Bedri Hamza: TVSH zero për produktet bazike dhe barna

Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar sot një video të re në kuadër të fushatës zgjedhore, ku shpalos një nga prioritetet kryesore të programit të tij ekonomik: mbështetjen e drejtpërdrejtë për familjet kosovare përmes uljes së kostos së jetesës. Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Hamza thekson se rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve bazike ka vënë nën presion serioz buxhetin familjar, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e shtetit. Ai paralajmëron se, në rast të formimit të qeverisë së ardhshme, do të ndërmerren masa konkrete fiskale, përfshirë uljen e TVSH-së dhe aplikimin e TVSH-së zero për një sërë produktesh esenciale. Sipas Hamzës, kjo politikë do të përfshijë ushqimet bazë si buka, qumështi dhe nënproduktet e tij, drithërat, vezët, vajin, si dhe barnat dhe produkte të tjera të domosdoshme për jetën e përditshme. “Ky është një hap i drejtë për të ulur çmimet, për të lehtësuar barrën e familjeve dhe për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve,” thekson ai. Në përmbyllje, Hamza nënvizon se qeverisja që ai synon bazohet në drejtësi sociale dhe kujdes për qytetarin, duke shtuar se askush nuk duhet të përballet me vështirësi për të siguruar nevojat elementare të jetës. “Ky është angazhimi im. Bashkë. Përpara,” përfundon ai.

Kontrolloni gjithashtu

IKD: Partitë pa programe të matshme për qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit

Asnjë nga partitë politike në Kosovë nuk ofron programe të qarta, të strukturuara dhe të …