Dr. Skënder Demaliaj: RAMAZAN AHMET MUÇA – AGRONOMI I PALODHUR DHE I PËRKUSHTUAR NË SHËRBIM TË BUJQËSISË E TË KOMUNITETIT

Dr. Skënder Demaliaj: RAMAZAN AHMET MUÇA – AGRONOMI I PALODHUR DHE I PËRKUSHTUAR NË SHËRBIM TË BUJQËSISË E TË KOMUNITETIT

Lindi në fshatin Liqe i Kuq, në Krahinën e Hasit, më 23.09.1949. U nda nga jeta në Durrës, më 24.07.2026.

Fshati Liqe i Kuq, pjesë e Vau Spasit, me bukuri të rralla natyrore, ngjitur me Drinin, atje ku relievi piktoresk ishte në harmoni me bukuritë shpirtërore të këtyre malësorëve, të njohur për trimëri, besë, mençuri, punë e bujari. Qendra administrative e Hasit ka qenë Kruma, qyteti i ish-Prefekturës së Kosovës, i Pjetër Bogdanit e i Bajram Currit. I njohur si Hasi i Thatë është krahinë etnografike që shtrihet mes Lumës dhe Malësisë së Gjakovës. I ndarë në dy pjesë në vitin 1913, në Shqipëri ka 32 fshatra, në Republikën e Kosovës ka 38 fshatra, nga të cilët 22 i përkasin Komunës së Gjakovës dhe 16 Komunës së Prizrenit.

Hasi i përkiste Dardanisë së Lashtë Ilire. Në vitet 1914-1918, në kohën e pushtimit austrohungarez ishte qendra administrativve nga Zhuri në Gjakovë. Në vitet 1921-1925 ishte qendra e Prefekturës së Kosovës, që përfshinte Lumën. Hasin dhe Malësinë e Gjakovës. Nga kjo prefekturë doli deputet Avni Rrustemi. Më 24 maj 1924 nga Kruma nën udhëheqjen e Bajram Currit filloi Revolucioni Demokratiko-Borgjez i Qershorit. Shkolla e parë shqipe u hap në vitin 1921. Për vite të tëra ka qenë “Internati i Krumës”, bashkë me konviktin “Kosova”, ku u shkolluan të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.

Ka një reliev që i mundëson zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, si edhe zhvillimin e turizmit malor.

Në vitin 1999, hasjanët hapën dyert e zemrës për vëllezërit e tyre nga Kosova. 5000 familje, me gjithsej 23 mijë banorë u strehuan aty deri në çlirimin e Kosovës.

  1. Momentet kryesore të jetës së Ramazan Muçës

Natyra fshatit Liqe i Kuq i fali gjithçka: tokën pjellore në Luginën e Drinit, peshkun e freskët, ujin për vaditje, malin për blegtorinë, bjeshkën etj. Këtu lindi dhe u rrit Ramazan Muça. Gjithmjë e kujtonte me nostalgji, por edhe me krenari jetën atje. Të parët e tij u dalluan për trimëri, atdhetarizëm dhe punë. Në Vau Spas, më 19 nëntor 1915 u zhvilluan luftime me forcat serbe, ku u vranë 11 oficerë, mëse 100 nënoficerë dhe ushtarë serbë (Sipas arkivit të Institutit të Historisë së Shqipërisë, P-49, f. 26). Është kjo arsyeja që serbët e kanë quajtur Vau Spas që në serbish do të thotë shpëtim. Në krye të luftëtarëve ishte edhe gjyshi i tij.

Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare me rezultate të shkëlqyera në vendlindje, shkoi në shkolën e mesme për agronom në Peshkopi, ku edhe aty pati rezultate të larta. Në vitin 1973 mbaroi studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, në degën agronomi. Menjëherë filloi punën si specialist në kooperativën e Vau Spasit.

Me krijimin e Liqenit të Fierzës, fshati i tij u përmbyt dhe bashkë me banorët e tjerë u vendos në fshatin Fajza, ku ushtroi detyrën e specialistit dhe arriti rezultate të larta në prodhimin e drithërave të bukës dhe të perimeve. Për punën e mirë u emërua kryeagronom në Ndërmarjen Bujqësore Krumë. U zgjodh nënkryetar i Këshillit të Bashkuar të Ndërmarrjes Bujqësore, anëtar i komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit, Hasi në atë kohë ishte pjesë e tij. Në vitet 1986-1990 ishte deputet i Krahinës së Hasit. Në vitet 1989-1991 ka qenë kryetar i kooperativës së Golajt. Pas viteve `90 ka punuar specialist në Drejtorinë Bujqësore të Hasit. As Rama, as banorët e tjerë të Hasit, toka e të cilëve u përmbyt nga Liqeni i Fjerzës nuk përfituan as kompesim fizik, as kompesim monetar, një padrejtësi e madhe. U mbajtën me premtime elektorale e u mashtruan ndër vite nga qeveritarët e Hasit e të Tiranës. Me këtë peng u nda nga jeta edhe Ramazan Muça.

  1. Ramazan Muça – agronom i palodhur dhe i përkushtuar në shërbim të bujqëisë dhe të komunitetit

E mori detyrën e kryeagronomit në një moment të vështirë. Pas ekzekutimit të drejtorit të Ndërmarrjes Bujqësore, Hajdar Kastratit, një vendim absurd dhe kriminal, një kuadër me ndikim pozitiv në Krahinën e Hasit dhe dënimeve të disa drejtuesve të tjerë, ekzisstonte frika dhe nuk dihej se çfarë do të ndodhte në vazhdim. Mbi të gjitha duhej kthyer besimi te njerëzit dhe të largohej stresi dhe paniku.

Njohja e progresit, e asaj që ishte arritur ndër vite u bë udhërëfyesi i punës së tij për të caktuar objektiva të rinj. Ndryshimi i suksesshëm sjell një ndjenjë zotërimi, arritjeje dhe zhvillimi profesional. Kjo qe pjesë e punës së Ramazanit në këto vite. Suksei nënkupton të fitosh admirim, lidership, vetërespekt, të gjesh gëzim në atë që bën, të jesh i aftë të realizosh ato që varen nga ti. Suksesi është i lidhur me besimin, i cili nxit mendjen të bëjë më shpejt e më mirë gjërat. Fuqia e besimit zhvillohet:

  • Kur mendon sukses dhe jo dështim.
  • Kur ia kujton vetes se je më i mirë se mendon se je.
  • Kur beson në gjëra të mëdha.

Përvoja dhe shembujt pozitivë na kanë mësuar se nëse doni të zhvilloni vendosmërinë gjeni një kulturë ku kultivohet kjo dhe bëhuni pjesë e  saj. Ramazan Muça është pjesë e saj. Në mënyrë të thjeshtë, por kuptimplote e ndryshoi metodën e punës, duke e bërë atë më koherente me vlerat e tij themelore. Vendosmëria dhe mundësia e zhvillimit u përputhën me njëra-tjetrën. Gjithnjë u udhëhoq nga disa parime në kryerjen e detyrës së kryeagronomit dhe të kryetarit të koopetarivës së Golajt:

  • si mund të kthehen dështimet në mësime,
  • frika e dështimit kapërcehet duke siguruar suksese të qendrueshme,
  • të mënjanohen vetëkufizimet që ushqehen nga mosbesimi në vetvete,
  • arritja e suksesit është zgjidhja më e mirë e problemeve, sepse hap rrugën për suksese të reja, të niveleve gjithnjë e më të larta.

Si kryespecialist ishte i pari që realizoi planin e drithërave të bukës në Ndërmarrjen Bujqësore Krumë. Ishte i aftë në profesionin e tij, por edhe për të ndihmuar e për të trajnuar të tjerët, cilësi që u evidentua më shumë kur punoi në Drejtorinë e Bujqësisë së Hasit.

Detyrat që ai pati: përgjegjës sektori, kryeagronom, kryetar kooperative kërkonin të ishe menaxher i mirë. Menaxhimi është një proces që përfshin një sërë veprimtarish të pandërprera, që kërkon përqendrim, aftësi teknike, ndërpersonale, aftësi konceptuale. Kërkon veprimtari të lidhura me detyrën, me njerëzit, që lidhen me ndryshimin, strategji të reja, vizion, marrjen mbi vete të rriskut për realizimin e ndryshimit. Besoi te suksesi dhe e arriti atë. Pas çdo arritjeje ishte përsëri i pakënaqur, synonte dhe vepronte për më shumë sukses. Nga viti në vit u rrit personaliteti i tij, veçanërisht në periudhën kur ishte deputet i Hasit. Komunikimi i tij me elektoratin dallohej për etikë, mirënjohje, për dashamirësi dhe inkurajim. Ishte i gatshëm për të ndihmuar njerëzit, i  predispozuar për t’iu krijuar kushte optimale të gjithëve për zhvillimin e personalitetit.

Kredibiliteti i tij si deputet e drejtues lidhet me dy elemente të rëndësishme: Me kompetencën dhe besueshmërinë. Të dyja këto kanë qenë pjesë e pandarë e punës së tij. Nuk u pajtua me gabimet në sektorin e bujqësisë, me tufëzimin, me eleminimin e pronës private, të cilat çuan në paralizën e ekonomisë, në bllokimin e tregut dhe në mungesën totale të artikujve bazë të konsumit. Ishte kundër shpyllëzimeve pa kriter dhe hapjen e tokave të reja pa efektivitet.

Shkrimtari i Madh, Dritëro Agolli kur erdhi në Bytyç, në vitin 1988 e quajti “marrëzi” tufëzimin e bagëtive. Sipas tij “Humbja e qumështit për të bërë gjalpë, mua më dukej si cënim i patriotizmit, si fshirje dhe venitje e moralit dhe e mënyrës së jetesës së shqiptarit, si lëkundje e atij tabani, që mbante gjallë jetën shpirtërore të banorit shumëshekullor të këtyre maleve”. Marrëzitë janë individuale dhe kolektive. Në të dy rastet sjellin dëme të pallogaritshme, veçanërisht kur janë kolektive çojnë në katastrofë. Kështu ndodhi me tufëzimin, me shkatërrimet në vitet 1991-1992, të veprave të ndërtuara me mundin, djersën dhe sakrificën e shqiptarëve, me justifikimin absurd “Janë ndërtuar nga partia, nga sistemi socialist”, “Na ndihmon Europa me çekun e bardhë”. Ramazanit dhe kolegëve të tij iu dhimbte zemra e u digjej shpirti, kur shihnin shkatërrimin e rrjetit ujitës, të sistemit bonifikues, prerjen e blloqeve të drurëve frytorë, vreshtave, pyjeve etj.

Kështu ndodhi edhe me firmat piramidale, që sollën ngjarjet e shkurt-marsit 1997, ku pati përsëri shkatërrime të tjera, armatosja e popullit, vrasje e plagosje të njerëzve të pafajshëm.

Epilogu

Lavdia fitohet, nderi ruhet. Ramazan Muça punoi me ndershmëri, i respektoi dhe i vlerësoi njerëzit e ndershëm, iku me nder.

Mirëbesimi, mirënjohja, thjeshtësia, sinqeriteti, mbrojtja e së vërtetës – ishin pjesë e karakterit të tij. Kush i ka këto është njeri me karakter të fortë. I tillë ishte dhe mbeti deri në fund. Mori me kurajo dhe në kohën përgjegjësinë e duhur për të zgjidhur dhe për të përcaktuar jetën e tij.

Ramazan Muça gjithmonë pati mbështetjen e bashkëshortes së tij, Dritës, nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës, mësuese e frëngjishtes, me detyra të rëndësishme në drejtimin e arsimit në Krumë, anëtare e Këshillit Bashkiak të Krumës. Rritën dhe edukuan një vajzë të shkëlqyer, Egin, mjeke në Shtutgard të Gjermanisë.

Banorët e Hasit e përcollën me shumë respekt e nderime për në banesën e fundit, çka tregon lidhjet e tij me hasjanët, përkushtimin e tij në shërbim të komunitetit.

Kontrolloni gjithashtu

Fadil REXHA: Nënë Hava

Fadil REXHA: Nënë Hava

Të shkruash për Nënë Havën, në këtë dekadë të ndarjes, është e vështirë. Nënë Hava …