Tema të tjera...
Në shënim të 26 – vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Ejup Dushkajës, më 30 prill 1999
30/04/2025
Përshëndesim organizatorët e kësaj dite historike! Përshëndesim të pranishmit…
Sa herë që tubohemi dhe i kujtojmë Heronjtë dhe Dëshmorët, kujtojmë luftrat e së kaluarës që na sollën të sotmen e lirë! Kujtojmë vuajtjet dhe shtypjen nën pushtimin Bizantin, Turqisë, si dhe nga Serbo-sllavët. Kujtojmë mospajtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme në rrugëtimin e vështirë, me shumë sakrifica, vuajtje e përjetime të dhunshme, rezistencë, luftë, si dhe ikje nga shtëpitë dhe vendi! Të mbyllur në burgje të rënda, plagosje dhe vrasje nga dora e vrastarëve barbarë serbo-sllavë, në JNA dhe në burgje të inkrementuara!
U bënë shumë përpjekje organizative të fshehura nga shumë veprimtarë patriotë të devotshëm për t’u ngritur në luftën për liri! Si gjithkund në Kosovë dhe viset e saja nën pushtim, Mushtishiti dy herë, si në Luftën e Parë Botërore ashtu edhe në Luftën e Dytë Botërore, u gjend në ballë të luftës anti-Bulgare, duke i ndaluar të përparonin bullgarët në bjeshkët e Mushtishtit. Mushtishtasit i dolën zot vendit dhe u vetmbrojtën bashkë me fshatrat përreth!
Dëshmori në Luftën Anti-Bullgare ishte Rexh M. Halitjaha! Nga Mushtishti morën pjesë gjithashtu në Luftën Anti-Fashiste dhe kemi dy Dëshmorë nga kjo luftë: Jemin Jemini dhe Sadik S. Halitjaha! Gjithashtu, gjithmonë në përpjekje për të dalë nga kthetherat e pushtuesve jugosllavë!
Me krenari mbrojmë vendin tonë, këtu ku jemi që nga koha Dardane: Djellor, Gradec, Mataj dhe Mushtisht! Në kohët e hershme, Djellori kufizohej me Papaz në veri-lindje, dhe në jug-perendim me Muzhlakë, ndërsa në perendim me Isarin dhe Theranden! Jemi të lumtur dhe krenarë që jemi në vendin më të bukur, në Mushtishtë!
Mushtishtasit ja shtojnë krenarinë dhe i japin identitet Heronjtë Kombëtarë, Hasan Prishtina, themeluesi i Shtetit Shqiptar, me të cilin mbante lidhje Bajram Curri në kohën sa qëndronte në Mushtisht! Adem Jashari, Komandanti legjendar që u flijua me të gjithë familjen për lirinë e Kosovës! Mushtishti dha 13 Heronj e Dëshmorë dhe martirë ndër etapat e ndryshme para Luftës së UÇK-së!
10 i vrau dhe masakroi OZNA: Halit Halitjaha, Reshit Halitjaha, Sadik Sejda, Arif Bajrami, Manush Mustafa, Sadri A. Emrullahu, Jakup Jakupi, dhe Shaban Nuha (Maqitev), Palush Tuna (Sallagrazhd), Zeqir L. Ramadani (Djellor)! Si dhe 52 të tjerë i morën dhunshëm në marshutën mortore drejt Tivarit!
Ndërsa në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, ballë për ballë me armiqtë ranë dhe u përjetësuan 5 Heronj e Dëshmorë të fshatit: Azem Behluli, Bafti Shala, Gazmend Aliu, Rexhep Behluli, Ali Bytyqi! Si dhe u plagosën 11 luftëtarë, e u vranë 13 civilë të pafajshëm! U plaqkit e u dogj flakë i tërë fshati, u përzunë gjithë popullata shqiptare nga fshati!
Fshati Mushtisht mobilizoi për luftë mbi 100 luftëtarë, Mushtishti e furnizoi luftën me veshmbathje, ushqime dhe shumë para, mbi 200 mijë DM. Logjistika e fshatit tonë ishte jetike për Luftën e UÇK-së!
Luftëtarët nga Mushtishti, shumica ishin në Batalionin e Dytë të Brigadës 123, i cili shtrihej nga Llanishti deri në Muzhlak, nga Rrokopeqi e deri në Gelancë! Ky Batalion pati më shumë se dhjetë beteja, me dhjetra prita, sulme e operacione, dhe ishte bastion i pathyeshëm! Kishte në përbërjen e tij mbi 600 luftëtarë të strukturuar në 4 kompani!
Dëshmorët Azem Behluli dhe Gazmend Aliu ishin në kompaninë e-III që operonte në Maqitev deri te stanet e Grejkocit, nën komandën e Halil Krasniqit. Ndërsa Bafti Shala ra Dëshmor në mes Bukoshit dhe Buzhales, ishte në kompaninë e-IV në togun e komanduar nga Reshat Halitjaha! Kurse Rexhep Behluli në Batalionin e Dytë në Kabashë në Brigadën 125 të ZOP! Ali Bytyqi ra në mbrojtje të Fshatit Mushtishtë!
Nën komandën e Batalionit të-II të Budakovës ishin edhe Kompania e Vraniqit dhe e Grejkocit, që do të thotë se ishin gjithsej 6 kompani. Ky Batalion i ZOP ishte sa një Brigadë! Batalioni kishte në gjirin e vet një Nisje Speciale të komanduar nga Xhafer Gashi, si dhe një Nisje të Policisë Ushtarake – PU! Dy Ambulanca mjekësore, një Spital lufte, kishte dy furra dhe rezerva mielli, si dhe rezerva karburanti! Ky Batalion luftoi pa u ndalur kurrë dhe pa dezertuar askush!
Shumë nga djemtë tanë në fillim ishin në Drenicë të Adem Jasharit, si dhe në Malishevë e Rahovec, pastaj shumica u organizuan që nga themelimi i Batalionit të-II në Budakov më 26 qershor 1998 deri në çlirimin e Kosovës! Në këtë Batalion ranë 32 Dëshmorë dhe u plagosën mbi 120 luftëtarë! Shtyllë e fuqishme e këtij Batalioni ishin luftëtarët e Mushtishtit, me komandantin e tyre nga Mushtishti, Sadik Halitjaha, që më vonë do të bëhej Komandant i ZOP.
Të jesh Mushtishtas është krenari, me të kaluarën, me veprimtaritë e fshehura, me veprimtarët e shumtë si Jakup Jakupi, Isuf Zenuni, Zenun Kepa (Buzhalë)!
Ndërsa pas viteve të shtatëdhjeta, Ibrahim Shala, Sadik Halitjaha, Mehmet Mustafa, Bilall Osmani, Riza Saliu, Hagji Demiri, Osman Shala, Fadil Ndreca (Maqitevë), Fadil Vata (Sallagrazhd), Halil Krasniqi (Maqitevë) dhe shumë të tjerë!
Krenarë me zhvillimin e kulturës sonë, që në atë kohë e sfidonim kulturën e imponuar sllave! Aferdita – Shoqëri Kulturo Artistike, e organizuar e strukturuar gjatë viteve 1974-75 nga mësuesit e fshatit, nga themeluesi muzikologu Ibrahim Hamiti! Kësaj Shoqërie i dhanë vlera kombëtare këngët dhe tekstet gjithmonë patriotike, të interpretuara nga solistët – Bilbilat e Mushtishtit!
Kjo shoqëri u ngrit me shumë suksese duke pasur në krye të saj të madhen Artisten Shkurte Fejza, si dhe Shyrete Behlulin, Remzie Osmanin, motrat Mustafa, dhe shumë solistë e soliste të tjerë! Instrumentistë të muzikës dhe valltarë të gjithë nga Mushtishti!
Mushtishti, dikur nën pushtimin e rëndë, me shumë armiq në strehë të shtëpive tona, tani pa asnjë nga ata! Liria për Mushtishtasit është më me vlerë, më e madhe, sepse shtypja dhe robëria ishin më të rënda! Jemi krenarë për të kaluarën tonë, krenarë sot e gjithmonë!
Lavdi Dëshmorëve! Respekt për luftëtarët! Nderim për familjet e Dëshmorëve dhe të viktimave! Lavdi martirëve! Respekt për mërgimtarët që ndihmuan luftën dhe fshatin!
LAVDI të gjith Dëshmorëve të Kombit Shqiptar!
21 prill 2025
Sadik Halitjaha