Mbrëmë në Malishevë, është mbajtur nata e parë e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”-edicioni i tetë, festival që tashmë është tradicional.

Mbrëmë në Malishevë, është mbajtur nata e parë e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”-edicioni i tetë, festival që tashmë është tradicional. Në këtë festival po marrin pjesë ansamble, shoqëri, grupe dhe këngëtar të shumtë, nga të gjitha trevat shqiptare, duke prezantuar vlerat e folklorit tonë të pasur, përmes këngëve, valleve e lojërave tradicionale shqiptare.

Festivali është hapur nga i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nën përkujdesjen e të cilit edhe mbahet ky festival, ndër festivalet më të mëdha në trojet shqiptare.

Në fjalën e hapjes së festivalit, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se “kjo padyshim është ngjarja më e madhe kulturore në komunën tonë dhe është festival, që gërsheton historinë dhe artin e folklorit burimor shqiptar, të kultivuar brez pas brezi në odat tona. Oda simbolizon mikpritjen, që është virtyti më i larët shqiptar, e në veçanti në trevën e Llapushës. Malisheva është vendlindja e rapsodëve më të shquar që ka pasur kombi ynë, të cilët me artin e tyre i kanë kaluar edhe kufijtë, duke na përfaqësuar denjësisht në gara ndërkombëtare, madje duke marrë vendet e para në nivel të Evropës”, tha mes tjerash në fjalën e hapjes, i pari i Malishevës, Ekrem Kastrati. Ai më pas, tha se “ky festival, po i bën bashkë dhe i mirëpret artistët dhe grupet më të mira nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Medvegja dhe Diaspora” dhe i ka uruar të gjithë pjesëmarrësit dhe jurinë profesionale, e cila do të vlerësoj artistët që marrin pjesë në festival.

Festivali “Oda e Llapushës”, mbahet në kuadër të shënimit të ditëve të diasporës, ndërsa këtij aktiviteti i paraprinë, panairi me veshje dhe ushqime tradicionale dhe parakalimi i grupeve dhe artistëve nëpër rrugët e qytetit të Malishevës.

Sonte, mbahet nata e dytë dhe shpallen fituesit sipas kategorive të përcaktuara, kurse çmimi kryesor i festivalit është çmimi “Salih e Feriz Krasniqi”.

Kontrolloni gjithashtu

Poeti Ali H.Tahiri ndanë Mirënjohje post mortum profesor Ahmet Qeriqit për kontributin jetësor ndaj kombit dhe atdheut

Në një moment të mbushur me emocione dhe respekt të thellë kombëtar, poeti i njohur …