Xhevat Hasani: MAQEDONIA E VERIUT: NGA BALANCIMI TE MONETNICITETI

Shfuqizimi i mekanizmit të balancimit i ka hapur rrugë krijimit të ushtrisë, policisë dhe administratës monoetnike maqedonase në Maqedoninë bietnike dhe multietnike

Përfaqësimi dhe punësimi i barabartë

Në Marrëveshjen Ndërkombëtare të Ohrit, të 13 gushtit 2001, të arritur menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të shqiptarëve në Maqedoni dhe forcave ushtarake e policore monoetnike maqedonase, ndër të tjera, u vendos që në Republikën e Maqedonisë të garantohej përfaqësimi dhe punësimi i barabartë i pjesëtarëve të etnive të ndryshme në institucionet publike dhe shtetërore të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Marrëveshja e Ohrit synonte, në radhë të parë, rritjen e përfaqësimit dhe të punësimit të shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore, sepse, ndonëse përbënin 30% të popullatës së vendit, ata kishin përfaqësim minimal në këto institucione.

 

Vendosja e mekanizmit të balancimit

Në përputhje me këtë parim të Marrëveshjes së Ohrit u vendos «mekanizmi i balancimit», sipas të cilit punësimet e qytetarëve në institucionet publike dhe shtetërore të përmendura më lart duhej të bëheshin në përputhje me përqindjet që zinin etnitë e ndryshme në popullatën e përgjithshme të Maqedonisë.

Kështu, nëse një ministri kërkonte punësimin e 9 punonjësve, 6 prej tyre duhej të ishin maqedonas (sepse maqedonasit përbënin 60% të popullatës së vendit), 3 duhej të ishin shqiptarë (sepse shqiptarët përbënin 30% të popullatës së vendit) dhe 1 duhej të ishte nga etnitë pakicë, si turqit, boshnjakët, romët etj.

Një punësim i tillë në institucionet publike dhe shtetërore, në përputhje me përbërjen etnike të qytetarëve, nga njëra anë realizonte përfaqësimin dhe punësimin e barabartë të pjesëtarëve të etnive të ndryshme, ndërsa, nga ana tjetër, bënte që ushtria, policia dhe administrata shtetërore e shtetit maqedonas të ishin bietnike (1) dhe multietnike, ashtu siç është vetë Maqedonia: vend bietnik dhe multietnik. Kështu, ato nuk do të ishin institucione kryesisht monoetnike maqedonase, siç kishin qenë deri para konfliktit të vitit 2001 ndërmjet UÇK-së së shqiptarëve dhe forcave monoetnike maqedonase.

 

1.Termi «vend bietnik» nënkupton një vend që ka dy shumica kombëtare shtetformuese – në rastin konkret, shumicën kombëtare maqedonase dhe shumicën kombëtare shqiptare — si dhe ka komunitete pakicë, të cilat i japin vendit edhe karakter multietnik

 

Ardhja në pushtet e VMRO-së dhe Mickoskit

Siç dihet, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024 në Maqedoni i fitoi partia maqedonase VMRO, e cila erdhi në pushtet me Hristjan Mickoskin si kryeministër. Ky i fundit, duke qenë një antishqiptar par excellence, gjatë fushatës parazgjedhore kishte premtuar, ndër të tjera, se do ta shfuqizonte edhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001. Pse?

Thjesht, sepse ajo marrëveshje u kishte garantuar shqiptarëve përfaqësim dhe punësim të barabartë në institucionet publike dhe shtetërore, sipas përqindjes së tyre në popullatën e vendit; u kishte garantuar arsim të lartë universitar në gjuhën amtare, si dhe përdorimin e shqipes, krahas maqedonishtes, si gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Shfuqizimi i mekanizmit të balancimit

Kryeministri Mickoski e nisi shfuqizimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 duke ushtruar trysni ndaj Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, që ajo ta shfuqizonte mekanizmin e balancimit, i cili garantonte përfaqësim dhe punësim të barabartë të pjesëtarëve të etnive të ndryshme në institucionet kyçe shtetërore të Maqedonisë. Me këtë synohej që në këto institucione të punësoheshin sa më shumë maqedonas dhe sa më pak shqiptarë.

E ndodhur nën trysninë e kryeministrit Mickoski, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, më 9 tetor 2024, në mënyrë antikushtetuese e shfuqizoi mekanizmin e balancimit për përfaqësimin dhe punësimin e barabartë të bashkësive etnike në institucionet e shtetit, duke u arsyetuar se punësimi në institucionet shtetërore do të bëhej sipas meritokracisë dhe jo sipas përkatësisë etnike të kandidatëve.

Në Maqedoni nuk ka meritokraci, por diskriminim

Por punësim sipas meritokracisë në institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk mund të ketë. Pse?

Sepse kuadrot maqedonase që janë arsimuar në universitete në gjuhën maqedonase, si Universiteti «Shën Kirili dhe Metodi» në Shkup, Universiteti i Manastirit etj., gjatë konkurrimit për vende pune favorizohen automatikisht me disa pikë. Favorizimi i kandidatëve maqedonas dhe defavorizimi i kandidatëve shqiptarë gjatë punësimit nuk dëshmojnë meritokraci, por diskriminim etnik ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Dhe  punësim sipas meritokracisë në institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk mund të ketë, sepse qeveria VMRO-iste e vendit i financon universitetet në gjuhën maqedonase tri herë më shumë sesa universitetet në gjuhën shqipe. E gjithë kjo bëhet me paramendimin që kuadrot maqedonase të jenë më të afta dhe më profesionale se kuadrot shqiptare dhe, rrjedhimisht, sipas «meritokracisë», kuadrot maqedonase t’i zënë pothuajse të gjitha vendet e punës në institucionet publike dhe shtetërore të Maqedonisë.

Çfarë qëndron në prapaskenë?

Në prapaskenë të shfuqizimit të «mekanizmit të balancimit» kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë këto synime:

  1. Ideja e Mickoskit dhe e partisë së tij, VMRO-së në pushtet, për përjashtimin e qetë dhe gradual të shqiptarëve, të cilët përbëjnë 30% të popullatës së Maqedonisë, nga ushtria, policia dhe administrata publike e shtetërore e Maqedonisë së Veriut;
  2. Synimi i Mickoskit dhe i partisë së tij, VMRO-së, për krijimin në Maqedoninë e Veriut të një ushtrie, policie dhe administrate monoetnike maqedonase, duke punësuar në institucionet e lartpërmendura kryesisht maqedonas dhe vetëm tek-tuk ndonjë shqiptar, turk apo boshnjak;
  3. Synimi i Mickoskit dhe i partisë së tij, VMRO-së në pushtet, për getoizimin e shpejtë të shqiptarëve, të cilët përbëjnë 30% të popullatës së Maqedonisë, nëpërmjet izolimit të tyre nga jeta shtetërore dhe shoqërore e vendit. E gjithë kjo me qëllimin përfundimtar të largimit gradual dhe të heshtur të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, duke u zhvendosur për punë në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës;
  4. Sipas mendimit tim, në prapaskenë të shfuqizimit të «mekanizmit të balancimit» ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë synimi i Mickoskit dhe i partisë së tij, VMRO-së në pushtet, që, nëse shqiptarët, për t’i realizuar të drejtat e mohuara nga VMRO-ja dhe Mickoski, do të detyrohen t’i kapnin sërish armët si në vitin 2001, «komandant Mickoski», duke pasur në dispozicion një ushtri dhe polici monoetnike maqedonase, do të kryente gjenocid ndaj tyre dhe do t’i spastronte etnikisht pa vështirësi.

 

Duke pasur parasysh sa u tha më lart, konstatoj se shfuqizimi i «mekanizmit të balancimit» për përfaqësimin dhe punësimin e barabartë të bashkësive etnike e pamundëson ekzistencën e shqiptarëve në viset e tyre në Maqedoni.

Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, gjatë qershorit dhe korrikut të vitit 2026, po diskutohet me tone të nxehta Projektligji për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut.

 

Ky projektligj paraqet një nismë ligjore që, së paku në aspektin teorik, synon të rregullojë dhe të garantojë përfaqësimin dhe punësimin e barabartë të bashkësive etnike në institucionet publike dhe shtetërore të Maqedonisë.

Projektligji është paraqitur si një përpjekje për të zëvendësuar mekanizmin e mëparshëm të balancimit për përfaqësimin dhe punësimin adekuat të pjesëtarëve të etnive të ndryshme në institucionet shtetërore të Maqedonisë, mekanizëm të cilin Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, nën trysninë e VMRO-së dhe të kryeministrit Mickoski, e shfuqizoi më 9 tetor 2024.

Thuhet se ligji i ri që pritet të dalë nga ky projektligj duhet të mbështetet në parimet e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe në parimet e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.

Pala maqedonase, përkatësisht VMRO-ja në pushtet dhe kryeministri Mickoski, kërkojnë që punësimet në institucionet publike dhe shtetërore të vendit të bëhen sipas meritës, dijes dhe profesionalizmit dhe jo sipas përkatësisë etnike të kandidatëve konkurrues, siç është bërë më parë.

Edhe pse ky parim, në pamje të parë, duket i drejtë, po të analizohet më thellë, ai nuk rezulton i tillë. Pse? Sepse paragjykon sikur kandidatët shqiptarë për punësim janë më pak të ditur dhe më pak profesionistë se kandidatët maqedonas. Në një vend bietnik dhe multietnik si Maqedonia e Veriut, kjo i jep këtij parimi premisa diskriminuese ndaj shqiptarëve mbi baza etnike.

Nga ana tjetër, favorizimi automatik i kandidatëve maqedonas me disa pikë shtesë në punësim, me arsyetimin se janë arsimuar në universitetet në gjuhën maqedonase, si dhe financimi tri herë më i madh i universiteteve në gjuhën maqedonase, përkatësisht financimi tri herë më i vogël i universiteteve në gjuhën shqipe, tregojnë qartë se deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë duhet ta refuzojnë çdo ligj që e sanksionon përfaqësimin dhe punësimin e qytetarëve në institucionet publike dhe shtetërore të Maqedonisë mbi bazën e të ashtuquajturës meritokraci të rreme,  e shpikur nga VMRO-ja dhe kryeministri Mickoski.

Dr. Xhevat Hasani

Cyrih me 16 korrik 2026

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi

Fitim Selimi: KUORUMI NUK ËSHTË OBLIGIM I OPOZITËS – ËSHTË PROVA SE PUSHTETI NUK I KA NUMRAT

Në vazhdimësi po dëgjojmë një pretendim të rrezikshëm për demokracinë: se opozita paska detyrim t’ia …