Më 24 qershor në orën 17.00 mbahet Akademi në 85-vjetorin e lindjes së profesor dr. Rexhep Qoses

Dr. Rexhep Qosja: Ndihmoji Zot Shqipërisë!

Prej 18 shkurtit – ditës së parë të protestave të Partisë Demokratike, të cilat kanë hyrë në muajin e dytë, kam dëgjuar një numër të madh deklaratash të kryetarit të sotëm të kësaj partie, Lulëzim Basha, dhe të kryetarit të djeshëm e të sotëm të kësaj partie, Sali Berisha, në të cilat shumë më tepër se vetëpërmbajtje, ka shfryrje me fyerje, akuza, shpifje, denoncime, kërcënime e mujshi të tjera poshtëruese gjuhësore që në shtetet juridike të botës ndëshkohen!

Duke i dëgjuar çka po thoshin e ngushëlloja veten: “Lëri le të flasin ç’të duan, sepse ende nuk kanë mësuar se ajo që dikush e thotë për tjetrin njëkohësisht flet edhe për të”.

Prej 18 shkurtit – ditës së parë të protestave të PD-së, që kanë hyrë në muajin e dytë, kam dëgjuar një sërë deklaratash të kryetarit të sotëm të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, dhe të kryetarit të djeshëm e të sotëm të kësaj partie, Sali Berisha, në të cilat ka shumë më tepër dhunë e robëri, sesa paqe e liri!

E ngushëlloja veten: “Lëri, lëri le të bëjnë qejf sepse ende nuk kanë mësuar se të gjitha luftërat qytetare dhe luftërat shtetërore më së pari bëhen me fjalë dhunuese e kërcënuese e, mandej, me duar e këmbë, me hunj, me sakica, me allti, me pushkë, me mitraloza, me aeroplanë e në kohën tonë edhe me raketa! E me mjete të tjera!

Më 17 mars 2017, derisa po dëgjoja përimtimet e një vargu publicistësh e analistësh për koalicionin pushtetar e për koalicionin protestues, për qeverinë e “krimit”, për qeverinë e “drogës”, për qeverinë ‘teknike”, për qeverinë “septike”, si tha një publicist i Prishtinës, për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit, për zgjedhjet e shtyra për kushedi kur, për ministrat e “flijuar” e për ministrat e riemëruar, dëgjova deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, të përsëritur sa e sa herë në mediet e Tiranës dhe në mediet e Prishtinës në të cilën thuhej se: “Fatmir Xhafa mund ta kalojë pragun e Ministrisë vetëm përmbi trupat tanë!”

Çka u tha në këtë deklaratë? Kujt iu drejtua kjo deklaratë? Kush u kërcënua me këtë deklaratë? Kush u rrezikua me këtë deklaratë?

Sipas të gjitha gjasave me të u thuhej anëtarëve të PD-së; me të u thuhej përkrahësve të PD-së; me të u thuhej atyre në pushtet; me të u thuhej gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipërinë shtetërore por kudoqofshin ata, se juristi i socialistëve të Shqipërisë, Fatmir Xhafa, s’mund të bëhet ministër i brendshëm pa vendimin e PD-së, në të vërtetë pa vendimin e Lulëzim Bashës e të Sali Berishës! Me të u thuhej shqiptarëve në Shqipëri e kudoqofshin ata se ministër i punëve të brendshme në Shqipëri mund të bëhet vetëm ai që e don, e cakton, e emëron PD-ja, në të vërtetë Lulëzim Basha me Sali Berishën! Se kryetar i Shqipërisë mund të emërohet, mund të caktohet, mund të bëhet vetëm ai që e duan, e caktojnë, e emërojnë, e bëjnë Lulëzim Basha e Sali Berisha! Se zgjedhjet në Shqipëri mund të bëhen vetëm po të formohet qeveria çfare duan ata, qeveria teknike! Se zgjedhjet në Shqipëri mund të bëhen jo me 18 qershor, kur i ka caktuar Kuvendi i sotëm i Shqipërisë, por kur duan Lulëzim Basha e Sali Berisha! Se vetingu dhe në përgjithësi reforma e drejtësisë, prej së cilës varet e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë shtet normal, në të cilin bën të jetohet, mund të miratohen vetëm mbasi të mbahen zgjedhje “të lira e të ndershme” në të cilat do të fitojnë Lulëzim Basha e Sali Berisha!

E pse kryetari i PD-së, Lulëzim Basha, të mos e japë një deklaratë ashtu luftënxitëse siç është ajo e sipërthëna?! Po vetëm pak ditë më parë ai ia kishte mbushur mendjen vetes dhe kushedi edhe sa anëtarëve të partisë së tij se: “Asgjë nuk është si më parë pas 18 shkurtit të lavdishëm të lëvizjes popullore”!

E çka paska ndryshuar në Shqipëri e në Kosovë e në jetën e shqiptarëve kudoqofshin pas 18 shkurtit të “lavdishëm”? Çka, vërtet, çka?

E para, sasia e prishësive politike tmerrësisht të shumta e të shumëllojshme opozitare e pushtetore në Shqipëri është shtuar vërtet shumë!

E dyta, numri i kokave të dehura, të turbulluara politike, numri i kokave histerike politike, të cilat e duan pushtetin më shumë se atdheun është shtuar tejdukshëm dhe tejshpejtueshëm!

E treta, sasia e frikës së shqiptarëve pas deklaratave të shumta e të ndryshme të kryetarit të sotëm të PD-së, Lulëzim Basha e të kryetarit të djeshëm e të sotëm të PD-së, Sali Berisha, në mënyrë të veçantë pas deklaratës së djeshme të sipërcituar luftënxitëse të Lulëzim Bashës po thuhet se është shtuar shumë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës!

E katërta, numri i shqiptarëve që mbas deklaratave të këtilla të dy prijësve politikë të PD-së, Lulëzim Bashës e Sali Berishës, në mënyrë të veçantë të deklaratës së sipërcituar luftënxitëse të Lulëzim Bashës, që dëshirojnë sa më parë të ikin prej vendit të vet e të gjejnë shpëtim në Evropë, në SHBA, në Australi, në Zelandë të Re, në Turqi a në Japoni, po ashtu është shtuar shumë!

Deklaratat e muajit të fundit e jo vetëm të muajit të fundit të kryetarit të sotëm të PD-së, Lulëzim Basha, dhe të kryetarit të djeshëm e të sotëm të PD-së, Sali Berisha, e në mënyrë të veçantë deklarata e sipërcituar luftënxitëse e Lulëzim Bashës, më bënë të mendoj se të gjitha përimtimet, gjykimet, vlerësimet e zhvlerësimet e gjendjes politike në Shqipëri nga publicistë e analistë të ndryshëm, sado ekspresive qofshin, janë të kota, prandaj shumëkujt i lënë përshtypjen e një llafologjie më pak a më shumë perverze!

Për politikën e atyre gjuhën e të cilëve e karakterizojnë ultimatumet, fyerjet, kërcënimet, mujshitë, luftënxitjet janë të kota përimtimet e mbështetura në kulturën e mendimeve.

Them kështu sepse me deklaratat e dy prijësve të PD-së, e në mënyrë të veçantë me deklaratën e sipërcituar luftënxitëse, Shqipëria po shtyhet drejt vitit 1997!

Ajo sot po përjeton luftë qytetare foljore e cila dikush dëshiron që të shndërrohet në luftë qytetare me mjete të tjera!

Prej kësaj dëshire ndoshta s’është i liruar senatori italian, Aldo Di Biagio, i cili ftuesve të tij nuk ngurroi t’ua këshillojë në çadër parullën fashiste: “Nuk kthehemi mbrapsht, do të ecim vetëm përpara”!

Ndihmoji Zot Shqipërisë!

E do t’i ndihmosh vetëm në qoftë se e shpëton prej atyre që s’duan të ulen bashkë e të merren vesh, prej atyre që e kanë kthyer në fushëbetejë për karriget e veta, në fushëbetejë në të cilën janë rrënuar të gjitha sistemet e vlerave, në fushëbetejë në të cilën konfliket e pandërprera 25-vjeçare, vrazhdësitë e poshtërsitë e llojllojshme e kanë cënuar rëndë pamjen e shtetit shqiptar në botë duke e bërë shtet pikëllues për ata që kanë dëshiruar e dëshirojnë të jetojnë në të!

Ndihmoji, Zot, edhe Kosovës!

Asaj i duhet ndihma jote edhe më shumë se Shqipërisë.(Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …