Valon Metë Myrtaj (14.4.1978 – 27.5.1999)

Valon Metë Myrtaj (14.4.1978 – 27.5.1999)

Valon Myrtaj ka lindur më 14 prill të vitit 1978, në fshatin Uçë të Burimit (ish-Istog). Familja e tij ishte e varfër ekonomikisht, por fisnike dhe atdhetare. Një vit pas lindjes së Valonit, më 1979, familja e tij u shpëngul në fshatin Dubravë, në afërsi të Burimit. Atje, ajo kishte blerë pak tokë të punueshme, por më shumë kishte marrë në qesim toka të të tjerëve.
Në Dubravë, Valoni kreu klasat e para të shkollës fillore, ndërsa ciklin 8-vjeçar e përfundoi në Burim. Atje kishte regjistruar edhe gjimnazin, të cilin nuk e vijoi deri në fund, pasi nevojat ekonomike të familjes e detyruan që në vitin 1994 të shkojë të punojë edhe ai në Itali, së bashku me vëllezërit e tij.
Qysh si fëmijë, Valoni kishte treguar interesim për të njohur përpjekjet dhe vuajtjet e popullit shqipar, duke e pyetur gjyshin, Sokolin, i cili edhe vetë i kishte përjetuar të zezat e shfrenimit të shovinizmit antishqiptar serb kundër luftëtarëve të atdhetarit Shaban Polluzha. Rrëfimet e gjyshit krijuan mbresa të fuqishme te Valoni. Ato do të krijojnë tek ai përfytyrime të qarta mbi atdheun dhe kundërshtarët e tij. Ato, pa dyshim, do të kenë ndikuar që ritmi i zemrës së Valonit të pasqyrojë rezonancën e të gjitha zhvillimeve të mëvonshme kombëtare.
Valoni qysh heret kishte shfaqur shenja të atdhedashurisë dhe njëkohësisht edhe shenja të urrejtjes kundër pushtuesit dhe shtypjes serbe. Ai edhe si fëmijë kishte marrë pjesë në disa prej protestave kundër shtypjes serbe që ishin organizuar në komunën e Burimit, në fillim të viteve ’90. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tek ai shtoi edhe më shumë besimin ndaj forcës së popullit të vet. Emri i kësaj ushtrie, shpejt ishte bërë për Valonin një emër Preokupues, i cili zinte vendin kryesor në bisedat me vëllezërit e me shokët e tij në emigrim.
Gjatë atyre bisedave, por edhe gjatë telefonatave me prindërit, pas fillimit të luftës së armatosur në Kosovë, Valoni shprehë vetëm një dëshirë: të radhitet sa më parë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ecej përpara me të gjitha mjetet, deri në pavarësinë e Kosovës. Fillimi i luftës së armatosur kundër pushtuesit serb, për të e kishte çkuptimësuar përpjekjen për mbijetesë biologjike, sepse tash ishte shtruar çështja e madhe e mbijetesës së atdheut në çdo kënd të tij. Ai e kishte përjetuar lindjen e UÇK-së si ngjarjen më të rendësishme të jetës, pjesë e së cilës do të bëhet edhe vetë, në përpjekjen e tij për lirinë e atdheut.
Si qindra mijëra të rinjë kurbetçinj, kushtrimit të Kosovës për liri iu përgjigj pa u hamendur edhe Valoni. Fitoret e UÇK-së në Drenicë, në Dukagjin e në anë të tjera të Kosovës, nuk e lanë të qetë shpirtin kryengritës të Valonit, i cili tashmë kishte disa vjet që, në moshë fare të njomë, po punonte në një qytezë të Italisë.
Do të jem së shpejti në frontin e luftës dhe s’ka forcë që do të më ndalojë, – i kishte thënë ai së ëmës, Timës, në kohën kur ajo e kishte vizituar të birin në Itali, disa muaj para se Valoni të mobilizohej si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë e bëri realitet në korrik të vitit 1998, kur Valoni u kthye në Kosovë, si bir mbrojtës i saj. Ai nuk i njoftoi prindërit e tij se kishte shkuar në luftë, vetëm e vetëm për të mos i brengosur ata, pasi e dinte se ata e donin shumë si sugar që ishte. Por ata mësojnë për këtë nga informacione të tërthorta, ndërkohë që disa stacione të huaja telivizive, në insertet e tyre për ngjarjet në Kosovë, shëesh do ta paraqitnin Valonin me uniformë ushtarake e me kordele të kuqe në kokë, në vijat e luftimit. Në atë pozicion ai do të jetë ushtar i devotshëm i betejave të UÇK-së për më se dhjetë muaj. Gjatë kësaj kohe kishte krijuar raporte tepër dashamirëse me të gjithë bashkëluftëtarët dhe kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme te popullata vendëse e Zonës së Pashtrikut, ku kishte zhvilluar luftime brigada e tij.
Edhe para shkuarjes në fushat e betejës, Valoni kishte qenë krah i fortë, jo vetëm i familjes, por edhe i kombit. Ai kishte ndihmuar materialisht, nga italia, ku po punonte, duke dërguar mjete financiare në fondin ‘’Vendlinja thërret’’. Gjatë qëndrimit në Itali ai kishte përvetësuar mirë gjuhën italiane dhe kishte krijuar një rreth të gjerë shokësh bashkëkombas.
I vetëdijshëm se lufta bëhej për fatin e gjithë Kosovës, Valoni nuk shkoi në vendlindjen e tij, për ta mbrojtur ‘’pragun e shtëpisë’’, nocion ky që ishte imponuar nga qarqe të caktuara të politikës së atëhershme nënshtruese, të cilat po mohonin në menyrë qyqare domosdoshmërinë e rezistencës së organizuar në shkallë kombëtare kundër agresorit. Prandaj, Valoni, vendin e vet e gjeti në vijat e para të frontit të Zonës Operative të Pashtrikut, në kuadrin e Batalionit të Parë të Brigadës 123. Ai nuk e ndau gjeografinë e atdheut, nga ajo e lirisë. Mbrojtja e këtyra vlerave të shenjëta, në shpirtin dhe në mendjen e tij kishte tejkaluar nocionin e ngushtë të vetëmbrojtjes individuale e spontane të pragut të shtëpisë.
Në dhjetëditorin e dytë të majit të vitit 1999, pushtuesi serb shfryu dufin e fundit të tërbimit edhe në zonën ku po luftonte Valoni. Kjo stuhi tërbimi nuk do të kalojë pa pasoja edhe për të. Nga shpërthimet e granatave, gjatë luftimeve në fshatin Samadraxhë të Therandës, më 25 maj ai u plagos në dorë. Me gjithë sugjerimin e komandës së njësisë, që ta respektonte përkujdesjen mjekësore, Valoni, me plagë në trup, shkon në vijën e frontit dhe vetëm pas dy ditësh, më 27 maj të vitit 1999 bie në fushën e nderit. Përkrah tij ranë edhe bashkëluftëtarët: Sinan Hodaj nga Samadraxha, Bujar Thaçi, nga fshati Reti dhe Jeton Kabashi, nga fshati Opterushë. Forcat e pushtuesit serb ishin përpjekur t’ua humbnin gjurmët trupave të këtyre ushtarëve të lirisë, prandaj i kishin varrosur në një varrezë në Rahovec. Mirëpo, menjëherë pas përfundimit të luftës, trupat e tyre u identifikuan dhe u rivarrosën me nderime ushtarake në fshatin Samadraxhë. Babai Meta, me të marrë lajmin për rënien e të birit, Valonit, tha: Që nga dita kur Valoni kishte shkuar në luftë, atë ia fala lirisë. Ai asaj ia fali jetën.
Edhe nëna e tij, Tima, kur mori lajmin e dhembshëm, tha:
Hallall i qoftë gjiri që ia kam dhënë!
Më 4 gusht të vitit 1999, trupi i Valonit u rivarros në varrezat e fshatit Dubravë të Burimit. Në pjesën ushtarake të ceremonisë së rivarrimit, përveç eprorëve dhe ushtarëve të brigadës 133 ‘’Adrian Krasniqi’’, me bazë në Burim, ishin të pranishëm eprorë dhe ushtarë të Brigadës 123 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtar i së cilës kishte qenë Valoni.
Në përvjetorin e parë të rënies, mbi varrin e Valonit është ngritur përmendprja e tij. Në shenjë nderimi e respekti për gjakun dhe sakrificën sublime të dëshmorit, organet përkatëse të komunës së Burimit dhe të shkollës së fshatit Dubravë, vendosën që shkolla fillore e këtij fshati të mbajë emrin e birit të tyre të dashur, Valon Myrtaj, duke përjetësuar në këtë mënyrë emrin e tij.
Familjen, prindërit dhe katër vëllezërit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës i ka nderuar me Mirënjohje.
Valoni kishte për pasion lojën e futbollit dhe instrumentin e çiftelisë.
Gjatë qëndrimit të tij në mërgim, në Itali, sipas vëllezërve të tij, kohën e lirë kryesisht e kalonte në stërvitje e në lojë futbolli. Ai ishte edhe pjesëtarë i një klubi futbollistik të qytetit ku punonte.
Që i vogël, ai ishte dhënë edhe pas tingujve të çiftelisë. Telat e çiftelisë ai i dridhte në çdo rast argëtimi. Çiftëlia e tij u dogj nga vandalët serbë, kur ata i vunë zjarrin shtëpisë dhe shtëpive të tjera të fshatit Dubravë, ku e kishte kaluar fëmijërinë Valoni.

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …