Duke vënë në dukje se disa vende evropiane që po përgatiten të lehtësojnë kufizimet për të ndalur përhapjen e coronavirusit, kreu i OBSH-së të hënën u bëri thirrje vendeve që “të vazhdojnë të gjejnë, izolojnë, testojnë dhe trajtojnë të gjitha rastet”. Duke folur në konferencën e tij të rregullt me gazetarët në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rënia e numrit të rasteve të reja të koronavirusit sigurisht që është një shenjë e mirë. Megjithatë, ai paralajmëroi se pandemia nuk ka mbaruar. Ghebreyesus vuri në dukje prirjet në rritje të rasteve me koronavirus në Evropën Lindore, Afrikë, Amerikën Latine dhe në disa pjesë të Azisë.
