Ibrahim Fejzullahu- Ibra u lind më 6 maj të vitit 1967, në fshatin Gosponicë, komuna e Preshevës. Ai u lind dhe u rritë në një familje atdhetare ku pjesëtarët e familjes, por edhe fshati në tërësi i ishin ekspozuar në vazhdimësi politikës persekutuese të okupatorit. Historia e familjes Fejzullahu bartej nga brezi në brez. Rrëfimet për dhunën, djegien, vrasjet e anëtarëve të familjes që nga Lufta e Dytë Botërore, kishin mbetur kujtime të trishta dhe rrëqethëse. Ato rrëfime aq sa ishin të dhimbshme aq ishin edhe orientuese se kah duhet të rreshtohen shqiptarët dhe kujt t’i besojnë si dhe mobilizuese për të marr një qëndrim e një angazhim për të ardhmen e jetës së tyre.
Ibrahim Fejzullahu shkollën fillore e kreu në shkollën fillore “15 Nëntori” në Preshevë, ku po ashtu mbaroi edhe shkollimin e mesëm në Qendrën Arsimore të Mesme të Orientuar “Skënderbeu” në Preshevë.
Ibrahimi u dallua si nxënës i shkëlqyeshëm, por mbi të gjitha e dallonte sjellja ku karakterizohej si një djalë i urtë, i shoqërueshëm dhe tërë gazmor.
Ibrahimi u detyrua që të ndërpres shkollimin me qëllim që të ndihmoj ekonominë familjare. Fillimisht ai punon punë fizike në agronomi e më pastaj drejtohet në tregti ku edhe krijon bazën e mirë ekonomike për vete dhe familjen e tij.
Para se të kyçet në UÇK, Ibrahim S. Fejzullahu (tani e tutje IBRA) ka qenë aktivist i SHHB Nëna Terezë – dega në Preshevë. Gjatë kësaj veprimtarie duke qenë gjithnjë në shërbim të banorëve hallexhinj, Ibra kishte vizituar thuajse të gjitha vendbanimet dhe lagjet e komunës së Preshevës, ku ka krijuar një përvojë të mirë në njohjen e njerëzve, në njohjen e terrenit, pastaj përvojën në komunikim dhe përgjithësisht ka krijuar imazhin e tij prej një njeriu të dashur dhe humanist. Këto virtyte ishin një alibi e mirë, që paraqitja e Ibrës, lëvizjet e tij në misione ushtarake që i caktoheshin, të krijonin sipërfaqësisht përshtypjen e lëvizjeve të një aktivisti humanitar e jo të një ushtari të UÇK-së.
Në vitin 1995, Ibra krijon një shoqëri të ngushtë me familjen e Halil Selimit, një veprimtari të madh të çështjes kombëtare, një ish i burgosur politik dhe njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, i cili në vitin 1993, për t’i ikur burgosjes së tretë detyrohet të jetojë dhe vazhdojë aktivitetin në Shqipëri.
Aktiviteti i tij prej humanisti, shoqëria e tij e vazhdueshme me familjarit e Halilit, qëndrimi i tij korrekt, i vëmendshëm, i urtë dhe i respektueshëm, ishin tipare që tërhoqën vëmendjen e drejtuesit të Njësive ushtarake në Preshevë, i cili pretendonte se ndihma eventuale e Ibrahimit do të ishte e mirë se ardhur dhe mëse e nevojshme.
Ibra banonte në rrugën Karposh në Preshevë, një pikë shumë strategjike nga mund të vështroje për mrekulli lëvizjet e njerëzve por edhe të forcave serbe, ngase kjo ishte rruga kryesore që lidhte Preshevën me fshatrat Tërnavë dhe Miratoc por edhe fshatin Norçë. Në dhjetorin e vitit 1997 për të vënë Ibrën në provë, nga drejtuesi i njësive ushtarake të UÇK-së, Zona e Tretë Operative, iu kërkua një bazë brenda shtëpisë së tij për një kohë të pacaktuar, duke i thënë se baza na duhet për të strehuar një shokë të ilegales dhe për të ruajtur përkohësisht disa armë. Përgjigja e shkurtër e Ibrës ishte “e kam ditur se ju jeni duke bërë diçka, jeni të organizuar. Unë jam me ju dhe llogaritni në mua”.
Në Korrik të vitit 1998, ai i bashkohet Shaqir Shaqirit në një udhëtim për në Shqipëri, deri sa ai shkonte për koordinim të aktiviteteve ushtarake. Në këtë udhëtim, Ibrahimi për herë të parë mori në dorë emblemën dhe veshi uniformën e UÇK-së. Vuri në supe plot dashuri armën e preferuar nga ai. Sytë i shkëlqenin dhe nuri i qeshte. Lexoi edhe fragmente të caktuara të veprës në dorëshkrim të autorit Gafurr Elshani “UÇK –Dokumente dhe Artikuj”. Ibra tani më kishte kishte informacione të plota dhe kishte ndarë mendjen. Të jesh ushtar i UÇK-së, për të ishte nderi më i madh dhe momenti më i lumtur. Me t’u kthyer në Preshevë, ai jep betimin dhe bëhet pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me 25 Korrik 1998 Ibra jep betimin dhe evidentohet në shtabin lokal të UÇK-së në Preshevë e që ishte nën direktivën e Shtabit të Përgjithshëm. Pas dhënies së betimin, Ibrës iu ofrua një armë e lehtë brezi, por Ibra me humorin e tij deklaroi se bashkë me veten në UÇK do të anëtarësoj edhe armën e tij personale të brezit. Ai po ashtu pyeti për shokët e tij, familjarët e Halil Selimit, nëse edhe ata janë të kyçur në UÇK. Në këtë rast nga drejtuesi i njësive ushtarake, Ibra u njoftua se ai gjatë tërë kohës kishte qenë në shoqëri me pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fillimisht merr detyrat e ushtarit pararojë, duke vëzhguar dhe siguruar terrenin për veprimin e lirshëm, lëvizjeve dhe furnizimin e njësiteve ushtarake. Më vonë, për shkak të gjendjes gjithnjë e më të tensionuar dhe domosdoshmërinë e faktorit njeri, Ibrahim Fejzullahu kyçet edhe në bartjen e armatimit në relacionin Preshevë – Gjilan. Në të shumtën e rasteve, Ai insistonte në aksione konkrete. Por, ishte një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që “Korridori i furnizimit Kosovë – Preshevë– Maqedoni”, duhet të ruhet dhe të mos dekonspirohet, gjë që për momentin përjashtonte çdo aksion të mundshëm.
Pos bartjes së armëve, Ibra me sukses të plotë ka kryer bartjen e Radio Kosova e Lirë nga Miratoca, fshat kufitar me Maqedoninë deri në fshatin Rahovicë, duke kaluar postblloqe të tëra të policisë serbe. Me sukses të plotë ka bërë përcjelljen e sigurt të personelit ushtarak, të ushtarëve të plagosur nga Gjilani – në Preshevë në drejtim të Kumanovës, bartjen e armatimit nga Presheva deri në Sllubicë (komuna e Gjilanit) përcjelljen e sigurt të një pjese të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga Gjilani në kufi me Kumanovën dhe detyrave tjera sipas dinamikës së zhvillimeve.
Për shkak të kaluarës së tij dhe krijimit të imazhit prej një humanisti, Ibrën kudo që do të ishte vërejtur, qoftë në këmbë apo me makinë, të linte përshtypjen se kishte dalë për të ndihmuar ata që kishin nevojë për ndihma në veshmbathje dhe ushqim. Kjo krijonte një mundësi të mirë të lëvizjes pa i rënë në sy armikut dhe pa ju dhënë mundësi të pa informuarve të flasin e të rrezikojnë lëvizjen e tij. Për shkak të këtyre përparësive dhe për shkak se vlerësohej si njëri ndër ata që i njehë më së miri edhe shtigjet edhe njerëzit, ai emërohet komandant i Njësitit të Tretë, togu i Parë, Kompania e Parë, me përgjegjësi të veçantë, ruajtja e pikës së Gosponicës.
Pika e Gosponicës ishte njëra nga nyjet, ku kalonte korridori i furnizimit nga Presheva për në Kosovë dhe anasjelltas. Ibra me bashkëluftëtarët e tij kishte për obligim që të ruanin kontaktet dhe të koordinonin aktivitetet e njësiteve ushtarake që vepronin në Gjilan dhe Preshevë e që lëvizja bëhej përmes Grykës së Sllubicës.
Ibra kishte kontakt të drejtpërdrejtë me Fazli Hajdarin, zv. Komandantin e Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që njihej si “korridori i furnizimit”, me të cilin edhe koordinonte aktivitetet ushtarake kryesisht ato të logjistikës. Si komandant i Njësitit, Ibra bashkëpunonte ngushtë me anëtarët e njësitit, Qerim Selimi, Afrim Shaqiri dhe Shefket Selimi.
Por, armiku nuk kishte qëndruar duarkryq. Me 29 maj 1999, një ekspeditë e forcave të armatosura të shtetit serb, rrethon fshatin Gosponicë dhe në një përballje të pabarabartë, Ibrahim Fejzullahu – Ibra së bashku me axhën e tij, Rrahim Fejzullahu, bien heroikisht në altarin e lirisë.
Ibrahim Fejzullahu – Ibra varroset në fshatin e tij të lindjes, aty ku edhe prehen eshtrat e të parëve të tij. Bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët, shokë dhe miq të shumtë të tij, shumë prej të cilëve e njohin si humanist e të tjetër si luftëtarë lirie, i bëjnë homazhe në çdo përvjetor të tij, duke kujtuar se amaneti i tij akoma nuk është përmbushur. Presheva, vazhdon të mbetet e okupuar dhe pa të drejta elementare të njeriut. Aty ku ndalohet përdorimi flamurit kombëtar, ku ndalohet shkrimi shqip në dokumente zyrtare, aty ku frika dhe kërcnimi për jetë është gjithnjë e më i pranishëm.
Me Ibrahim Fejzullahun ka rënë edhe axha i tij, Rrahim Fejzullahu, por Shtabi lokal i UÇK-së nuk ka arritur që të evidentoj si ushtar, ose ka qenë i rekrutuar nga vetë Ibra por Shtabi nuk ka pasur informacion.
Ibrahim Fejzullahu ka qenë i martuar dhe ka lënë pas vetes gruan, dhe dy fëmijët, djalin Lavdrimin dhe vajzën Naxhije që bartë emrin e nënës së Ibrahimit. Djali Lavdrimi ka migruan në Gjermani për të siguruar perspektivën e jetës së tij, ndërsa vajza jeton dhe vepron në Prishtinë. Naxhija ka mbaruar fakultetin e edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe punon si mësimdhënës në SHFMU Emin Duraku në Prishtinë.
Ibrahimi kishte një konstrukt të mirë trupor dhe kishte tipare të njeriu sportiv. Lehtë ngritej dhe më lehtë lëvizte duke i qëndruar lodhjes, diellit, erës dhe shiut. Për të kryer një mision, ai nuk pyeste dy herë dhe kishte besim në veten e tij, demonstronte guxim dhe gatishmëri për veprim.
Për nga natyra ishte i qetë, në të shumtën e rasteve i buzëqeshur, bashkëpunues dhe i shoqërueshëm. Këtë ia kishte mësuar përvoja si humanistë në kuadër të Shoqatës humanitare bamirëse Nëna Terezë, ku ai kishte krijuar një rrejt të gjerë shokësh dhe kishte fituar njohuri dhe përvoja të reja mbi emocionet e njerëzve.
Në shenjë nderimi të jetës dhe veprës së Ibrahim Fejzullahut, kontributit të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe rënies së tij në krye të detyrës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Zotëri Hashim Thaçi, me datë 16 Maj 2019, nxjerr vendimin dhe e dekoron dëshmorin e kombit, Ibrahim Fejzullahun, me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Pranë varrit të Ibrahim Fejzullahut në fshatin Gosponicë, ka qenë e vendosur vetura e tij personale me të cilën Ibra e kishte bartur aparaturën e Radio Kosova e Lirë. Në fund të vitit 2022, familja e Ibrës ka pranuar që vetura të bartet në drejtim të Kosovës dhe të vendoset në objektin Muze në Berishë atje edhe ku janë të vendosura si relikte pjesët e aparaturës Radio Kosova e Lirë. (Shaqir Shaqiri)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
