Osman Osmani: NDEROHET VEPRIMTARIA ATDHETARE E ÇLIRIMTARE E NAZIM AZEMIT

Të  dielën, me 5 maj 2024, Sllatina e Epërme e Komunës së Vitisë bëhet me memorial kushtuar atdhetarit Nazim B. Azemi. Kështjella e atdhedashurisë dhe veprimtarisë kombëtare e revolucionare – Sllatina e Epërme dhe e Poshtme e Komunës së Vitisë nga gjiri i saj ka nxjerrë një mori veprimtarësh e luftëtarësh të çështjes shqiptare si dhe shumë njerëz atdhedashës e humanistë.

Ceremonia e zbulimit të memorialit u bë e mundur falë angazhimit të Këshillit Organizativ të përbërë nga përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve, Shoqatës së të Burgosurve Politik si dhe nga bashkëveprimtarë, familjarë e bashkëfshatarë si në vijim: Xhevat Haziri, Abdyl Bajrami, Hajriz Jakupi, Fahredin Hoxha, Ekrem Imeri, Imri Azemi dhe Fadil Abazi.

Familje përparimtare, Azemi me traditë të dëshmuar atdhetare

Nazim Azemi, i lindur me 17.02.1949, në Sllatinë të Epërme. Nazimi rrjedh nga një familje me traditë atdhetare shekullore, e cila përpos rezistencës ndaj pushtuesve, historikisht ka kontribuar në fusha të ndryshme edhe të zhvillimi të arsimit dhe kulturës shqiptare në Anamoravë, Kosovë e gjithandej nëpër Shqiptari.

Paraardhësi i familjes së tij patrioti përparimtar Emin Beu me numrin rendor 30 ishte pjesëmarrës në Kongresin historik të Manastirit. Pjesëtar të familjes Azemi edhe pas luftës së dytë botërore ishin pjesë e rezistencës aktive në radhët e NDSH-së. Tradita dhe veprimtaria atdhetare e përparimtare ishte e pandërprerë.

Veprimtaria në Lëvizjen për Republikë Shqiptare

Kështu edhe Nazim B. Azemi, qysh si 19-vjeçar kishte marrë pjesë aktive në demonstratën e vitit 1968 në Gjilan, në të cilët ndër të tjera u kërkua që Kosova të bëhej republikë dhe u kërkua edhe lejimi i përdorimit publik të flamurit kombëtar shqiptar. Pas demonstratave të viti 1981, Nazimi i është bashkuar Lëvizjes Atdhedashëse të Kosovës, gjegjësisht Organizatës për Republikë – PKMLSHJ, e cila përmes platformës së saj politike nisi fushatë me aksione konkrete, që fillimisht, dhe për dallim nga organizatat të fshehta atdhetare të kohës, si synim kryesor kishte sensibilizimin dhe mobilizimin e masave të gjëra popullore për barazi kombëtare dhe politiko-administrativ, që të mbizotëronte kërkesa ultimative që shqiptarët në ish-RSFJ të njiheshin si komb dhe që Kosova me të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi të bëhej Republikë e barabartë me 6 të tjerat. Po që se këto kërkesa nuk do të arrihej të realizoheshin paqësisht me kërkesa e në rrugë politike, organizata parashihte deri edhe luftë të armatosur, me ç ‘rast do të luftonte për realizimin e aspiratave të kamotshme të shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Siç dihet botërisht pas demonstratave të vitit 1981 dhe veprimtarisë së pareshtur atdhetare të rinisë shkollore e studentore si dhe punëtorisë e fshatarësisë shqiptare, armiku reagoi me dhunë e represion të egër. Në Kosovë, në pranverën 1981, pos tjerash u shpall gjendje e jashtëzakonshme dhe përpos policisë federale në Kosovë u vendos edhe armata jugosllave. Por, sa shtohej represioni dhe masat e egra policore e ushtarake, veprimtaria atdhetare e revolucionare dhe kërkesat e shqiptarëve të Kosovës sa vinin e zgjeroheshin e shpeshtoheshin.

Pjesëtarët e Organizatës PKMLSHJ, pas demonstratave të vitit 1981, në Sllatinë të Epërme ishin ndër më aktivët në gjithë Kosovën. Ata në bashkëpunim me shokët e shoqet e Organizatës në Ferizaj, Viti, Gjilan e Kaçanik, të cilët përpos shkuarjes së parullave dhe aksioneve tjera të fshehta, përpiluan, shtypën dhe shumëzuan me qindra ekzemplar të materiale të organizatës, të cilat i shpërndan gjithandej nëpër Anamoravë e Kosovë, nga të cilat po veçojmë dekretin 1 dhe 2 (thirrje të gjitha grupeve e organizatave tjera të fshehta atdhetare e revolucionare të kohës për bashkim në platformën e organizatës për republikë – PKMLSHJ), Shkresat për Komitetet Komunale të LKJ-së, «Vërejtje punëtorëve të policisë» si dhe letrën dërguar serbëve dhe malazezve. Kjo veprimtari atdhetare e revolucionare e trazoi armikun ne të gjitha segmentet e mekanizmat shtetërorë. Pas këtij aksioni të Organizatës për Republikë – PKMLSHJ është mobilizuar dhe vu në gatishmëri të plotë shtabi i përgjithshëm i ushtrisë jugosllave dhe i armatës së 2-të.

Pas Vahedin Azemit, Nazimi ishte personi i dytë ndër më aktivët i shquar për mobilizim, shtimin e radhëve në veprimtari atdhetare, në shtypje, shumëzim e shpërndarje të dokumenteve partiake, fletushkave dhe materialit tjetër të Organizatës për Republikë – PKMLSHJ, e që përmes Faton Topallit ishin të lidhur drejtpërdrejtë edhe me qendrën e Organizatës në Prishtinë.

Ishin pikërisht këta atdhetarë revolucionarë të këtij rrethi të organizuar në PKMLSHJ që kishin bërë përgatitjet për shënimin e njëvjetorit të demonstratave. Në krye të këtij angazhimi ishte drejtuesi regjional i organizatës për republikë – PKMLSHJ, Vahedin Azemi, dhe i cili mbështetej fuqishëm nga Shyqeri Gjinolli e nga Nazim B. Azemin dhe shumë bashkëveprimtarë tjerë të rrethit familjar e shoqëror anë e mbanë Kosovës, ndër të cilët po veçojë Fatmir Bajramin. Këtë fakt të shpërndarjes më 1982 së ftesës së PKMLSHJ për shënimin e njëvjetorit të demonstratave të vitit 1981 e dëshmojnë në shkrimet dhe kujtimet e tyre edhe shumë bashkëveprimtarët të kohë, të cilët ishin të organizuar në grupe e organizata tjera atdhetare e revolucionare të kohës, nga të cilët po veçojë shkrimin e Mehmet Musës (https://www.radiokosovaelire.com/mehmet-musa-shqiponja-e-bjeshkeve-te-nemuna-male-sherif-morina-1963-14-12-1986/).

Posaçërisht, Ferizaj dhe Anamorava, si në aspektin e moshës e gjinisë ashtu edhe shtresave shoqërore, ishte qendra kryesore e veprimit konkret dhe gjithëpërfshirës në radhët e PKMLSHJ-së, me aktivitete të bujshme bazuar në platformën dhe kërkesat për liri, barazi e republikë të shqiptarëve në ish-RSFJ.

Burgosja dhe hetimet me torturat të ushtruara ndaj Nazim Azemit

Me 6-të mars të vitit 1982 shtëpia e tij u rrethua nga rreth 20-të policë dhe inspektorë të sigurimit të shtetit, sikur edhe shumë shtëpi tjera në Sllatinë të Epërme. Pas bastisjes së shtëpisë policia e arrestoi Nazimin, sikur edhe shumë anëtarë tjerë në lagjen e Kupecëve si dhe bashkëveprimtarë tjerë po të Sllatinës së Epërme të Vitisë dhe Anamoravës.

Pushtuesi në këtë aksion arrestimi bashkë me Nazimin kishin burgosur po në Sllatinë edhe veprimtarët Vahedin Azemin, Shyqeri Gjinollin e Daut Azemin, Shukri Musliun nga Remniku, Ymer Halimin e Sabit Halitin nga Gjilani, Xhevat Hazirin nga Vitia, pastaj Muhabi Azemi, Ismet Azemi, Xhamajl Rashiti e Fatmir Abdullahu si dhe shumë veprimtarë tjerë të këtij regjioni.

Nazimi ndër të tjera akuzohet se Vahedin Azemit dhe shokëve të tij, ua kishte vënë në dispozicion shtëpinë si bazë për ta strehuar shumëzuesin e materialeve propagandistike (“Geshtetnerin”) dhe për pjesëmarrje në shumëzimin e trakteve e afisheve, të nxjerra nga dokumentet e fletushkat e organizatës për Republikë – PKMLSHJ si dhe gazetën «Revolucioni» dhe «Zëri i Atdheut», të cilat më pastaj i kishin shpërndarë gjithandej nëpër Anamoravë e më gjerë.

Gjatë hetimeve shtazarake, duke keqpërdorur edhe ligjet atëhershme në fuqi, Nazimin, sikur edhe shumë të burgosur tjerë politik shqiptar, e torturojnë mizorisht. Në tortura kundër Nazimit shquhet zëvendës-kryeshefi i Sigurimit Shtetëror i Komunës së Gjilanit, Refik Thaçi dhe inspektorët e sigurimit të shtetit si: Selim Brosha, Sinan Rexhepi, Tefik Mehmeti, Ramadan Sërmaxhaj, Sadik Hajrullahu, Daut Morinia, Isa Bunjaku, Ramadan Syla dhe Ali Vllasi (vëllai i funksionarit Azem Vllasi).

Gjykata e Qarkut e Gjilanit, me akuzat e shpifura të shërbëtorëve e bashkëpunëtorëve të pushtuesit të kohës si nacionalist e irredentist, Nazimin, edhe pse ai dhe organizata në të cilën vepronte ai me shokë e shoqe kishin kërkuar barazi të proklamuar e të garantuar me kushtetutë nga ish-RSFJ-a, e dënoi me plotë tri vjet burg, të cilat i ka vuajtur nga 6 marsi i vitit 1982 deri më 7 mars të vitit 1985 në burgun e Gjilanit dhe të Gjurakovcit.

 

Nazimi në radhët e luftës çlirimtare

Edhe pas vuajtjes së burgut e deri në fillimin e luftës çlirimtare, veprimtaria e Nazim B. Azemi për çështjen kombëtare  vazhdon pandërprerë në forma të ndryshme, edhe humanitare e kulturore, në kuadër të komisioneve, këshillave e strukturave të ndryshme jo vetëm bashkiake.

Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nazim Azemi dallohet si njëri ndër përkrahësit dhe mbështetësit e luftës çlirimtare, duke u bërë luftëtarë i UÇK-së. Që në fillim u angazhua për përfitimin, rekrutimin e mobilizimin e pjesëtarëve të parë për luftën çlirimtare duke kontribuar në formimin e njësive të para të UÇK-së  si dhe të Shtabit të Brigadës 173 të Zonës Operative të Karadakut “Gursel e Bajram Sylejmani”, si bartë edhe i detyrave me përgjegjësi në kuadër të Shtabit. Edhe pas luftës së UÇK-së, Nazimi u shqua për angazhimin mobilizues të luftës çlirimtare në Kosovën lindore, duke mobilizuar e rekrutuar luftëtarë të rinj dhe duke fuqizuar Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës (UÇPBM-së).

Tubim përkujtues me rastin e vdekjes mbajtur me 5 dhjetor 2005 

Nazim Azemi, kryesisht edhe shkaku torturave çnjerëzore të shërbëtorëve shqipfolës të sigurimit jugosllav, vdiq në dhjetor të vitit 2008. Me 5 dhjetor 2008, në qytetin e Vitisë u mbajt një tubim përkujtues për ta nderuar jetën dhe veprën e tij. Me atë rast për jetën dhe veprën e Nazim Azemit folën Jakup Jahiri, Nexhemedin Arifi, kryetari i Komunës së Vitisë, Xhevat Haziri nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, Naim Abazi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Avdyl Bajrami, veterani i Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Mustafë Shaqiri, veteran i UÇPBM-së. Telegrame ngushëllimi me rastin e përkujtimit të Nazim Azemit asokohe kishin dërguar: Selami Neziri (Agroni), ish- komandanti i Brigadës 173 i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, kryetari i Lëvizjes për Bashkim Kombëtar, Avni Klinaku, Radioja “Kosova e Lirë” dhe Shkolla fillore “Dardania” në Dardanë. Në fund të tubimit, në emër të familjarëve të Nazim Azemit, Vahedin Azemi i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e atij tubimi kushtuar veprimtarit dhe luftëtarit të çështjes shqiptare – Nazim Azemit.

Osman Osmani, Neuhausen, Zvicër, 02.05.2024

***

Për përpilimin e këtij shkrimi, ndër burime të tjera jam mbështetur në :

  1. Librin e bashkëveprimtarit Nysret Hajdarit (i cili tani edhe zyrtarisht quhet Fitim Fitimi) « KUJTIME TË NDRITURA TË KOHËVE TË ERRËTA », Vëllimi i I-rë, botuar në vitin 2020 nga prointegra.ch, Zvicër e Kosovë.
  1. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut Gjilan, P.nr. 45/82
  2. Kujtime të (bashkë)veprimtarëve të ndryshëm

Kontrolloni gjithashtu

Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

“Më mirë i vdekur se sa kështu siç jemi katandisur”.  Fadil Gjoka u lind më …