Skënder S. Kapiti

Skënder S. Kapiti: Lëvizja “Kokëdhima” – si “Zgjidhje”e çprangosje për lirinë e demokracinë

Lëvizja politike e ndërmarrë nga z. Kokëdhima që me të drejtë është emërtuar  “Zgjidhja” pasi zgjedhjet elektorale në Shqipëri nuk kanë qenë pothuajse asnjëherë të lira dhe të pamanipuluara; dhe si të tilla, ato dhe pseudodemokracia shqiptare nuk kanë zgjidhur por vetëm sa kanë rritur e shtuar probleme si dhe kanë prangosur, komplikuar dhe konfliktuar politikën, demokracinë, individin dhe shoqërinë gjatë këtij tranzicioni.

Se pari unë konstatoj dhe vlerësoj se: Z. Koço Kokëdhima kërkon zgjidhjen e problemit qëndror dhe esencial të demokracisë në Shqipëri që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme që sipas vizionit të  tij: me këtë zgjidhje të këtij kryeproblemi fillon edhe reformimi dhe funksionimi i Lirisë dhe i Drejtësisë, pra ndërtimi i shtetit ligjor me standarte demokratike i cili i hap rrugën edhe integrimit për në BE. Ky vizion i Z. Kokëdhima vjen në pëputhje të plotë me atë të demokracisë perëndimore e cila gjithmonë vëmendjen kryesore dhe si celësin për konstituimin e demokracisë dhe integrimin e Shqipërisë në BE ka vlerësuar dhe ia ka lënë detyrë politikës shqiptare realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Dhe së dyti Lëvizja “Zgjidhja”e Kokëdhimës i shërben emancipimit demokratik jo vetëm të Partisë Socialiste por të të gjitha partive politike shqiptare kudo ato janë si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni: kjo si zgjidhje e cila t’i shërbejë lirisë së mendimit  ndryshe dhe demokratizimit të brëndshëm të tyre kundër monopolit autoritarist të elitës dhe të establishmenrit politik, kundër monolitizmit formal të partisë, ku kryetarëve të partive  t’u hiqet pronësia mbi  partinë të cilën ata e konsiderojnë si mjet dhe material njerëzor, si dhe ku vendimmarrja të mos jetë apriori e kryetarit por të jetë liri, atribut  dhe e drejtë e antarësisë dhe jo e establishmentit “elitist” partiak te ngushtë dhe klientelist  e klanor.

Demokracinë në Shqipëri kryetarët e partive politike e kanë shndërruar dhe i kanë dhënë fizionominë dhe kanë bërë që ajo të  funksionojë  si një sistem anarkodemokratik si të një bajraktarizmi politik modern.

Partite politike jo vetëm ato në Shqipëri por edhe ato në Kosovë e Maqedoni  janë tipike autoritariste, prona te kryetareve të cilët edhe kur ata “vetëlargohen” pronarë të tyre janë  dhe mbesin realisht po ata, kryetarët fantazma të tyre, sepse ata lënë në krye të tyre servilët, puthadorët dhe “trashëgimtarët” më të pa autoritet e të pa dinjitet sic është rasti i kryetarit aktual të PD-së Lulzim Basha.

Unë, prandaj edhe ia kushtova këtë shkrim Lëvizjes së Kokëdhimës, ishdeputet i Partisë Socialiste sepse ai duket se po inkurajon një Lëvizje politike të guximshme kundër lidershipit absolut të saj, Edi Ramës, kundër autoritarizmit të establishmetit politik të të ashtuquajturës “Rilindje” të tij dhe që arriti kulmin e vet me rizgjedhjen hipokrite të tij si kryetar i PS-së me një farë referendumi të padëgjuar ndonjëherë pak a shumë dhe realisht me një pyetje të tillë se: A jeni dakord që unë Kryeministri i Shqipërisë të rizgjidhem dhe kryetar partie.

Dhe në cilën parti shqiptare që do ta kishte pushtetin  antarësia e tyre do të guxonte të dilte kundër vullnetit të kryeministri të shtetit në Shqipëri.

Dhe a do të guxonte ndonjë parti edhe në Kosovë e Maqedoni ta bënte këtë, pasi edhe atje kryetarllarët  janë zgjedhur e rizgjedhur si kryetarë pa kundër kandidatë, dhe biles edhe me rezultate më të thella se sa ajo kur zgjidhej Enver Hoxha si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare me mbi 99% të votave si shëmbull ky në tri partitë kryesore të atjeshme.

Establishmentet politike apo sic kanë dëshirë të vetreklamohen ato  si “elita”politike, në Shqipëri dhe Kosovë, ato janë  edhe pronarë të  Partive, edhe të politikës , edhe të grupeve parlamentare, të grupeve kuvendore lokale dhe ai që ka qeverinë është edhe pronar qeverie dhe presidenti sillet si pronar i Presidencës.

Në Shqipëri dhe në Kosovë është shumë e vështirë që të dalë një Lëvizje antiestablishmet si ajo e Presidentit Donald Trump në SHBA, pasi as politika dhe as elektorati nuk e kanë akoma pjekurinë e duhur politike dhe demokratike sepse Shqipëria tepër vonë ka hyrë dhe me shumë vështirësi po lëviz drejt demokracisë dhe integrimit.

Por një Lëvizje e tillë është më se e nevojshme për vëndin për të dalë nga kjo anarkodemokraci  traumatike 25 vjecare, e cila , në jo pak aspekte është treguar më e dëmshme se vetë  komunizmi.

Ҫdo  parti politike  në Shqipëri dhe në Kosovë duhet  të bëjë një vetë-VETING për t’u cliruar  nga kapja  dhe nga pengmarrja që u është bërë atyre nga kyetarët autoritaristë dhe establishmenti politik  i ngushtë servil dhe i paaftë  rreth tyre, të cilët mendojnë e veprojnë vetëm për përfitime dhe për intersa të ngushta personale, klanore dhe nepotike.

Por shënjat për një Lëvizje të tillë në Shqipëri me sa duket po vërehen dhe më sakt është “Antipolitika”e politikanit vizionar Kokëdhima, të cilën publiku e quan tashme si Lëvizja “Kokëdhima” brënda  Partise Socialiste në pushtet. Lëvizja e Z.Koҫo Kokëdhima ka  kohë  e cila  ka filluar tashmë si një Lëvizje kundër establishmentit aktual të PS-së, si një Rilindje e duhur  kundër “rilindasve” të pseudoRilindjes qeverisëse aktuale të E.Ramës të PS-së si një domosdoshmëri dhe si nevojë për të afruar të dëbuarit  dhe të braktisurit socialistë potentë intelektualisht, patriotikisht e politikisht si dhe meritorët e vërtetë të së Majtës Shqiptare në shërbim të të braktisurve, të përjashtuarve dhe të të harruarve hallexhinjë të cilët  i besuan dhe e votuan PS aq shumë në qershor të vitit 2013, por që tashmë ata janë shumë të zhgënjyer prej qeverisjes se “rilindasve” te saj.

Ndoshta Z. Kokëdhima ka dhe e ndjen se PS mund ta pësojë ashtu si PD para 4 vitesh me të ashtuquajturin KOP-in e saj, sajesen e Berishes në vitin 2013 pikërisht po prej kësaj lloj politike si kjo aktuale, prej këtij establishmenti të pushtetit politik partiako-shtetëror të sotëm i cila ngjason me atë të establishmentit  të PD-së dhe pothuajse me të gjithë establishmentin pluripartiako-politik  në Shqipëri: me mashtrime, me premtime të pambajtura, me qeverisje klienteliste, të korruptuar dhe me të paaftë si dhe me po të njëjtin model kualicioni sic e qeverisi Shqipërinë edhe PD-ja.

Pra në Shqipërinë e vogël, të varfër, të papunë dhe pa influencë  dhe me rëndësi periferike për Perëndimin, reformatori Koҫo  Kokëdhima kërkon reformimin real të PS-së së pari; së dyti një dekriminalizim  real të politikës dhe një zbatim po real të Reformës në Drejtësi në funksion të  Reformimit të Shtetit shqiptar me ligje dhe me standarte moderne demokracie dhe të shtetit ligjor si dhe të  integrimit të tij për në BE.

Koҫo Kokëdhima  mendoj se ka konkluduar  ndryshe nga të tjerët më përpara, pasi ka dështuar dhe nuk është rezultativ fakti i largimit nga Partia dhe krijimi i ndonjë partie të re sic janë krijuar  dhe kanë  sterlindur me dhjetra partiza deviancash e derivatesh politike në Shqipëri, fakt që ka sjellë dhe rritur vetëm parazitizëm, maskarallëk, korrupsion dhe matrapazllëk  të ulët dhe servilizëm politik që vetëm sa e ka përkeqësuar demokracinë, patriotizmin  dhe vetëm sa ka shtuar vuajtjet, hallet ,problemet dhe ka rritur kostot për taksapaguesit shqiptar për ta mbajtur këtë parazitizëm pluralist politik.

Pra alternativa progresiste e z. Kokëdhima nuk është interesi i tij personal për të krijuar një parti fiktive dhe për të siguruar e mbajtur  një vulë partie sic kanë bërë kryetarët e dhjetra e dhjetra minipartive ose kryetarët e partive pa antarësi në Shqipëri, por alternativa e Lëvizjes së tij është misioni për ta demokratizuar së pari PS-në e që t’i shërbejë edhe çlirimit të demokracisë nga prangat e autoritarizmit, nepotizmit, klanizmit, korrupsionit , injorancës dhe të jopatriotizmit.

Kokëdhima është modeli i politikanit shqiptar  aktual shumë të rrallë,  që është ndjeshëm, i përgjegjshëm  dhe patriot  dhe i cili e shikon interesin e vet personal brënda interesit kombetar dhe të atij publik.

Lëvizja “Kokëdhima” duhet parë si një Lëvizje e guximshme intelektualisht dhe politikisht në përballje së pari me establishmentin autoritarist  të Partisë Socialiste ashtu sikurse bëri dhe Donald Trump në Partinë Republikane në SHBA dhe që pastaj votuesi amerikan e votoi për President. Pra, kjo Lëvizje e Kokëdhimës duket se është  si ajo e Donald Trump, për vetë faktin se në SHBA ajo pati edhe rezultatin e vet të pa parashikueshëm në shtetin simbol të lirisë dhe të demokracisë botërore, si një Lëvizje që mundi fillimisht establishmentin politik të Partisë Republikane së pari dhe pastaj edhe kundërkandidaten  të cilën e kishte zgjedhur establishmenti i Partisë Demokratike, e ndërsa Trump-in e kishte zgjedhur antarësia e Partisë Republikane.

Këtë duhet ta kuptojë antarësia socialiste dhe opinioni publik po deshi që të fitojë zgjedhjet në Qershor 2017, pasi aktualisht, PS dhe pushteti e qeverisja e saj është kapur nga kjo pseudoRilindje që ka zhgënjyer jo vetëm qytetarin shqiptar por edhe vetë masën e antarësisë dhe të simpatizanëve të PS, e cila mund të ndëshkohet në Qershor 2017  ashtu si  Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2013. Zgjidhjet , lëvizjet dhe ndryshimet politike të pative bëhen nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë, sepse “të lartët” apo establishmenti kërkon të qëndrojë me cdo kusht lart dhe ata janë kundër lëvizjes, ndryshimeve dhe të zgjidhjeve   që vijnë  dhe që i kërkon baza nga poshtë.

Dhe Kokëdhima këtë kërkon së pari që: deputetët, kandidatët për deputetë t’i zgjedhë antarësia dhe jo kryetari, jo establishmenti politik. Pra,Kokëdhima fton vullnetin e lirë demokratik të antarësisë së partisë që të vendosë kundër vullnetit e presionit autoritarist  imponues  të elitës së ngushtë  apo establishmetit të Partisë dhe të interesit personal dhe klanor.

Është i thjeshtë dhe i kuptueshëm vizioni i reformatorit Kokëdhima i cili ka deklaruar qartë dhe pastër se: “duhet të ftojmë në skenë popullin…, jo kandidatët  për deputet t’i caktojë kryetari i Partisë. Nuk i reformojnë kryetarët partitë ”.

A nuk është pra kjo një thirrje antielitë dhe antiestablishmet politik për demokratizimin  jo vetëm të PS , por të politikës shqiptare në përgjithësi e cila e ka privatizuar politikën, pushtetin(pozitën), kundrapushtetin(opozitën)  si dhe shoqërinë dhe të drejtën shtetërore. Dhe u takon së pari mediave që si pushteti antipolitikë dhe antikorrupsion që duhet të jetë, ato duhet të përhapin dhe të propagandojnë cdo nismë kurajoze dhe vizionare sic është sot “Zgjidhja” e Kokëdhimës që e kërkon domosdoshmërisht koha, progresi, moderniteti, integrimi dhe jo që mediet të bëhen palë me establishmentin politik dhe me mos-ndryshimin.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …