fut në Mitrovicë dhe kaq mjaftoi që të thyheshin statuset e rrjeteve sociale, me foto e video nga më të paparat, e madje majde deri tek këngë e ahengje që i marrin të keqen çdo folkloristi. Me tone të papara lavdërohen politikanë e pushtetarë, nga Prishtina në Tiranë, e për të vijuar me luftën nëpër deklarata se kush foli më bukur, se kush ia përplasi në fytyrë serbëve më bukur.

Një këndellje tipike turbofolk shqiptare ndërkohë që duket e pamundur të kuptojmë dështimin  tonë total si faktor. E ndërmend na vjen ndonjë deklaratë e ndonjë diplomati se shqiptarët po i humbin miqtë… Andej nga Tirana i kemi kryer të gjitha “obligimet kombëtare”, por thjesht të zënë me ca punëra dekriminalizimi për ca tipa që na u gjenden në parlament, që na paskërkan qenë të përfshirë në veprimtari të pahijshme, e lajmet që mbizotërojnë janë për ca tipa të tjerë që paskan bërë para të madhe.

Kemi bërë plot dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive shqiptare në Prizren dhe Tiranë dhe kemi publikuar foto fantastike të tyre, kanë thyer rrjetet sociale, që mu në Beograd u kemi thënë serbëve se Kosova është e pavarur, se sa herë e lyp nevoja qëndisim deklarata të papara, duke çuar peshë zemrat e shqiptarëve.

Nuk na bën shumë përshtypje ndonjë deklaratë e dhomave të tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës se produktet serbe po pushtojnë tregun shqiptar, dhe s’na bën fare përshtypje edhe ndonjë lajm për kapjen e mallrave kontrabandë mes dy shteteve tona.  Është kaq normale që në një ditë të dëgjosh një lajm se një banor i rrethit të kufirit është kapur me rreth dy kuintalë mollë kontrabandë që e çonte drejt Kosovës, ndërkohë që në Korçë fshatarët në mënyrë demostrative i hedhin mollët në përrua pasi nuk ka treg për to.

Platformë për bashkim ekonomik, për integrim tregu nuk e kemi bërë, se mallrat serbe janë të lira, se bash në krye të punëve i kemi ata që përfitojnë më së shumti nga kjo tregti dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, vetëm të pajtohemi shifrat marramendëse të tregtisë shqiptaro-serbe, e pasi të konsumojmë mallrat serbe, që kanë mbushur tregun shqiptar o burra, kush bën statusin apo deklaratën më të bukur kundër tyre.

Por ama kombëtar jemi. Në tërë këto vite ne kemi bërë abetaren e përbashkët të unifikuar dhe as që na shkon ndërmend qoftë edhe të pyesim të parët e bajraqeve tona, për rezultatet konkrete të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive shqiptare. Se mos guxon kush të jetë skeptik, pasi tani që po vendoset taksa e Rrugës së Kombit (vetëm) 10 euro, punët do i kemi më mirë dhe se nuk shqetësohemi shumë se mund të gjejmë ndonjë arritje që është për t’u shënuar thuasje në asnjë fushë të jetës, të paktën në ato fusha ku qeveritë vendosin.  Nuk e vëmë ujin në zjarr dhe as nuk befasohemi kur tentojmë të këndellemi se nuk ka një fushë jetësore ku bashkëpunohet, qoftë edhe në art, kulturë se në ekonomi s’bëhet fjalë, se nuk kemi mundur të hartojmë qoftë edhe një strategji, për “përafrim” madje gati-gati desh krijuam edhe kombin kosovar…

Të përhumbur u gjendem edhe kur bie fjala “humbëm” mikun më të madh në BE, Britaninë e Madhe dhe dështuam qartësisht në rrugën e integrimit drejt Evropës, dukë ndërtuar “shtetet që nuk duam” më të korruptuarat, më të varfrat. Nuk mundëm të shfrytëzojmë mbështetjen e pakufishme të botës, madje u harruam dhe nuk po dimë të gjendemi në situatat e reja të krijuara, duke vazhduar vetëshkatërrimin, ndërkohë që Serbia gati gati po kërkon haptas Veriun e Mitrovicës. Çfarë u bë me Preshevën? Nejse nga andej kemi foto të bukura të kryeministrit, dhe derisa të zbrazen ato troje shqiptare, nuk do të dale “ndonjë lajm” prej andej. Modeli kroat mbetet i paadoptueshëm, pasi na duhen ato fotot me kryeministrin e Serbisë…

U arrestua Ramushi dhe mbahet në Francë, e shpërthyen demonstratat shqiptare anë e mbanë botës ku ka mërgimtarë e shumë pak dihet për lobingje të njëmendta, aq më tepër në këto kohë kur më shumë se kurrë do të na duhen miqtë, sërish, edhe ata që kishim, edhe ata që mbase në këto kohë i harruam, apo nuk u kujdesëm që të zhvillojmë ato strategjitë e domosdoshme që në momentet dhe çastet qiellore, kur e gjithë bota ishte me ne. Diplomacia jonë vazhdon të perceptohet si punësim zakonisht i të afërmve të pushtetarëve.  Njohjet e reja të Kosovës?! Mund të ketë edhe të tilla. Thjesht shqiptarët vazhdojnë të mbesin më të varfrit e Evropës me klasat politike më të pasura, qoftë edhe nga tregtia me serbët dhe Serbinë, me dy akademi shkencash dhe pa asnjë platformë, me rininë e papunë që largohet dhe pa asnjë projekt , pa asnjë sinergji ndërshqiptare, (përveç projektit të madh të taksës së Rrugës së Kombit) dhe sinergjinë fejsbukiane, ndonjë kënge patriotike e ndonjë simboli kombëtar që sjell përgjumje derisa Serbia na rizgjon, na këndell e duket se këso rastesh do të kemi shumë.

E kur Serbia të na këndellë sërish mbase do të jemi vonë, për gjithçka, në gjithçka…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …