Dy bashkëkryesuesit e delegacionit për dialogun me Serbinë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti po qëndrojnë në Bruksel, me qëllim që ta dorëzojnë Platformën e dialogut e cila javën që shkoi u votua në Kuvendin e Kosovës. Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialogun Fatmir Limaj në një deklaratë për KosovaPress tha se qëllimi i shkuarjes në Bruksel ka qenë që zyrës së shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian Federica Mogherini t’ia dorëzojnë edhe formalisht Platformën për dialogun. “Ashtu si edhe kemi paralajmëruar, platformën e dialogut e kemi dorëzuar edhe formalisht tek zyra e shefes së BE-së Federica Mogherini. Njëkohësisht qëllimi i takimit me përfaqësues të kësaj zyre është njoftimi me votën e deputetëve për dialogun e po ashtu i kemi njoftuar se Kosova tashmë ka qëndrim zyrtar për dialogun”, tha Limaj nga Brukseli.
