Deputetja e zgjedhur e LDK-së dhe ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së kryeministrit Albin Kurti lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe menaxhimin e ngrohjes në vend. Përmes një reagimi publik, Ymeri ka vlerësuar se fokusi i kryeministrit nuk duhet të jetë te mënyra se si qytetarët i përdorin ngrohjet nëpër shtëpi, por te problemet strukturore të sektorit energjetik dhe menaxhimi institucional i tij. “Edhe pse nuk ka pse të jetë shkaku nxemja, për rritjen e katërt të energjisë elektrike kryeministri merret me temën sa shumë po i lëshojmë nxemjet në dhoma. Se si duhet të menaxhojmë ngrohjen!”, ka shkruar Ymeri. Ajo ka akuzuar qeverinë për shmangie të çështjeve kryesore në energjetikë dhe ka përmendur edhe rolin e disa akterëve vendorë e ndërkombëtarë në zhvillimet e sektorit. Në deklaratën e saj, Ymeri ka përdorur gjuhë të ashpër kritike ndaj qeverisë, duke e lidhur situatën aktuale me, siç ka thënë ajo, “mafinë energjetike”. Po ashtu, Ymeri ka thënë se qytetarët po trajtohen vetëm si pagues të kostove, pa u përfshirë realisht në vendimmarrje. “Është ofendues fakti që ky me të vërtetë e konsideron popullin e vet statista me para njerëz që nuk flasin, por mbushin buxhetin dhe paguajnë marrëveshjet e tregtisë së rrymës pa fjalë”, ka theksuar Ymeri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
