Brickos

RKL: Pavarësinë e Kosovës nuk e solli vullneti deklarativ politik, por lufta e armatosur çlirimtare dhe ndihma e NATO-s

Duke komentuar deklaratat e kryetarit të Rusisë, Dimitrij Medvedev, gjatë vizitës në Serbi, lidhur me të ardhmen e vendit tonë dhe përkrahjen që i ka dhënë Kremlini zyrtar Beogradit, në politikën e njohur kundër pavarësisë së Kosovës, kryetari Sejdiu, ka thënë se Kosova është pavarësuar në bazë të vullnetit politik të popullit të saj. Kosova është e pavarur mbi bazë të argumenteve të fuqishme, në radhë të parë të vullnetit politik të popullit të saj, të zhvillimeve të mëhershme dhe të cilësisë që ka pasur në kuadër të një shteti që është shkatërruar, që ka qenë njësi përbërëse e atij shteti dhe në kuadër të gjithë proceseve të tjera që kanë ndodhur, ka saktësuar mes tjerash, kryetari Sejdiu, në përgjigje kryetarit të Rusisë, Medvedev lidhur me qëndrimin e Moskës zyrtare pro Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Kryetari Sejdiu nuk përmendi faktin kryesor që solli deri te pavarësia e Kosovës dhe që ishte pikërisht lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahja që i dha kësaj lufte me bombardime nga ajri, Aleanca ushtarake Veriatlantike si dhe gjaku që u derdh rrëke për çlirim, liri dhe pavarësi.
Përse kryetari Sejdiu nuk e tha apo anashkaloi për ta thënë të vërtetën historike të procesit të pavarësisë?
Nuk është kjo hera e parë që kryetari Sejdiu, por edhe krerët e tjerë të institucioneve të Kosovës, në biseda dhe paraqitje publike para autoriteteve ndërkombëtare, anashkalojnë procesin kryesor historik, që çoi deri te liria dhe pavarësia e vendit. Ky eufemizëm “diplomatik”, në radhë të parë mbase ka të bëjë me praktikën e njohur pacifiste, por në këtë segment hetohen edhe përpjekjet tejet hileqare, të zbehjes së kthesës historike, që ka bërë lufta e UÇK-së, të cilën Moska dhe Beogradi e trajtojnë si luftë të një organizate luftarake terroriste, që e paska përkrahur Amerika dhe NATO-ja. Duke lënë anash meritat e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, me apo pa dashje bihet në të njëjtat pozita të Beogradit, të Moskës dhe EULEX-it, për qëndrimin e tyre të njohur botërisht kundër UÇK-së, por edhe kundër popullit liridashës shqiptar.
Një pozicion i tillë, i shprehur nga kryetari i Kosovës, mbase bëhet me qëllime të fshehta, mbase është pjesë e ndonjë plani tjetër, të ndonjë Ahtisari në hije, të projektuar kundër identitetit dhe historisë së rezistencës aktive shqiptare në Kosovë, duke vënë në pah dhe në epërsi, sikur thotë kryetari Sejdiu argumentet e fuqishme, në radhë të parë të vullnetit politik të popullit të Kosovës, të zhvillimeve të mëhershme dhe të cilësisë, që ka pasur Kosova në kuadër të një shteti që është shkatërruar, që ka qenë njësi përbërëse e atij shteti dhe në kuadër të gjithë proceseve të tjera që kanë ndodhur…
Ky interpretim dhe këto argumente, lënë anash procesin kryesor dhe historik të pavarësisë, jo si qëndrim rasti dhe si taktikë diplomatike, por si qëndrim të fortë pacifist, duke ia atribuuar pavarësinë proceseve paqësore dhe realitetit juridik të Kosovës si ish-njësi autonome në kuadër të Serbisë dhe të Jugosllavisë, duke u mbështetur në Kushtetutën e vitit 1974. Sa për “vullnetin politik”, kryetari Sejdiu e di fare mirë se ai vullnet u shpërfill sa e sa herë nga regjimet okupatore dhe mercenarët shqiptarë, që ishin vënë në shërbim të atyre regjimeve, krejt deri në qershor të vitit 1999, kur vullnetin e popullit e bëri realitet dhe e vendosi forca, lufta e përkushtuar çlirimtare, gjaku i derdhur për liri dhe ndihma e forcave përparimtare botërore që i dha luftës dhe popullit tonë.

Interpretimet e tilla antihistorike të së kaluarës nuk do të kishin aq peshë, po të ishin thjesht analiza të ndonjë analisti, apo të ndonjë zyrtari të rangut të ulët, por kur këto prononcime dalin nga goja e kryetarit të vendit, atëherë çështja është shumë më e thellë dhe gjithsesi edhe me pasoja të mundshme. Askush në Kosovë, madje as kryetari, nuk ka të drejtë ta shtrembërojë historinë dhe në mënyrë qoftë edhe të tërthortë të anashkalojë gjakun e derdhur për liri, duke i dhënë përparësi bazave juridike të ish kushtetutave, të ish Jugosllavisë, të cilat asnjëherë nuk e përfillën vullnetin politik të shumicës shqiptare për liri, barazi dhe vetëvendosje, përkundrazi e shtypën sa e sa herë atë vullnet me tanke, ushtri e polici deri edhe në përpjekje për ta shfarosur në tërësi, sikur ndodhi me praktikën e spastrimit etnik, që ndërmori makineria serbe e krimit kundër shqiptarëve, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.
Mbi këtë bazë historike, mbi këtë pozicion duhet të ndërtohen të gjitha deklaratat e kreut të Kosovës. Anashkalimi i këtij pozicioni, nuk e degradon dot historinë e vërtetë të luftës së UÇK-së, sepse ajo është shkruar me gjak dhe sakrifica, por i thellon përçarjet, nxit ekstremet dhe degjeneron situatën, edhe ashtu jo të favorshme të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …