vala – old
driloni com
muqa 900
vipa
mbpzhr
Fillimi / Dëshmorët / Musa Xhafer Hajrizi (20.8.1975 – 6.10.2000)
Musa Xhafer Hajrizi (20.8.1975 - 6.10.2000)

Musa Xhafer Hajrizi (20.8.1975 – 6.10.2000)

Fshati Strovc i Vushtrrisë, i njohur për rezistencë kundër pushtuesve të ndryshëm, luftës heroike të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Jashar Jashari, i njohur si Komandant Duraku, Januz Jasharin, Xajë Jasharin, Hamdi Hajrizin, Enver Tahirin, Nazmi Aliun dhe Musa Hajrizin.
Musa Hajrizi, lindi më 20 gusht 1975, në fshatin Stroc, Komuna e Vushtrrisë.
Në vendlindje, në shkollën “Liria” i përfundoi mësimet e shkollës fillore. Pastaj vazhdoi mësimet në Shkollën e Mesme “HASAN TAHSINI”, (ish-“Nikolla Teslla”), në Kastriot, (ish-“Obiliq”), kurse studimet i vijoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, Dega: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Musa ishte një djalosh i hedhur zeshkan. Kishte një trup të gjatë dhe të shëndoshë. Ishte i dashur me të gjithë të afërmit, me shokët dhe bashkëluftëtarët e tij. Ishte këmbëngulës në qëndrimet e tija, ishte i aftë që ta zotëronte mirë dhe drejt situatën në të cilën ballafaqohej. Musa në shpirt e kishte folklorin burimor, i cili u këndonte heronjve tanë kombëtarë. Musa këngën burimore shqipe kurrë nuk e ndali së heshturi, por kënga ishte shoqëruese, ku së bashku me kushëririn e tij, Hamdiun dhe bashkëluftetarët e tjerë, u këndonin trimave të lirisë, edhe ndër betejat më të fuqishme këndonin Himnin Kombëtar, me mjaft zell dhe dashuri me zërin e tyre të ëmbël, trimërie.
Musa ishte pjesëmarrës aktiv në çdo demonstratë që organizohej nëpër periudha të ndryshme kohore dhe sidomos në demonstratat që organizoheshin gjatë viteve 1989, 1998, 1997. Kontaktet e para me ilegalen patriotike i ka pasur në fshatin Prekaz, në vitin 1997. Gjatë kësaj kohe Musa propagandonte luftën e armatosur dhe të organizuar si mënyrën e vetme për çlirimin e vendit njëherë e përgjithmonë nga zgjedha serbe.
Më 1997, i vijonte studimet në vitin e dytë të Shkollës së Lartë Pedagogjike, Dega: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, në Prishtinë, por u detyrua t`i ndërpriste studimet, duke i thënë kështu, lamtumirë Universitetit të Prishtinës.
Më 11 dhjetor 1997, Musa së bashku me kushërinjtë dhe me shumë shokë si: Hamdiu, Izeti dhe Samiu patën kontaktet e para në UÇK. Fillimisht u takuan te Ura e Polacit në Drenicë, me komandantin, Ilaz Kodra, ku edhe aty i ndanë detyrat guerile, dhe përgatiten për veprimet e para. Një kohë të gjatë vepruan në Drenicë dhe në Artakoll. Takime të tilla kishin bërë edhe në vëndin e quajtur Gjyteti, në Stroc. Musa Hajrizi ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake dhe ato i ka zhvilluar në fshatin Trimor, ish-“Zhilivodë”, si dhe në vendlindjen e tij, fshatra këto rrëzë maleve të Qyçavicës. Ka qenë pjesëtar i Togës së Parë, Kompania e Parë, Batalioni i Parë, Brigada 142 e Zonës Operative të Shalës.
Si pjesëtar i UÇK- së, për herë të parë është vendosur në fshatin Likoc.
Në mars të vitit 1998, nga Perëndimi kishte ardhur bashkëvendasi i Musës, Jashar Jashari, me një grup shokësh të cilët formuan shtabin në fshatin Trimor dhe në Strovc. Musa, me lejen e shtabit të Likocit, iu bashkua komandant Durakut. Në fillim, ai dha një kontribut mjaft të madh në zgjerimin e UÇK-së, në fshatrat e Artakollit dhe përreth.
Në verë të vitit 1998, Musa së bashku me disa bashkëluftetarë të UÇK-së, duhej të shkonin në Shqipëri për t`u furnizuar me armë lirie, meqenëse ishte zgjeruar UÇK-ja, dhe veprimtaria e saj. Rrugëtimin që do ta merrte për në Shqipëri e kishte kuptuar vetëm xhaxhai i tij, Zekë Hajrizi. Ky ishte grupi i parë që shkoi në mënyrë të organizuar në Shqipëri nga Shtabi që vepronte në Trimor.
Pas kthimit nga Shqipëria, në Junik, u takua me grupin e dytë të shokëve nga shtabi i Trimorit. Pas ca ditësh Musa dhe bashkëluftetarët e tij, u kthyen nga Shqipëria dhe sollën armatim. Ilaz Kodra dhe Rexhep Selimi e kishin urdhëruar Musën të kontaktonte me Rrahman Ramën. Po atë natë nga ora një pas mesnate, u takuan në odën që shërbente për shumë takime të UÇK-së, pikërisht, në odën e madhe të gjyshit të Musës, Brahim Hajrizi, duke biseduar gjerë e gjatë për UÇK-në, për hapat dhe lëvizjet e reja që do të kryenin, si dhe betejat që i prisnin në të ardhmen, në përballje me armikun e urryer, por dhe shumë më të armatosur. Sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, ishin ndarë nga pesë ushtarë, të cilët kishin kryer shumë aksione guerile. Musa së bashku me bashkëluftëtarët e tij të ngushtë, Komandantin, Jashar Jashari-Duraku, pastaj ushtarët: Hamdi Hajrizi, Rrahim Tahiri, Xajë Jashari, Mrikë Berisha, Nexhmedin Jashari, Fetah Berisha, Sami Saraçi, Bajram Haziri, Yll Jashari, si dhe bashkëluftetarë të tjerë, morën pjesë në shumë beteja.
Më 11 qershor të vitit 1998, forcat e UÇK-së, në Zonën Operative të Shalës u ndeshën me forcat policore – ushtarake – paramilitare – serbe në fshatin Hamidi, ku qëllimi i tyre ishte të depërtonin në fshatrat përreth Artakollit. Luftëtarët e lirisë shkuan atje t’i dalin në ndihmë popullatës civile dhe të mos lejonin që forcat e armikut të depërtonin mbi pozicionet, të cilat ishin të vendosura në fshatrat: Hamidi, Burim (ish-Bivolak), Gurakuq (ish-Gllavotin), Mirash (ish-Mihaliq), Strovc, Beçuk dhe Zhilivodë. Beteja u ndez e rreptë dhe atë ditë doli në pah trimëria dhe vendosmëria e luftëtarëve të UÇK-së. Pas disa orë luftimesh aty do të mbesin të vrarë katër policë serbë. Në këtë betejë, forcat e UÇK-së, korrën një fitore të madhe duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz dhe në teknikë lufte. Mu atë ditë, aty mbetën të vrarë dy policë serbë dhe tre të plagosur, si dhe një tank i shkatërruar, kurse nga radhët e UÇK-së, u plagos Komandant Duraku. Ishte kjo një fitore, e cila bëri jehonë në popullatën e Artakollit dhe ngriti moralin e ushtarëve të UÇK-së dhe të popullit që shihte te luftëtarët e UÇK- së, shpëtimtarët e vërtetë. Musa Hajrizi mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në fshatin Gurakuq, në Drenicë dhe në Rrafshin e Kosovës.
Këto beteja kishin përfunduar me sukses. Beteja të tilla u zhvilluan gjatë vitit 1998, edhe në vende të tjera si në: Likoc, Hamidi, Burim, Sibofc, Hade, Stroc, Trimor etj. Beteja të rrepta dhe të fuqishme u zhvilluan edhe gjatë vitit 1999, në Druar, ku kjo betejë për mbrojtjen e territoreve dhe popullatës aty, zgjati dy javë, pastaj në: Mihaliq, Bequk, në Ashlan dhe fshatra të tjera përreth. Në të gjitha këto beteja, Musa u dallua për trimëri dhe guxim të madh.
Më vonë, më 1998, Musa, si ushtar i dalluar nga eprorët e tij, u propozua dhe u zgjodh kandidat për të shkuar në Shkollën Policore Ushtarake të Ashlanit.
Në këto ushtrime Musa kishte treguar ndërgjegje e përkushtim të lartë deri në përfundimin e Luftës Çlirimtare të UÇK-së.
Pas përfundimit të luftës dhe pas transformimit të UÇK-së, në TMK, Musa përsëri do të kyçet dhe do të shërbejë deri në çastin e fundit të vdekjes së tij tragjike .
Vdekja e Musës u përjetua thellë nga shokët, sepse nga ta u nda shoku i fëmijërisë, i shkollës, i studimeve dhe bashkëluftëtari, të cilit nuk i druhej dhe as që i trembej syri nga okuptaori serb, i cili për asnjë çast nuk iu nda luftës çlirimtare. Vdekja e Musës u përjetua me dhembje e pikëllim të madh, jo vetëm nga familja e gjerë Hajrizi, por nga të gjithë ata që e kanë njohur.
Vdiq në moshën 24-vjeçar. Ai la gruan, prindërit, vëllezërit, motrat dhe dy fëmijët, binjakë, djalin dhe vajzën: Albionin e Albionën.
Varri i Musës gjendet në varrezat e dëshmorëve, në fshatin Bletajë (ish-Stanoc), komuna e Vushtrrisë, pranë varreve të shokëve dhe bashkëluftetarëve të tij, tëj cilët dhanë jetën për liri. Gjashtë Tetorin Familja e gjerë Hajrizi dhe të tjerët nuk do ta harrojnë kurrë, por do të mbesë ditë dhe muaj i shenjtë përjetësisht, për ta rikujtuar figurën reale dhe patriotike të dëshmorit Musa Hajrizi. (A. Q.)