Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Sërgjan Lazoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Panorc të Malishevës. Gjatë seancës, u administruan provat materiale të Prokurorisë Speciale, ndërsa trupi gjykues aprovoi edhe ekspertizën e propozuar nga mbrojtja, pavarësisht kundërshtimit të prokurorit special Armend Zenelaj. Duke dhënë mbrojtjen e tij, Lazoviq pranoi se ishte mobilizuar si pjesëtar rezervë i forcave ushtarake serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999 dhe se kishte qenë i uniformuar dhe i armatosur. Megjithatë, ai mohoi kategorikisht çdo përfshirje në ngjarjet e Panorcit, duke theksuar se nuk kishte qenë asnjëherë në atë fshat gjatë periudhës për të cilën akuzohet. Prokuroria Speciale e Kosovës e ngarkon Lazoviqin se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në arrestimin, ndalimin dhe torturimin e rreth 500 civilëve shqiptarë, si dhe në dëbimin masiv dhe shkatërrimin e pronës civile gjatë viteve 1998–1999. I akuzuari është deklaruar i pafajshëm, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
