Labinot Dervishaj: Për dështimin në PISA, përjashtimin nga EQAR dhe gjithë regresin në arsim fajtor është politika

Labinot Dervishaj: Për dështimin në PISA, përjashtimin nga EQAR dhe gjithë regresin në arsim fajtor është politika

Në kohë fushatash zgjedhore qoftë për nivelin qendror apo atë lokal, arsimi është proklamuar si njëri ndër prioritet kryesore, është premtuar për depolitizim të tij, për ngritje të cilësisë, për arsim gjithëpërfshirës dhe integrimin e të gjithë fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në sistemin e edukimit, për zbatimin e plotë të ligjeve dhe udhëzimeve administrative për këtë sferë. Jo që nuk ka pasur progres apo lëvizje pozitive në këtë drejtim po për fatkeqësisht ka pasur vetëm regres. Në fund të vitit 2016 Republika e Kosovës për herë të parë ka marrë pjesë në testin e organizuar nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Por nga ky test kemi dalë si shteti me rezultatin me të dobët të renditur fare të fundit më performancën e shfaqur. Ndonëse këto rezultate janë alarmuese nuk kanë qenë edhe krejt të papritura për faktin se sistemi i arsimit që nga paslufta e këtej vazhdimisht ka kaluar nëpër shumë reforma që më shumë kanë qenë eksperimentale, sesa që kanë treguar produktivitet.

Dështimi në PISA është arsyetuar se nxënësit tanë nuk dinë t’u japin zgjidhje detyrave dhe pyetjeve logjike. E kush më shumë se psikologët shkollor mund ta promovojnë të mësuarit, të arsyetuarit logjik? Por ky profesion po injorohet shumë nga shteti ani pse në ligjin për arsimin parauniversitar është e paraparë që për 1000 nxënës të jetë një psikolog. Së fundi një çasje e tillë kundër këtyre resurseve humane është parë gjatë votimit të amendamenteve të projektligjit për buxhetin për vitin 2018, ku deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan kundër një amendamenti që do t’i hapte rrugë punësimit të 150 psikologëve në shkolla për ti ndihmuar mbi 1600 fëmijë më nevoja të veçanta arsimore. Ky është një shembull qyqar i paparë në praktikat e shteteve të tjera kur të zgjedhurit e popullit janë kundër kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë.

Por jo vetëm kaq, problemet në arsimin janë akoma më të rënda sidomos ato paraqiten në nivelin lokal, aty punësohen njerëz pa i plotësuar kriteret ligjore për realizimin e lëndës përkatëse. Por ata zakonisht janë militantë  partiak apo farë e fis i drejtorëve që më shumë shquhen me praktikën e  “rehatimit” të afërmëve të tyre sesa për aftësi menaxhuese. Në anën tjetër Inspektorati i Arsimit që funksionon në shtatë rajonet e Kosovës, më shumë ngjason të jetë paralele e ndarë e ndonjë drejtorie komunale të arsimit të ndonjërës nga komunat me influencë në atë rajon sesa institucion që merret më zgjedhjen e lëndëve dhe ankesave të ndryshme të qytetarëve apo punëtorëve të arsimit që i deponojnë pranë këtij institucioni.

Pastaj komuniteti serb në Kosovë funksionon krejtësisht në kundërshtim me çdo vendim, udhëzim dhe ligj të MASHT-it. Nuk e respektojnë plan-programin e kësaj ministrie. Madje as ditët e pushimit për festat zyrtare në Kosovë. Kurse për çdo festë serbe e ortodokse për hir të këtij komuniteti MASHT-i e ka të deklaruar në kalendarin e tij si ditë pushimi. Por një gjë e tillë nuk vlen për festën e shumëfishtë të shqiptareve 28 Nëntorin. Ky institucion ka qenë dhe është i gatshëm vazhdimisht që për teke të kujt do qoftë për të ndryshuar terminologji e shprehje të caktuara të teksteve mësimore me theks të veçantë të historisë. Por megjithatë nuk mund ta fajësojmë vetëm MASHT-in si institucioni i parë i referencës për të gjitha këto dështime, ngecje, qasje indiferente, pafuqisë për të treguar rezultate pozitive. Fajtorë është e gjithë skena politike, ajo me gjithë fuqinë e saj është duke e shkatërruar arsimin. Ky sektor më shumë është parë si mundësi për avancimin e njerëzve politikë, për të akomoduar njerëz partiakë dhe aspak kompetentë në pozitat kyçe të këtij institucioni që në fakt do të duhej të punonte me zell e seriozitet për përmirësimin e gjendjes.

Në kohën e kërkimit të votave hapen universitete të reja ndërsa me ndërrimin e pushtetit kërkohet që ato të mbyllen, të transformohen, të tjetërsohen. Orë e çast ndryshohen rektorët e prorektorët e universiteteve vetëm pse dikujt nuk i pëlqen. Pjesa më e madhe e profesorëve universitarë janë aktivë në politikë dhe i kanë më shumë së tri-katër punë të tjera pos angazhimit të tyre në universitet e që natyrshëm e zbeh cilësinë e ligjërimit dhe të qenit objektiv. Studentët nuk kanë mjaftueshëm salla të leximit dhe të mbajtjes së ligjëratave edhe pse miliona janë harxhuar për ndërtimin e fakulteteve dhe zgjerimin e hapësirave universitare.

Me një fjalë me sistemin e arsimit po luhet si me top të pingpongut. Deklarimet se ai është prioritet nacional janë vetëm fjalë goje e politikës ditore por realiteti është krejt ndryshe dhe lë shumë për të dëshiruar. Ky sistem po përbuzet, po abuzohet, po keqpërdoret skajshmërisht nga politika e gjithë kjo katrahurë është në kurriz të popullit dhe më ndikim të drejtpërdrejt negativ të fëmijët tanë të rinia e jonë, ardhmëria e këtij vendi. Tashmë më diplomat e lëshuara nga universitet tona nuk janë të vlefshme përtej pikave kufitare të Kosovës. E fundit është vendimi i përjashtimit të Agjencionit Kosovar të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë  në Arsimin e Lartë (EQAR). E ata që e kanë shkaktuar këtë gjë apelojnë për heshtje më kërcënimin së e rrëzojnë qeverinë po u diskutua kjo punë. Ku me gjetë pastaj motiv nxënësit për të mësuar, ku më gjet motiv studentët për të studiuar?!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …