Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, duke vlerësuar se rënia e numrit të votuesve për shumicën e subjekteve politike është tregues i zhgënjimit në rritje të qytetarëve ndaj politikës së premtimeve. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se kur pothuajse të gjitha partitë politike humbin mbështetje, askush nuk mund të pretendojë se ka fituar zemrat e qytetarëve. Sipas Shahinit, zgjedhjet e fundit dëshmuan se votuesit në Kosovë po kërkojnë më shumë përgjegjësi, rezultate konkrete dhe qeverisje efektive, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga retorika politike dhe premtimet e pambajtura. “Rënia e votuesve rrëzon çdo triumfalizëm politik. Kur pothuajse të gjitha partitë humbin mbështetje, askush nuk mund të thotë se ka fituar zemrat e qytetarëve. Kjo është një kambanë alarmi për të gjithë spektrin politik”, ka deklaruar Shahini. Ai theksoi se besimi i qytetarëve nuk është i përhershëm dhe nuk trashëgohet, por duhet të fitohet vazhdimisht përmes punës, përgjegjësisë dhe rezultateve konkrete. “Besimi nuk trashëgohet, fitohet çdo ditë”, ka thënë Shahini, duke bërë thirrje që klasa politike të reflektojë seriozisht mbi mesazhin që qytetarët kanë dhënë përmes votës së tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
