Brickos

Ahmet Qeriqi: Rikthimi i toponimisë serbe në Kosovë, sipas planit të Ahtisarit

Pakoja e Ahtisarit, parasheh që të rikthehen në përdorim të gjitha toponimet serbe të kohës së sundimit të kryekriminelit, Milosheviq, ndoshta edhe në përkujtim për aspiratat e tij hegjemoniste, jo vetëm nostalgjike, ndoshta edhe për të na bërë të ditur se, sipas tyre, ne qenkemi qiraxhinj në tokat tona, sepse këtu emrat i paska vendosur Serbia me zjarr e hekur, qysh në vitin 1912 kur edhe invadoi mbi tokat shqiptare, e ndihmuar dhe e përkrahur jo vetëm nga Rusia Cariste, sodomiste, por edhe nga shumë shtete të saj aleate në Evropë.
Kjo çështje rikthen në kujtesë edhe një segment të indolencës sonë kombëtare, mungesën e qëndrimit unik kombëtar, meqë shumë nga toponimet e ndërruara, në kohën kur u dëbua nga Kosova regjimi kriminal i Beogradit, në vitin 1999 vazhdojnë të shqiptohen dhe të shkruhen në gjuhën sllave dhe mjerisht këtë e bëjnë mediet që financohen nga UNMIK-u dhe politikanë të Kosovës, të cilët nuk e kanë pranuar projektin e emërtimit shqip të disa vendbanimeve të vendit.

Tani kur parashihet të rikthehen në tabelat brenda Kosovës emrat me prejardhje sllave si: Serbica për Skënderaj, Podujevo për Besianë, Suha Reka për Therandë, Uroshevac për Ferizaj e kështu me radhë, në kohën kur ne, nëpër kalimet kufitare kemi vënë tabelat që shënojnë Republikën e Kosovës, natyrisht në dy e tri gjuhë, ku gjuha serbe është gjuhë zyrtare, ndërsa në toponimi parashihet të jetë edhe gjuhë mbisunduese.
Përse Ahtisari, ky “mik” kaq i dashur i shqiptarëve, ka insistuar në planin e tij, të pranuar kolektivisht nga kreu politik dhe institucional i Kosovës, të rikthehet në përdorim tërë toponimia e dhunshme sllave e vendosur gjatë kohës së ish Jugosllavisë?
Përse plani i Ahtisarit parasheh mbrojtje të veçantë vetëm për kishat e manastiret serbe, dhe jo për ato katolike, islame, hebreje ?
Përse plani “i preferuar” i Ahitisarit parasheh dyshtetësinë për serbët por jo për shqiptarët?
Përse plani i Ahitsarit përjashton çdo simbol kombëtar të shqiptarëve, madje duke mos përmendur as edhe emrin shqiptar?
Janë 90 pyetje të tilla që burojnë nga ky plan, i cili është sajuar 90 për qind për ta kënaqur pakicën kombëtare serbe, e cila pavarësisht nga kjo përkrahje shumë e fortë, e ka injoruar dhe e injoron planin si të tillë, por jo edhe përmbajtjen në pikat të cilat iu konvenojnë.

Rikthimi i toponimisë serbe, si duket nuk i brengos fare autoritetet tona qendrore as ato lokale. Të mësuar me lëshimet dhe kalkulimet e tyre 9-vjeçare, ata tashmë janë imunizuar me vaksinën e multietnitetit dhe nuk u bën për fare përshtypje ky krim, jo vetëm gjuhësor kundër emrave të fshatrave dhe qyteteve të Republikës së Kosovës, por edhe krim, përbuzje e përdhunim kundër historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, disa vjet më parë, në kohën kur Kuvendin e dridhte Nexhat Daci trim dhe i “pagabueshëm”, u detyruan të heqin muralet me përmbajtje nga historia jonë kombëtare, dhe askush më nuk i ngriti për shqyrtim këtë problem. Muralet fillimisht u mbuluan “turpin” me pëlhurë, e pastaj u larguan nga ambientet e këtij Kuvendi, por deputetët serbë, megjithatë nuk qenë kthyer në Kuvend.
Rivendosja e tabelave me mbishkrime sllave do të kundërshtohet fuqishëm nga shqiptarët liridashës, ashtu sikurse ishte kundërshtuar, fshirë e zhdukur fshehtas edhe në kohën e regjimit të Milosheviqit.
Do të gjenden mjaft shqiptarë, të cilët vullnetarisht, pa i shtyrë askush, do t’i largojnë apo do t’i fshijnë emërtimet e tilla. Organet komunale do të ngrehin aktpadi, SHPK-ja do të jetë e detyruar të arrestojë “prishësit e rendit dhe qetësisë publike”, gjykatat, me prioritet, do të zgjidhin lëndët e tilla…

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …