vala – old
vipa
driloni com
Fillimi / Dëshmorët / Shaban Beqir Avdiu (30.3.1971 – 18.4.1999)
Shaban Beqir Avdiu (30.3.1971 – 18.4.1999)

Shaban Beqir Avdiu (30.3.1971 – 18.4.1999)

Në fshatin Bellopojë të Besianës në një familje të varfër, por bujare e patriotike, më 30 mars 1971 u lind Shaban Avdiu. Në luftën e dytë Botërore, xhaxhai i Shabanit, emrin e të cilit e kishte trashëguar dëshmori, ishte vrarë në përballje me forcat serbe, të cilat edhe e kishin zhdukur kufomën e tij. Po ashtu, gjyshi i dëshmorit, Behrami, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, gjatë Luftës së Parë Botërore ishte pushkatuar në Kërçovë të Maqedonisë.
Bashkëshortët Hatixhe e Beqir Avdiu kishin shtatë fëmijë: Hasanin, Ramadanin, Hilmiun, Avdiun, Halitin, Shabanin dhe Zejnien. Kafshatën e gojës për fëmijët, babai i Shabanit e siguronte me vështirësi, duke kryer punë të rënda krahu.
Shkollimin fillor Shabani e kreu në shkollën e fshatit Tërrnavë, me sukses të shkëlqyeshëm, kurse shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin e Besianës. Për shkak të kushteve të liga ekonomike, nuk iu dha mundësia t’i ndjekë studimet.
Tradita familjare ishte ajo që e brumosi me ide patriotike dhe që në rini ai shfaqi interesimin e tij për rrugën e lirisë. Ishte pjesëmarrës i demonstrative, protestave dhe manifestimeve të ndryshme që organizoheshin në atë kohë kundër regjimit të okupatorit serb. Kështu në demonstratat e protestat e vitit 1989 – 1990 ishte pjesëmarrës aktiv në Besianë e në Prishtinë. Për këto aktivitete ai ishte i kërkuar disa herë nga policia por që ftesës së tyre ai nuk u ishte përgjigjur asnjëherë sepse për të ftesat e tyre nuk vlenin dhe ishte përcaktuar që të punojë çdo kohë dhe në çdo vend kundër tyre, për çlirimin e atdheut.
Pas kryerjes së shkollës së mesme dhe për shkak të kushteve të rënda ekonomike detyrohet që bashkë me vëllezërit e tij të punojë në sektorin e ndërtimtarisë, ku u bë murator i dalluar.
Me formimin e UÇK –së në zonën e Llapit, Shabani si edhe shumë të rinj të tjerë të kësaj ane pa hezitim rreshtohet në radhët e UÇK-së në Njësitin “Kështjella – 26” të Brigadës 151 “Zahir Pajaziti”.
Kontaktet e para me UÇK-së i kishte vënë në korrik të viti 1998 përmes kushëririt të tij, Kadri Avdiut i cili ishte komandant batalioni në Kompaninë “Kështjella-26”. Shabani ishte caktuar në Togën e parë të kësaj kompanie. Ndërsa ushtrimet ushtarake i kishte kryer pranë Batalionit të Katërt të Brigadës 151 “Zahir Pajaziti” në bazën e fshatit Halabak. Që nga 24 dhjetori i vitit 1998,Shabani merr pjesë në të gjitha luftimet që zhvillohen, si në Majac, Godishnjak, Gllamnik, Penuhë, Bellopojë, Terrnavë, Halabak, Sharban etj. Bashkëluftëtarët më të ngushtë të dëshmorit Shaban Avdiut kanë qenë: Shefki Kuleta, Bekim Begolli, Ibush Maloku, Avni Saliu, Agim Begolli, Kadri Avdiu, Xhevdet Stublla, Nexhat Kuleta etj.
Në prill të vitit 1999, në pjesën lindore të Llapit forcat armike sulmuan nga shumë drejtime me qëllim të depërtimit te vendndodhja e UÇK-së dhe popullatës civile.
Në fshatrat Herticë e Surdull, më 15 e 16 prill u zhvilluan luftime të ashpra dhe popullata e strehuar aty u drejtua për në fshatrat Ballaban, Koliq, Marec, Mramor etj. Më 18 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forcat armike ndërmorën një ofensivë të ashpër në pjesën lindore të Llapit. Ata granatonin në thellësi të pozicioneve të UÇK –së. Pas tërheqjes së popullatës civile në thellësi të fshatrave Sharban e Koliq dhe nga Rimanishta në drejtim të Siqevës, filluan luftimet ndërmjet forcave serbe dhe njësiteve të UÇK – së, të cilat ishin të vendosura në pozicionet e tyre në fshatrat Tërrnavë, Halabak, Rimanishtë, Sharban, Dyz etj. Luftime të rrepta u zhvilluan edhe në Sharban të Epërm në lagjet Brajshori dhe Alshiqi. Në luftimet e 18 Prillit, ra në altarin e lirisë në afërsi të shkollës së fshatit Sharban, dëshmori Shaban Avdiu.
Shokët e luftës e tërhoqën trupin e dëshmorit, të cilin e varrosën të nesërmen, më 19 Prill në Sharban. Ndërsa rivarrimi i trupit të dëshmorit u bë në gusht të vitit 1999 në varrezat e fshatit Bellopojë. Në radhët e UÇK – së Shabani kishte edhe të vëllain, Ramadanin si dhe disa kushërinjë. Familja Avdiu është nderuar me dekoratën “Zahir Pajaziti” dhe ka marrë mirënjohje nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Halil Nezir Meta (20.9.1967 - 22.5.1999)

Halil Nezir Meta (20.9.1967 – 22.5.1999)

Krojmiri, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Halil Metaj, Enver Olluri, ...