Në hapjen e fushatës së Aleancës në Gjakovë, ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova po kalon një periudhë të vështirë dhe se vendi ka nevojë urgjente për një drejtim të ri politik dhe institucional. Haradinaj tha se gjendja aktuale në Kosovë nuk është e mirë dhe se secili qytetar duhet të japë kontributin maksimal për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe stagnimi. “Kosova nuk është mirë dhe secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën që di për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje”, u shpreh Haradinaj para simpatizantëve në Gjakovë. Ai i kushtoi vëmendje të veçantë kandidatit të Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, për të cilin tha se përfaqëson një figurë me integritet, përvojë dhe vlera të dëshmuara kombëtare. “Besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë duke ia besuar kandidaturën për kryeministër Ardian Gjinit. Jam rritur me të dhe e njoh nga afër. Ai jo vetëm që përfaqëson denjësisht Gjakovën, por krenon gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar”, deklaroi Haradinaj. Sipas tij, Gjini është njeri i afërt me qytetarët dhe lider që mund ta rikthejë besimin në institucione, duke i dhënë Kosovës stabilitet dhe zhvillim. Tubimi në Gjakovë u shoqërua me pjesëmarrje të madhe të mbështetësve të Aleancës, ndërsa drejtuesit e partisë shprehën optimizëm për rezultatin zgjedhor dhe përkrahjen qytetare në gjithë Kosovën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
