Ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij po synojnë të marrin edhe postin e presidentit të vendit, duke zvarritur arritjen e një marrëveshjeje politike. Tahiri ka kritikuar qasjen e Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar si një tendencë për përqendrim të pushtetit. Ajo ka theksuar se në vend të kësaj, partia në pushtet do të duhej të angazhohej për një marrëveshje me opozitën për zgjedhjen e presidentit. “Paradoksi i populizmit varfëron popullin, ndërsa pasuron pushtetin politik. Zvarritja e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit po shfaq tendencat se partia në pushtet synon që ta marrë edhe presidentin, në vend se të synojë si të dalim nga kjo varfëri dhe të vendosim një model bashkëpunimi midis opozitës dhe pozitës për çështje të mëdha. Ajo gjithashtu ka ngritur shqetësime për situatën e sigurisë, duke theksuar se në një kohë kur paqja është gjithnjë e më e brishtë dhe pasiguria në rritje në botë dhe rajon, Kosova nuk po tregon angazhimin e duhur institucional. Tahiri ka përmendur edhe vonesat në miratimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se kjo mund të dërgojë në një përplasje të re në raportet mes Kosovës dhe aleatit të saj kryesor. Mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë është thelbësore për përballimin e sfidave globale, veçanërisht për një shtet të vogël si Kosova.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
