Hidajete Rifat Jashari

Hidajete Rifat Jashari (18. 10. 1979 – 5. 3. 1998)

Beteja e Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më krenare të sakrificës shqiptare në historinë tonë kombëtare.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, vëllait të tij, Hamzës, babait, Shabanit dhe Jasharëve të tjerë në Kullën e heroizmit e të qëndresës. Gjatë luftimeve ranë 56 dëshmorë nga lagjja Jashari dhe nga radhët e miqve që ishin gjendur në rrethim. Nga familja e kryefamiljarit Shaban Jashari kanë rënë:
Shaban Murat Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Feride Ramadan Jashari, Adem Shaban Jashari, Adile Bahtir Jashari, Hidajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Selvete Hamzë Jashari, Afete Hamzë Jashari, Besim Hamzë Jashari, Lirie Hamzë Jashari, Blerim Hamzë Jashari, Fatime Hamzë Jashari, Blerina Hamzë Jashari, Fitim Adem Jashari, Kushtrim Adem Jashari.
Nga familja e Rifat Jasharit kanë shpëtuar: Rifati me bijtë, Bashkimin e Muratin dhe e bija, Iliriana.

Hidajete Jashari ka lindur në Prekaz të Ulët të Skënderajt, më 18 tetor të vitit 1979. Ajo ishte e bija e Rifatit dhe Zarife Bahtir – Jasharit. Shkollimin fillor, me sukses të dalluar e kreu në Skënderaj. Ajo ishte e dalluar në mësime, por në kushte dhe rrethana në të cilat Jasharët jetuan në vitet ’90 të shekullit të kaluar, ajo nuk pati mundësi të vazhdonte shkollimin e mesëm.
Ashtu sikur edhe bijtë e bijat e tjerë të Rifat, Hamzë dhe Adem Jasharit, edhe Hidajetja ishte në dijeni të faktit se babai, xhaxhallarët, gjyshi por edhe familja e gjerë Jashari ishte përcaktuar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe.
Atifetja kishte qenë vetëm dymbëdhjetë vjeçe, kur më 30 dhjetor të vitit 1991, milicia serbe e mbështetur edhe nga forcat ushtarake, kishte rrethuar Kullën e familjes Jashari. Zhvillimet tronditëse të asaj dite, kur babai i saj, Rifati dhe xhaxhallarët kishin luftuar tërë ditën, të patrembur e të vendosur për flijim, nuk i kishte harruar kurrë. E edukuar në frymë atdhetare, ajo kishte përcjellë me vëmendje lëvizjet e xhaxhallarëve, e vetëdijshme se një ditë do të vinte deri te përleshja e madhe.
Hidajete Jashari ka përjetuar edhe rrethimin e dytë të Kullës nga forcat serbe, më 22 janar të vitit 1998. Ajo nga afër kishte parë rezistencën e gjyshit, xhaxhallarëve por edhe të kushërinjve. Atë ditë janari, që po paralajmëronte ndeshje edhe më të përgjakshme, kishin marrë plagë edhe Iliriana dhe Selvetja.
Ashtu si krejt familja Jashari edhe Hidajetja ishte e edukuar, por edhe e përgatitur për të qëndruar.
Më 5 mars të vitit 1998, Jasharët ishin barrikaduar në kullën e Rezistencës, në Prekaz dhe ua kishin bërë me dije forcave të pushtuesit serb se ato nuk do të mund të kalonin mbi trupat e gjallë të Jasharëve për të depërtuar brenda shtëpive shqiptare.
Atë ditë, gjatë luftimeve të pandërprera, Hidajete Jashari ndodhej në Kullë, së bashku me të ëmën, Zarifen, motrat Valdeten e Igballen dhe me vëllezërit, Igballin e Bashkimin si dhe me të gjithë kushërinjtë e kushërirat që ishin vënë nën rrethim të hekurt të forcave të territ e të tmerrit.
Hidajetja ka lënë babain, Rifatin, vëllezërit Bekimin e Muratin dhe motrën Ilirianën. Kujtimi për jetën e saj është i paharrueshëm, meqenëse u nda nga jeta në lulen e rinisë, për t’u bërë lulëkuqe e lirisë së Kosovës.
Familja Jashari e Prekazit ka marrë shumë mirënjohje, falënderime e dekorata nga të gjitha instancat shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë administrative. Për aktin heroik të kësaj familjeje, kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner kishte deklaruar se po të kishte çmim Nobel për rezistencë, çmimi i tillë pa dyshim do t’i takonte familjes Jashari. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …