Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të mërkurën, më 23 shtator, lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të parashtruara nga deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputetë të tjerë. Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka përcaktuar se kalimi i këtij afati ka bërë që të fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe të Qeverisë. Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar gjithashtu se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar. Në një tjetër pikë të rëndësishme, Gjykata ka konstatuar se vendimi i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës. Kushtetuesja ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026. Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme, ndërsa ka bërë të ditur se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
