Skënder S. Kapiti

Skënder S. Kapiti: Shqipëria është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve dhe e të korruptuarve

Po filloj pjesën e parë të këtij shkrimi,  këtë hyrje të shkurtër në formë pyetjesh sepse lexuesi shqiptar nuk lexon gjatë dhe nuk studion thellë, dhe si pasojë edhe mashtrohet lehtë.  Politikës së Tiranës gjithnjë  nuk i ka interesuar interesi kombëtar por vetëm ai personal dhe pushteti. Çdo veprim e sjellje e kujtdo qoftë, shqiptar apo joshqiptar, si dhe çdo indiferentizëm dhe neglizhencë, krim e korrupsion  prej  politikës, politikanëve  dhe e pushtetit të cilat sjellin pasoja të rënda për  individin, për kombin  dhe për  shtetin shqiptar janë njëlloj si veprimet e armiqve shoviniste joshqiptarë si dhe të tradhtarëve të shqiptarëve.

Shqipëria dhe Kosova janë të shqiptarëve dhe nuk janë të joshqiptarëve dhe as të tradhtarëve.

Shqipërinë që prej 100 vitesh realisht e kanë sunduar  dhe e kanë keq-qeverisur joshqiptarët dhe shqiptarët injorantë dhe të pa shpirt shqiptari.

Ka ardhur koha që të ndahemi  nga egoizmi dhe tradhtia të cilat  po na shoqërojnë prej shekujsh.

Politika dhe regjimet politike  të pushtetit në Tiranë  gjithnjë si rrezik dhe si “armik” të tyre më shumë kanë konsideruar  nacionalizmin, kombëtarizmin dhe intelektualizmin patriotik shqiptar se sa shovinizmin dhe antishqiptarizmin sllavo-grek.

A nuk ishte regjimi i Mbretit Zog i cili erdhi në pushtet pasi vrau dhe përndoqi patriotët shqiptarë, si  dhe erdhi edhe me ndihmën e Beogradit , dhe si shpërblim ai  regjim i fali Serbisë troje të Shqipërisë në një kohë  që Serbia  e mbante  Kosovën të  pushtuar nën terror dhe nën genocid?

A nuk ishte regjim antishqipar, politika dhe ideologjizma e komunizmit enverist, regjim i cili  shkatërroi nacionalizmin dhe patriotizmin shqiptar, e proletarizoi atë, dhe i shërbeu nacionalkomunizmit sllav, serb dhe rus, regjim i cili  i varferoi tejskajshem  shqiptarët,e  izoloi dhe e rrënoi Shqipërinë, si një regjim antishqiptar pasi ishte thellësisht edhe një regjim antiamerikan?

A nuk vazhdoi edhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri vazhdimësia antishqiptare e regjimit të Berishës ,Nanos dhe Ramës; a nuk janë regjimet e tyre antishqiptare kur kërkuan dhe vazhdojnë e  kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga Greqia për të marrë  pushtetin kur janë në opozitë, ashtu si dhe për të vazhduar  dhe mbajtur pushtetin kur janë në pozitë , ku si ish-regjimi i Berishës ashtu edhe sot Rama i japin, falin apo i shesin  për këtë qëllim  si shpërblim Greqisë edhe detin edhe token, në një kohë kur Greqia ka kryer pastrimin etnik të Çamërisë dhe genocid mbi popullin shqiptar të saj?

Nuk ka pasur Shqipëria vetëm një Esad Toptan, sepse a nuk është për Kosovën Fatos Nano si Esadi kur deklaroi se Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, po ashtu si në prag të shpalljes së Pavarësisë kur ministri i jashtëm i qeverisë së Partisë Demokratike kërkonte Pavarësi të kushtëzuar për Kosovën; dhe kur kryetari i saj  deklaronte se e kishte mik armikun më të madh të shqiptarëve ,Presidentin e Maqedonisë,Gligorovin dhe atë të Greqisë Micotaqis; po  Enver Hoxha si miku dhe vëllai i Miladin Popoviqit, Mugoshës e Stojniqit  dhe i Stalinit; po Mbreti Zog miku dhe mercenari  i Pashiqit dhe së fundi sot ,Kryeministri Rama, miku i Vuçiçit, si dhe  “vizioni” i tij për neo-Jugosllavinë e tregut të përbashkët ballkanik dhe i pajtimit të shqiptarëve me serbët pa pyetur dhe duke injoruar vullnetin dhe autoritetin e shtetit shqiptar të Kosovës. (Shumë shpejt do të dalë studimi 60 vëllimësh i studiuesit Ilir Malindi me titull “United States of Albania”ku publiku mes të tjerash  do te mësojnë  edhe shumë të vërteta mbi  bëmat e politikanëve dhe të pseudoheronjve shqiptarë.)

A keni dëgjuar ndonjëherë që Athina dhe Beogradi politik, si opozita dhe pozita politike atje,  të kenë kërkuar ndihmë e mbeshtetje nga Tirana përveçse në të kundërt, kanë bërë gjithnjë propagandë, diversionizëm, veprimtari  dhe  retorikë politike të egër antishqiptare dhe shoviniste, dhe se atje votuesi grek dhe serb e voton atë politikë e cila është më shumë agresive antishqiptare, ndërsa  PD dhe PS në  Shqipëri integrimin e Shqipërisë për në BE e shikojnë se rruga  atyre u kalon nga Athina dhe me pazaret e marrëveshjet e nëntokës me Beogradin  në dëm të Kosovës.

A nuk ishte antishqiptarizëm dhe antikombëtarizëm furnizimi dhe shkelja e embargos së naftës nga regjimi i Berishës për makinerinë vrastare dhe genocidiste të Millosheviçit?

A nuk janë antishqitarizëm  edhe qëndrimet dhe veprimtaria mosmirënjohëse, e pabesë , e hapur por edhe djallëzore edhe sot kundër SHBA-ve, kur SHBA –të janë ato të cilat kanë garantuar dhe e kanë mbrojtur shtetin shqiptar të Shqipërisë kundër synimeve serbo-greke për coptimin e saj, dhe po prej SHBA-ve shqiptarët kanë sot shtetin shqiptar të Kosovës?

A nuk është antishqiptarizëm  edhe antiamerikanizmi i politikës së Tiranës  SOT kundër Reformes ne Drejtësi dhe kunder VETTING-ut  të ndërmarrë nga SHBA- të cilat i hapin rrugën integrimit të Shqipërisë në BE?

A nuk është antishqiptarizëm politika e politikanëve të Tiranës që pengojne ndertimin e shtetit ligjor, demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë?

A nuk është antishqiptarizëm fakti se prej këtyre politikanëve joshqiptarë dhe të politikanëve shqiptarë por pa shpirt shqiptari, përderisa prej krimit, korrupsionit dhe të tradhëtisë së tyre  shqiptarët marrin arratinë dhe largohen nga Shqipëria si dje ashtu edhe sot?

Kur këto regjime politike në  Shqipëri u kanë bërë gjithë këto të këqija e të zeza vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve në Shqipëri,  prandaj,  dhe për më tepër akoma, kurrë dhe asnjë regjim politik në Shqipëri nuk është interesuar për gjëndjen dhe për mbrojtjen e të drejtve kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni,Mal të Zi dhe as për Çamërinë, dhe jo vetëm kaq por shqiptarët të cilët  të përndjekur, të persekutuar dhe të dëbuar prej trojeve të tyre të cilët  lanë trojet dhe shtëpitë e tyre dhe u strehuan në Shqipëri,në Shqipëri ata janë parë si refugjatë dhe janë penguar në çdo formë me qëllim që ata të mos integrohen në pushtet, në politikë, në diplomaci, në akademi , ushtri,polici etj.

Në këto kushte prandaj edhe shqiptarët e Çamërisë  krijuan Partinë e tyre,atë të Integrimit, me qëllim që të integrohen edhe ata në politikë në Shqipëri, në shtetin Amë.

Këtë duhet ta bëjnë edhe shqiptarët me origjinë nga Kosova të cilët janë mbi 300 mijë në Shqipëri, por që partitë kryesore politike të Shqipërisë gjithnjë tregohen  shumë të kujdesshme dhe “vigjilente” që të mos lejojnë integrimin politik të shqiptarëve me origjinë nga Kosova të cilët jetojnë në Shqipëri, as  në partitë e tyre dhe pastaj as në strukturat shtetërore , ku sidomos si më antikosovare në këtë drejtim dallohet  Partia Socialiste e Shqipërisë, aktualisht kjo “Rilindja” socialiste e sotme dhe E.Rama, kreu i saj.

Këto  kanë  ndodhur dhe vazhdojnë akoma  të ndodhin  pasi politikën në Shqipëri e kanë sunduar  dhe vazhdojnë ta sundojnë prej 100 vitesh joshqiptarët dhe shqiptarët injorantë dhe pa shpirt shqiptari.

Politika dhe regjimet politike në Tiranë gjithnjë  kanë përdorur tradhtinë dhe retorikën patriotike  për në favor të interesave te pushtetit, ata kane manipuluar me substancën kombëtare shqiptare, kanë spekuluar dhe manipuluar me Kosovën sidomos për  imazh personal politik  dhe sa për t’u dukur  dhe për t’u paraqitur te ndërkombetarët si faktorë, aktorë  dhe  persona politik kinse kanë respekt dhe influencë te të gjithë shqiptarët në Ballkan në trojet e tyre. Pra politika e Tiranës e ka përdorur dhe e ka trajtuar Çështjen kombëtare  shqiptare deri aty  dhe ashtu siç ia ka deshiruar interesi dhe qëllimi i ngushte personal politik dhe i pushtetit të tyre. Po kështu politika e Tiranës ka vepruar edhe me diasporen shqiptare. Vetëm këto fakte të cilat dihen do të ishin të mjaftueshme për ta argumentuar titullin e këtij shkrimi.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …