Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas nominimit të Glauk Konjufcës si mandatar për krijimin e qeverisë së re nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ai e ka cilësuar këtë veprim si një “farsë politike” dhe paralajmëroi se çdo mandatim pa shumicë të garantuar do të ishte shkelje kushtetuese. Në një reagim publik, Haradinaj theksoi se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk mund të japë mandatin për formimin e qeverisë në mungesë të provës që kandidati i propozuar ka mbështetjen e të paktën 61 deputetëve. “Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd pa dëshminë se kandidati e ka shumicën e nevojshme. Shumica dëshmohet vetëm me nënshkrime të deputetëve. Çdo veprim ndryshe do të ishte shkelje e rëndë kushtetuese,” – shkroi Haradinaj. Sipas tij, nominimi i dytë nga Lëvizja Vetëvendosje për “Qeverinë Konjufca 1” është vetëm një përpjekje për të “zgjatur kapjen e institucioneve të shtetit”. “Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme,” – përfundoi Haradinaj. Nominimi i Glauk Konjufcës si mandatar për qeveri erdhi pas dështimit të tentativës së parë për formimin e qeverisë së re nga Vetëvendosje, ndërsa afati kushtetues për votimin e saj pritet të skadojë më 5 nëntor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
