Nazim Tahir Kokollari (22.3.1974 - 15.1.1999)

Nazim Tahir Kokollari (22.3.1974 – 15.1.1999)

Nazim Kokollari lindi më 22 mars 1974 në Prizren. Ishte fëmija i dytë i prindërve, Tahirit dhe Emines. Ai rrjedh nga një familje bujare, e cila në vitin 1969 qe shpërngulur nga fshati Budakovë i komunës së Therandës dhe u vendos në Prizren.

Babai i tij, Tahiri, me punë krahu ia arriti disi t’ua sigurojë fëmijëve të tij (Brahimit, Nazimit, Osmanit, Naserit, Skënderit, Enverit, Nazmijes, Lumnisë, Besës dhe Shpresës) një jetë modeste, por të pasur kombëtarisht. Familja e Nazimit ishte e përndjekur përherë nga regjimet serbe. Gjyshin e Nazimit, Sylë Kokollarin, në tetor të vitit 1942, njësitet serbe komuniste e nxjerrin nga shtëpia dhe e varin në mallet e Budakovës. Në vitin 1944, axhën e Nazimit, Osmanin, e mobilizojnë kinse në aradhet partizane dhe e dërgojnë në Tivar ku e ekzekutojnë së bashku me mijëra shqiptarë. Fat të njëjtë pati edhe gjyshja Azeminja, së cilës jeta iu shua po nga këto hordhi, për t’i lënë pesë jetimë, ndër të cilët më i madhi fëmijë ishte vetëm 13 vjeç. Nga këta jetimë i pesti (më i vogli) ishte Tahiri, babai i Nazimit, i cili rritet me peripeci të shumta, sepse për shkak të presioneve të ndryshme nga organet serbe ishte i detyruar të ndërronte shpesh vendbanimin.

Gjatë periudhës së viteve 1990-1997 edhe Tahirit i montohen lloj-lloj akuzash, por më të shpeshtat ishin ato të kërkimit të armëve. Kështu në vitin 1995 dhjetë policë serbë (në mesin e tyre edhe një kolaboracionist shqiptar) ia rrethojnë shtëpinë dhe me atë rast ia bastisin atë, duke thyer e demoluar çdo gjë që gjetën aty. Atë ditë ata marrin një pushkë dhe Tahirin e dërgojnë në stacionin e policisë të Shtimes me ç’rast e rrahin deri në alivanosje, duke i kërkuar edhe një revole. Pas tri ditësh sërish e ftojnë në organet e Sigurimit serb në Ferizaj, ku e merr në pyetje inspektori i njohur me emrin Zorani nga Nerodimja. Aty rrahet barbarisht një javë rresht me arsyetim se revolja nuk është dorëzuar.

Në tetor të vitit 1997 thirret në polici në Ferizaj për të tretën herë, por tash i kërkohej një automatik dhe dy revole. Në atë kohë shef i Sigurimit ishte njëfarë Boban Krstiqi, personi që e kishte vrarë fëmijën 6-vjeçar Fidan Brestovci në vitin 1994. Tahiri aty torturohet dhjetë ditë rresht pikërisht nga ky serbi Boban.

Nazimi shkollën fillore e nis në Prizren, ku edhe i kreu gjashtë klasë. Më vonë, më 1985, kjo familje, për shkak të përndjekjeve nga regjimi i asaj kohe, detyrohet ta lëshojë Prizrenin. dhe vendoset përkohësisht ( nja 13 vjet) në fshatin Zotaj të Shtimes, vend ku edhe e përfundon shkollën fillore. Në vitin 1988 regjistrohet në Shkollën e Mesme Teknike të Ferizajt. Aty Nazimi arrin t’i përfundojë vetëm tri klasë, por nuk arrin të diplomojë, për shkak se ndiqej nga policia me akuzë se kishte marrë pjesë në demonstrata, që në atë kohë organizoheshin nga rinia kosovare.

Për nga natyra Nazimi ishte një djalë i urtë, por me karakter shumë të fortë, i adhuronte armët, sidomos armët e brezit.

Në vitin 1990, Nazimi mori pjesë aktive në demonstratat që u zhvilluan atëbotë në Ferizaj, kundër shtypjes së egër të regjimit të Milosheviqit, si dhe në demonstratën në fshatin Koshare kur qe vrarë i riu Bekim Sejdiu.

Në gusht të vitit 1993, nga rreziku i burgosjes, detyrohet të marrë rrugën e mërgimit ku pesë vjet rresht jetoi dhe punoi në Gjermani (Oberhauzen), por për asnjë moment nuk e ndali aktivitetin patriotik, duke marrë pjesë në demonstrata dhe në aktivitete të tjera, që zhvilloheshin në atë kohë në mërgatë. Në kohën kur shumë të rinj jepnin para të majme për të ikur nga Kosova, Nazimi, përkundrazi, I përgjigjet kushtrimit të lirisë, duke e lënë me një anë luksin e Perëndimit. Edhe vëllai i Nazimit, Osmani, aksionin “Vendlindja thërret”, që organizohej në Gjermani, e mbështeti me mjete të konsiderueshme materiale edhe pas rënies së Nazimit vetëm e vetëm që ideali i trimave të mos shuhej kurrë deri në fitore.

Në korrik të vitit 1998, nëpërmjet Shqipërisë, ku i kreu ushtrimet dhe ku u furnizua me armë, kthehet në Kosovë së bashku me shokun e pandashëm Shemsi Bajrami nga Tërnja e Ferizajt dhe iu bashkohet shokëve të idealit, të cilët tashmë ishin bërë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në gusht të vitit 1998 caktohet me detyrë në Rancë të Shtimes e më pas në Greiqec dhe Reçak, deri në fund të jetës së tij. Gjatë luftës 1998 -1999 Nazimi vepron në Brigadën 161 të UÇK-së, Zona Operative e Nerodimes (kompania në Reçak) dhe ishte i njohur me nofkën Budakova.

Më 15 janar 1999, forcat kriminale serbe, me një arsenal të paparë, rrethuan Reçakun. Acari i ftohtë luftëtarët e lirisë i gjeti në istikame. Në pamundësi për t’u përballur me luftëtarët e UÇK-së, forcat serbe me dinakëri përdoren popullatën si mburojë të tyre, duke I vrarë dhe masakruar me dhjetëra anëtarë. Luftëtarët e lirisë bënin një rezistencë të fortë, duke mos u zbrapsur për asnjë çast nga istikamet.

Që nga fillimi i kësaj beteje, Nazimi, bashkë me skuadrën e vet, ishin në vijë të parë të frontit, duke mos iu ndalur pushka për asnjë çast. Luftëtarët e lirisë kishin dhënë betimin për atdhe: Ja liri, ja vdekje. Ofensiva e rreptë dhe acari i ftohtë nuk ua theu moralin për asnjë çast, edhe pse filloi të derdhej gjaku i trimave për liri. Në këto luftime të pabarabarta morën plagë të rënda disa luftëtarë e njëri ndër ta edhe zv. komandanti i Kompanisë Ali Beqa- “Kaçaniku”. Nazimi, si çdoherë i gatshëm për t’iu dalë në ndihmë dhe për t’ua ngritur moralin bashkëluftëtarëve të tij në këto çaste të vështira, afrohet për t’i dhënë ndihmë bashkëluftëtarit të tij të plagosur Ali Beqa. Derisa bënte tërheqjen e tij, një plumb mitralozi i armikut e godet për vdekje dhe kështu gjaku i Nazimit filloi të skuqte borën e bardhë me gjak lirie. Kështu së bashku të përqafuar me Ali Beqën në ato momente iu bashkuan shokëve të tyre tashmë dëshmorë të kombit. Atë ditë kur ka rënë Nazimi, bien edhe këta luftëtarë: Ismail Luma nga Kraishta, Mehmet Mustafa nga Reçaku, Sadik Mujota nga Mollapolci, Shaqir Berisha nga Reçaku, Kadri Syla nga Reçaku dhe Enver Rashiti, edhe ky nga Reçaku, ndërsa janë plagosur bashkëluftëtarët më të ngushtë të tij, Afet Bilalli nga Reçaku, Shaban Ndrecaj nga Maçiteva, si dhe Njazi Mujota nga Mollapolci.

Trupi i Nazimit pushon i qetë në Varrezat e Dëshmorëve në Mollapolc, ku çdo 15 janar familjarët dhe bashkëluftetarët e tij bëjnë homazh mbi varrin e tij. Emrin e Nazimit e ka trashëguar nipi i tij, Nazimi i vogël, ndërsa nipi tjetër i Nazimit është pagëzuar me emrin Altini (nofkë e dëshmorit Ismail Luma), shok lufte i Nazimit.

Pas rënies është dekoruar me mirënjohjen “Nderim-dëshmorit të kombit” nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, si dhe me shumë mirënjohje nga institucione e organizata të dala nga lufta.

Relikte të këtij dëshmori janë: ora e dorës, një pallto ushtarake, bateria ndriçuese, një shkrepës, si dhe gjësende të tjera, që ruhen në muzeun e UÇK-së në Shtime. Këtij dëshmori i janë thurur vargje dhe këngë lavdie. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …