Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kosovës i duhen politika socialdemokrate për zhvillim e punësim

Kosova, vetëm me një qeverisje socialdemokrate, që ligjin dhe ligjësimin e lirisë e të drejtësisë sociale e ka qëllim, mund t’i kalojë sfidat për ndërtimin e shtetit të se drejtës, të  shtetit të zhvilluar ekonomik, të shtetit të drejtësisë sociale që qytetarin e sheh dhe e trajton si pronarin kryesor të vendit e jo si shërbëtor të qeveritarëve. Këtë duhet ta ndjejnë, ta duan  ta shohin e ta prekin qytetaret e Kosovës, kudo ku ata punojnë e jetojnë, si në sektorin publik e po ashtu edhe në sektorin privat. Ata, të punësuar e qytetarë të këtij vendi duhet t’i mbrojë ligji nga skllavërimi i egër. Të punësuarit nuk duhet t’i nënshtrohen e as të heshtin para shfrytëzimit të egër. Cilësia e punës, e jetës dhe e sigurisë se qytetarëve varet shumë se çfarë shteti do të ndërtojmë! Shtet për qytetarë të lirë apo shtet për sundimtarë satrap që kujdesen vetëm e vetëm për familjaret e tyre! Qeveritarët e tillë, qytetarët e Kosovës po i shohin si skllevër të urtë, që lehtë mashtrohen e më lehtë sundohen.

 Sipas statistikave tona (nëse janë të sakta), Kosova  ka  të punësuar 347,185 tw punësuar.  Në vitin 2016, kanë arritur të punësohen vetëm 23,677, nuk dihet se nga dhe ku Kryeministri Mustafa i “punësoi” 40,000 punëtor?! Apo këta të koalicionit po vazhdojnë me mashtrimet e premtimet e tyre tradicionale parazgjedhore. Këta njerëz gjatë qeverisjes se tyre kanë arritur t’ua imponojnë qytetarëve dy rrugë krejt negative për vendin e kombin, rrugën e ikjes dhe atë të mbijetesës. Me politikat e deritashme qeverisëse, njerëzit i kanë bërë që të mendojnë vetëm për mbijetesën e tyre personale e familjare apo të mendojnë e të shpresojnë për rrugën e ikjes nga Kosova, ku ata do ta gjenin sigurinë për punë e jetë. Por, asnjëra nga to, njeriut tone nuk i garanton dinjitet, krenari, siguri e mirëqenie. Shqiptarët edhe në robëritë e gjata, kaq ngushtë nuk i kanë parë gjerat?! Njeriu ynë duhet sa më shpesh ta kujtoj urtinë popullore se “guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet”!

Sipas statistikave, nga 347,185 të punësuarit që ka Kosova, vetëm 267.000 kanë punësim të qëndrueshëm (nëse vërtetë është i qëndrueshëm). Në Kosovë janë rreth 95.000 veta që punojnë më shumë se 50 orë në javë (ligji parasheh 40-45 orë në javë), gjë që është e ndaluar me ligj, pastaj janë edhe rreth 50.000 që punojnë rregullisht edhe të shtunave e të dielave. Kuptohet këtu nuk janë të llogaritur të punësuarit në ekonominë informale, ku shfrytëzimi i tyre është shumë herë më i egër e diskriminues. Madje këta njerëz jo vetëm që kanë orar të stërzgjatur, por kanë paga tepër të vogla. Këta punëtorë mund të gjejnë mbrojtje e siguri vetëm aty ku sundon ligji e udhëhiqen nga politikat e parimet e socialdemokracisë moderne.

 Sipas kësaj, del se punësim të qëndrueshëm e me orar sipas ligjeve në fuqi në Republikën tonë kanë vetëm 175.000 persona, 100.000 prej të cilëve punojnë në sektorin publik. Është interesant se edhe të punësuarit në sektorët që kanë fitime marramendëse siç janë Bankat dhe qendrat e ndryshme tregtare dhe përgjithësisht në bizneset private, të punësuarve u bëhet një shfrytëzim tepër i egër. Siç po shihet gati 200.000 të punësuar nuk kanë orar të punës të paraparë sipas Ligjit të punës. Nga kjo del se këta punëtor nuk i mbron ligji i punës, që në fakt nuk i mbron shteti me instrumentet e krijuara enkas për ketë qëllim. Në ketë rast shtrohet pyetja: Ku është inspektorati i punës? Ke mbrojnë ata, punëtorët apo oligarkët? Ndonëse ata paguhen nga paraja publike për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Të gjithë e dimë se në Kosovë është shumë vështirë që të sigurohet një vend pune mbi bazën e kualifikimit, por është goxha lehtë të punësohesh nëse je familjar i qeveritarëve. Siç është rasti i familjarëve të Kryeministrit, ani pse ata kanë biznese profitabile. Sigurisht që kjo logjikë është e shtrirë te të gjithë qeveritarët, mbase edhe të bizneset e lidhura me ta. Gjithë praktika e viteve të fundit e konfirmon ketë. Por edhe kur je me fat të mirë dhe e gjen një vend pune, mundësia është që ju keni për të punuar shtatë ditë në javë dhe më orar të zgjatur e paga tejet të ulta. Këtu është arsyeja që në Kosovë të gjithë vrapojnë të punojnë në sektorin publik e jo në atë privat.

Programi socialdemokrat i Nismës do të kujdeset që çdo familje në Kosovë të ketë së paku një të punësuar.

Nga kjo mund të kuptojmë, se partitë tona të “djathta”, numrat e punësimit i përdorin vetëm për fushata zgjedhore, por nuk kanë politika sociale për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve mbi bazën e ligjeve në fuqi. Programi socialdemokrat i Nismës ka politika të qarta sociale, të cilat politika janë e do të jenë në mbrojtje të punëtorëve dhe të kategorive të tjera në nevojë. Dhe për ketë do të krijohet baza e nevojshme ligjore. Qytetarëve tanë, vetëm parimet dhe politikat socialdemokrate mund t’ju sigurojnë perspektivë e mirëqenie. Sigurisht që për këto politika, kërkohet një mbështetje e fuqishme e punëtorëve dhe e shtresave të mesme e të varfra të Kosovës.

Vendit tonë i mungojnë politikat e parimet e socialdemokracisë evropiane. Por, edhe socialdemokracia evropiane duhet t’ua zgjat dorën socialdemokratëve të Kosovës derisa ta kalojnë fazën e konsolidimit të tyre!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …