Azem Galica

Azem Galica, ishte Komandant i çetave kryengritëse të Kosovës kundër Serbisë dhe jo “kaçak mali”

( … me rastin e varrimit të eshtrave të familjarëve të Azem Galicës)

Emërtimet e caktuara, që lidhen me ngjarje, lëvizje dhe fenomene të ndryshme, kurdoherë  kanë ndryshuar dhe duhet të ndryshojnë në kohë dhe hapësirë, ne akord me krijimin e realiteteve të reja. Janë të shumta formulimet gjuhësore të kohës së pushtimit serb dhe jugosllav, të cilat tashmë nuk i qëndrojnë shqyrtimit realist të përmbajtjes dhe do të duhej të ndërpritej trashëgimia e tillë e emërtimeve, e sintagmave me përmbajtje të ndryshme, të cilat aktualisht nuk akordojnë me realitetin e ri, që është  krijuar në Kosovë, qysh nga viti 1999.

Dikur, duke përkthyer fjalë për fjalë nga gjuha serbe, zyrtarët dhe studiuesit e lëmenjve të caktuar, sidomos në Kosovë kanë mbartur  në gjuhën shqipe  formulime, të cilat nuk kanë qenë në akord me realitetin, madje as me natyrën e gjuhës shqipe, por janë imponuar së bashku me gjuhën dhe qëndrimin zyrtar të pushtuesit.

Lëvizja çlirimtare e Azem Galicës dhe trimave të tjerë të Drenicës e mbarë Kosovës kundër pushtimit serb të vendit, është formuluar si “Lëvizje e kaçakëve”,  përkthyer fjalë për fjalë nga “Koçaçki pokret” që do të thotë  lëvizje e banditëve, e hajnave  dhe harbutëve. Fjala “kaçak” rrjedh nga fjala e përbërë e gjuhës turke, “kaç” dhe “ak”që në përkthim do të thotë “kap” dhe “ik”,  hajn, rrëmbyes, plaçkitës, dhunues, bandit. Përpjekjet, që nga kjo fjalë të nxirret ndonjë derivat afirmativ, kanë qenë dhe janë të kota madje janë tejet anakronike për kohën tonë.

Imponimi, në të gjitha segmentet e jetës së shqiptarëve,  të cilin e ka ushtruar regjimi okupator sllav ka bërë edhe ndërrimin e tërësishëm të toponimisë dikur ilire e dardane, po ashtu ka bërë edhe ndryshimin e patronimeve duke iu shtuar  patronimeve shqiptare prapashtesat sllave: -iq, -ov, -oviq e të tjera.

Mendoj se është gabim i madh për historinë  dhe për shkencën shqiptare në përgjithësi, që edhe 17 vjet pas çlirimit nga Serbia dhe pas luftës sonë fitimtare të vazhdojnë  të jenë ende në përdorim këto emërtime, në esencë antihistorike, sepse ishin falsifikuar me qëllime të caktuara. Tërë lëvizja jonë çlirimtare gjatë kohës së sundimit turk është etiketuar si lëvizje antiturke e trajtuar se lëvizje e hajdutëve dhe komitëve, meqë kërkesat gjithë popullore për liri dhe autonomi nuk janë pranuar asnjëherë si kërkesa të ligjshme nga sunduesit e huaj.

 Është me interes të vërehet se historiografia shoviniste serbe, karakterin luftarak shqiptar e identifikon si mentalitet tipik plaçkitës, duke e nënvizuar atë si mentalitet tipik shqiptar. Dhe nuk është për t’ u habitur përse historia serbe dhe serbët e edukuar në këtë frymë i urrejnë patologjikisht shqiptarët, sepse ata tashmë i besojnë këtij përkufizimi. Po kështu, i ka trajtuar “kaçakë”  kryengritësit shqiptarë,  edhe historia jonë e shkruar dhe e zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, e cila për nga përmbajtja dhe metodologjia  ishte pjesë e po asaj shkolle antishqiptare të Beogradit zyrtar.

Kështu ndodhi që me emërtimin “kaçak” të identifikohen të gjithë luftëtarët çlirimtarë prej Ahmet Delisë, Azem Bejtës, Shote Galicës, Nak Berishës, Elez Isufit, Kamer Loshit e qindra të tjerëve.

U trajtua si lëvizje Kaçake tërë historia jonë e rezistencës aktive, prej vitit 1912 e deri në fillimin e luftës së Dytë Botërore. Mjerisht, ky emërtim pezhorativ, racist, antishqiptar haset kudo në shkrimet e historianëve tanë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe jo vetëm gjatë kohës së pushtimit, por edhe sot e kësaj dite, madje edhe 17 vjet pas çlirimit nga Serbia. Aktualisht botohen libra e studime të historianëve të shkollës titiste, ku lëvizja popullore antiserbe, trajtohet si Lëvizje Kaçake, duke bërë përpjekje mistifikuese të arsyetohet  ky emërtim, me faktin se kështu shkruan në literaturë dhe kështu dëgjohet edhe  në popull. Studiuesit e historisë shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetkë me këtë rast kanë bërë, dhe vazhdojnë  të bëjnë një krim të pafalshëm, dhe do të duhej që këtë damkë të zezë të lajnë sa më parë.

Edhe në vitet e pas luftës së UÇK-së, kudo në Kosovë u organizuan simpoziume e akademi, u botuan broshura e libra, u shkruan studime me kompetencë dhe pa kompetencë, u bënë dhe po bëhen përpjekje për ta ndriçuar tërë “Lëvizjen kaçake” duke e quajtur madje Lëvizja Kaçake Çlirimtare, ndërsa Azem Galicën Kryekomandant i kaçakëve.

Për hir të së vërtetës duhet veçuar me këtë rast dy studiues shqiptarë, të cilët, edhe pse me shumë vonesë e kanë hetuar se emërtimi “kaçak” është në kundërshtim me përmbajtjen historike të aktivitetit atdhetar të kryengritësve shqiptarë.  Studiuesi, Marenglen Verli, në librin e tij “Nga Kosova për Kosovën” vëren se “ në historiografi, ose në letërsinë historike, fjala “kaçak” ka një vokacion negativ, që shkon kah të quajturit “cub”, një emërtesë e cila u dedikohet njerëzve kokëshkretë, të dhunshëm… Duke iu referuar historisë shqiptare, të tillët nuk kanë qenë të pakët, dhe në fakt shumë prej tyre nuk kanë merituar të quhen kështu”.

Në Simpoziumin shkencor me temën, “80-vjetori i Betejës së Galicës, nën udhëheqjen e Azem Bejtës”, mbajtur në vitin 2004, prof dr. Jusuf Bajraktari ka vërejtur se “në studimet e derisotme u përmbysen vlerësimet antishkencore të historiografisë jugosllave serbomadhe dhe të cilat kishin përcaktuar këndvështrimin e vlerësimeve denigruese si, “Lëvizja Rebele” e mbiquajtur me përçmim si “Lëvizje Kaçake”. Këto  vlerësime qëllimkëqija e antishkencore, s’ishin gjë tjetër veçse një vazhdimësi e mendimit të dizajnuar  e të determinuar nga motive paragjykuese… si fenomen specifik të një populli të papërgjegjshëm e primitiv… ( Azem Bejtë Galica, Prishtinë 2009,  faqe,  24-25).

Pavarësisht këtyre konstatimeve, po thuajse të gjithë studiuesit, shkrimet e të cilëve janë botuar në këtë libër, Lëvizjen Çlirimtare të Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij e quajnë  dhe vazhdojnë ta quajnë në shkrimet e tyre si “Lëvizje Kaçake”. Mendoj se këta studiues  herdokur do të ballafaqohen me një dënimi moral, përderisa nuk heqin dorë nga ky qëndrim antishkencor. Për më keq, në veprat e tyre të botuara do të mbetet përgjithmonë kjo damkë e zezë, jo vetëm e paditurisë, por edhe e nënshkrimit dhe pranimit të rezignatës tragjike të pushtimit. Ky emërtim përbuzës nuk ndodhi vetëm nga moskujdesi gjuhësor, por nga vetë përmbajtja dhe qasja metodologjike e shkollës së Beogradit, nga shpirti skllav e rob, që në mendjen e disa studiuesve  shqiptarë gjallonte në të njëjtat nivele  me shkencën raciste serbe, në esencë antishqiptare.

Edhe lufta e UÇK-së në historiografinë serbe vazhdon të trajtohet si Lëvizje “terroriste”, kaçake, bandite, vrastare. Pas luftës në Kosovë forcat kundërshtare të luftës, dhe ikanakët filluan të vënë në përdorim trajtat pezhorative si UÇKA, “grupet e armatosura”, “Njerëzit e malit”, “Drenicakët” e formulime të tilla antishqiptare, pa çka se shqiptoheshin nga goja e atyre, të cilëve  gjatë luftës iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut.  (Ahmet Qeriqi)

Referencat:

Marenglen Verli: Nga Kosova për Kosovën”, Tiranë, 2006.

Prof dr. Jusuf Bajraktari: Azem Bejtë Galica, Prishtinë, 2009.

Jovan Xheletiq:Prejardhja e shqiptarëve. Internet google.

Vikipidia, në gjuhën serbe.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …