leoni

Këshilli "Pranvera shqiptare '81" mbanë mbledhjen e radhës në Shoqatën e Burgosurve Politikë, në Prishtinë

Këshilli “Pranvera shqiptare ’81” mbanë mbledhjen e radhës në Shoqatën e Burgosurve Politikë, në Prishtinë

Këshilli “Pranvera shqiptare ’81″ka mbajtur mbledhjen e radhës në Shoqatën e Burgosurve Politikë, në Prishtinë. Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Këshillit, Hydajet Hyseni. Tema ose pika të rendit të ditës ishin: 1. Tryeza përkujtimore për Simbolin e qëndresës shqiptare, Bacë Ademin, në 85 – vjetorin e lindjes. Tryeza do të mbahet më 26 shkurt, në orën 13, në Institutin Albanologjik. Kryetari i Këshillit organizues paraqiti “skenarin” e Tryezës, folësit, etj. 2. Shënimi i 11 Marsit – 40 vjetorit të shpërthimit të Pranverës shqiptare. Në këtë Ditë do të vendoset gurthemeli i monumentit (përmendores) që i kushtohet kësaj Pranvere (Kryengritjes Shqiptare). Leja për ngritjen e përmendores është lëshuar nga Komuna e Prishtinës. Po në këtë Ditë do të hapet edhe një ekspozitë me fotografi, shkrime e dokumente nga Arkivi i Kosovës dhe do të mbahet një Tryezë me pjesëmarrës të 11 Marsit ’81, që do ta kujtojnë Ngjarjen në menzën e studentëve, etj. 3. Ora e Madhe letrare më 26 mars. Në këtë ditë do të organizohen veprimtari letrare nga Lidhja e Shkrimtarëve e do të përurohen libra. 4. Konferenca shkencore për Pranverën Shqiptare ’81. Kjo pikë mori më shumë kohë. U tha se interesimi i studjuesve për Konferencën shkencore është shumë i madh. Janë paraqitur dhjetra kumtues nga Institutet, Universitetet e studiuesit tjerë nga Tirana, Shkupi, Prishtina, etj. Prandaj, Këshilli organizues vendosi që të mbahen dy konferenca shkencore: një më 26 mars dhe një më 1 prill. 5. Akademi Përkujtimore më 2 prill. Kjo Akademi u kushtohet kryesisht Dëshmorëve të Pranverës Shqiptare ’81. Këshilli bisedoi edhe për veprimtari që do të organizohen nga Mërgata, pastaj në Shkup, Tiranë, Tetovë e qytete tjera anemban Shqipërisë (gjeografisë shqiptare). Mbeti që datat dhe qytetet për veprimtaritë pas 2 prillit të vendosen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …